Shkruan: Fadil Shyti

Në vjeshtën e vitit 1988 kur mbi Malësi të Shalës së Bajgorës, mbi male erërat filluan t´i përcëllojnë fytyrat e ndritura të minatorëve, të Trepçës, të atyre ”luanëve të nëntokës”, – siç i quanin atëbotë të gjithë shqiptarët e shtypur, të revoltuar e shumë të varfër; asaj vjeshte kur dielli kishte filluar të ikë dhe të fshihej nga malet; minatorët do të merrnin rrugëtimin e gjatë plot rreziqe, por heroik për t´i ndërgjegjësuar me tej dhe për t´i zgjuar masat e gjëra popullore nga letargjia dhe “gjumi dimëror” i pritjes së durim-turpit në robëri dhe në varfëri, duke marshuar kështu, drejt objektivave të përcaktuara nga luanët e ilegales për liri dhe drejtësi.

Pushteti anti-popullor i satrapëve titistë gjatë atyre viteve ua kishte bërë jetën të padurueshme shqiptarëve dhe popujve të tjerë në ish-Jugosllavi.

Mirëpo, organizimi i fuqishëm i një rezistence nga klasa punëtore heroike, bëri që ai pushtet i mashtrimit dhe i dhunës filloi të shkërmoqet si mos më keq; në gjithë hapësirën e atij shteti të krijuar artificialisht nga imperialistët e mëdhenj dhe të vegjël; në radhë të parë në dëm të shqiptarëve autoktonë në trojet e tyre stërgjyshore e pastaj edhe të popujve të tjerë liridashës.

-Për të mos u zgjatur shumë; paraprakisht, dua të konstatojë që dihen si u zhvilluan rrethanat historike, para dhe pas luftës çlirimtare, kur popujt i thanë jo, atij regjimi kriminal dhe shfrytëzues i pangopur mbi pasuritë e vendeve dhe të popujve që, në fakt nuk i bashkonte asgjë më shumë -përveç solidariteti i luftës së tyre për ta përmbysur atë shtet me regjime tejet mizore. Nga kjo, dua konstatoj që, përkundër faktit se, pas luftës së UÇK-së, disa suksese modeste u arritën në Kosovë; -mirëpo, fatkeqësisht nuk u arrit fitorja e aq shumëpritur për të cilën ishin betuar ushtarët e UÇK-së, me në krye komandantin legjendar, Adem Jasharin. Duke mos harruar të theksojë që, pas luftës u bën shumë prapa-kthime historike, nga kjo politikë histerike; që po e dëmton tepër shumë kombin shqiptar, duke hapur shtigje të reja për një ardhmëri tejet destabilizuese, që, po shpie përditë e më shumë drejt një rruge pakrye ; rajonin tonë, -kujtoj këtu në radhë të parë ndarjen e Kosovës; sipas formulës “magjike” të decentralizimit.

Në vitin 1988, minatorët u ngritën kundër regjimit kriminal të S. Millosheviqit dhe më tutje andej -përtej urës së Lumbardhit ( ish-Ibrit), në rajonin e Kopaonikut, vend, i cili është i pasur me xehe; ndërsa tani më 2010, mund të shtrojmë pyetjen vallë a punon atje ndonjë çetë apo brigadë minatorësh shqiptarë; apo, ajo pjesë e Trepçës është mbyllur krejtësisht për shqiptarët, apo për më keq: -është mbyllur për të gjithë minatorët?

-Tani, kur minatorët shqiptarë u ngritën përsëri për kërkesat e tyre të drejta, po atë ditë në Mitrovicë, përtej urës në veri, duke kaluar “pa therë në këmbë” kufirin e Kosovës me Serbinë, si një kalorës mesjetar serbomadh, vjen një çetnik me damkë, si Tomisllav Nikoliq, i cili kërkon votat serbëve shumë të privilegjuar, të revoltuar pa asnjë arsye;-kur duan që, shqiptarëve autoktonë në trojet e tyre, t´ua ndalojnë jo vetëm ndërtimin e shtëpive të tyre por edhe ujin, duke i penguar të ndërtojnë ujësjellësin e tyre. Vjen dhe krekoset përballë urës që e ndanë qytetin e minatorëve, se, kinse, “Kosova dhe Metohia , ishin dhe janë të Serbisë”! Vjen dhe lëshon, “akuza” ndaj EULEX-it, se kinse, po vepron në dëm të shqiptarëve, duke mos harruar të theksojë dhe të demaskohet se, ky EULEX-i, po vepron sipas Rezolutës 1244 , e cila ia njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, pa harruar të theksojë që- kinse, po bëhen përpjekje për heqjen e saj, ndërsa partia e tij çetnike, nuk do ta lejoj këtë, e të tjera e të tjera gjepura tragjike që, mjerisht disa edhe tani, janë realiste dhe duke shtuar dhe fantazi të errëta serbomadhe…

Ndërsa, qeveritarët dhe opozitarët e Kosovës, nuk e kanë hallin atje, sepse, madje, edhe vet janë kontribuues që, Mitrovicën e kanë ndarë në dy komuna: jug-veri, serbe dhe shqiptare -por hallet e tyre kanë marrë peshë për vite të tëra;- se, si të pasurohen sa më shumë në dëm të popullit të tyre dhe të kësaj klase punëtore të brishtë dhe të uritur, së cilës me vendime arbitrare nga “ekspertë” të huaj, ia mbyllën uzinat, fabrikat, kombinatet; kësaj klase punëtore që sot me një çmim qesharak po ia shesin pasuritë e saj të fituara me djersë për më tepër se dyzetë vjet.

-Po, a nuk e dimë të gjithë se, këto përmasa kaq të tmerrshme nuk i bëri këto as politika fashiste e Sllobodan Millosheviqit, me vasalët e tyre në Prishtinë.

Këto, tani po i bëjnë zotërinjtë evropianë,dhe puthadorët e tyre të cilëve aq u bënë se shqiptarët, po vuajnë dhe për bukën e gojës.

-Objektivat e tyre janë vetëm “ruajtja e paqes në rajon” , “decentralizmi, pra, ndarja e Kosovës”, të harrohet historia e moçme e ndritur shqiptare dhe të zëvendësohet kjo me historinë e re të turpeve me të ashtuquajturat “bisedime teknike”, nga të cilat pastaj, po “pjellin” si macet, vendime e tradhti të reja, tepër të dëmshme për kombin shqiptar.

-Kodoshët dhe mistrecët e politikë servile; pasardhësit e Titos dhe devijatorët e pacipë të ilegales çlirimtare e dinë fort mirë se, kur një vendi i dobësohet klasa punëtore, ashtu, më lehtë pushtohet populli i tij, me ligje e kundër-ligje, tejet mizore.

Prandaj, si në një kor famëkeq janë bashkuar me qarqe të huaja diplomatike të ardhura nga Evropa e gjetiu – kinse, nën maskat e zhurmave “për integrime evropiane” duan t´i hedhin hi syve popullit; duke i harruar integrimet shqiptare.

-Pikërisht për këtë, e gjithë makineria e tyre propagandistike është drejtuar me objektiva të qarta anti-kombëtare, duke i dhënë përparësi objektivit të aspiratës ditore, për bashkim me Evropën e jo duke i dhënë përparësi objektivit madhor të aspiratës shekullore për ribashkim me Shqipërinë dhe trojet tjera etnike!!!

-Këta, dallkaukët e “demo(n)kracisë; -siç do t´i quante Noli, ithtarë të mashtrimeve dhe të persekutimeve, kujtojnë që do të jenë në gjendje që, pafundësisht ta mashtrojnë, ta persekutojnë dhe të luajnë si mos më keq, me këtë popull.

-Në këtë kohë të pakohë, kur të gjithë injorantët dhe faqezinjtë janë hedhur në ofensivë pa i zgjedhur format dhe mjetet -që ta mbysin zërin e së vërtetës të kombit tonë, të “Lëvizjes Vetëvendosje”, e cila me flakadanët e saj është hedhur në beteja për të fituar të drejtën për vetëvendosje që, pastaj, edhe ne shqiptarët, të kemi lirinë dhe ta arrijmë ribashkimin kombëtar.

Albinin, udhëheqësin e vizioneve të ndritura shqiptare; po e ndjekin si shtrigat, ditëve të mordeve dhe netëve makabre.

Inkuizicion i tmerrshëm, por, i fshehur pa perdeve “demokratike”, sikur dikur në mesjetën e krimeve kishtare, kur mendjet e ndritura të njerëzimit, digjeshin në zjarr.

–Zgjimi marshues i minatorëve të Trepçës, jep shpresa për një të ardhme qëndrese, me një ardhmëri të ndritur.

-Mirëpo, këtu vetëm fillon rezistenca e tyre, kjo rezistencë nuk duhet të mbetet në margjinat e kohës, nuk duhet të mbetet vetëm rezistencë e tyre, “lokale”, për të fituar një kafshatë buk´e gjalpë –sepse, tani po dihet nga të gjithë se, – gjalpi për minatorët po u mungon; por, kjo të bëhet një rezistencë gjithëpopullore, kundër kësaj klase politike e cila është majmur si dose dhe nuk po kursehet që ndaj rinisë heroike, të tregohet aspak jo mizore.

Kjo ndërgjegje e lartë revolte, tani kërkohet të ketë dhe projekte të fuqishme organizative. Kjo, doemos do t´i detyrojë pushtetarët e majmur që të ulin ca “peshën e tyre” duke i ndarë me punëtorët e të gjitha profileve ato të ardhura aq të larta, që as pushtetarët në vendet tjera më të zhvilluara nuk i kanë.

-Minatorët dhe të gjithë ata që janë sot të persekutuar ekonomikisht si të papunët, pensionistët e të tjerë -kërkohet të jenë në nivel të duhur të solidarizimit me protestat të cilat duhet të kthehen në protesta gjithëpopullore jo vetëm të kenë karakter lypsarësh, por të kenë karakteristika të theksuara edhe kundër vendimeve anti-shqiptare të kësaj klase politike; pozitë-opozitë që po e kthejnë Kosovën dhe trojet shqiptare, prapakthehu në histori.

Tani, minatorët duhet të kenë përkrahjen pa rezerva; nga të gjitha forcat përparimtare; parti e shoqata jo qeveritare, -përndryshe golgota shqiptare do të zgjatë shumë.

-E kaluara e hidhur na mëson që, kur minatorët shkuan në Prishtinë me fotografi të Titos, atëbotë gabuan. Aspak, nuk i bënë të mëshirshëm, kriminelët ndaj forcave përparimtare, kur ato, protestojë ndaj tyre dhe në atë protestë e mbajnë lart, fotografinë e kryexhelatit të tyre.

E kaluara e hidhur na mëson që, kur minatorët shkuan në Prishtinë me flamurin laraman të Jugosllavisë në ballë, kriminelëve jugosllavë aspak nuk iu erdhi keq t´i përgjakin dhe t´i burgosin ata.

-A nuk e dëshmoi këtë e kaluara e hidhur por e lavdishme e rezistencës së klasës punëtore të Kosovës të gjitha këto mynxyra?!

-Pse fjala vjen sot, të mos demaskohet dhe të luftohet nga klasa punëtore; politika ahtisariane, si vazhdimësi autonomiste e politikës titiste dje?!

Kur dihet që, kësaj politike iu kanë ndërruar vetëm ngjyrat dhe format e shtypjes; ndërsa përmbajtja ka mbetur po ajo, – bile, në disa aspekte, është edhe më e egër, pavarësisht se fshihet pas petkave shkëlqyese të demokracisë.

-Prandaj, minatorët sot, nuk kanë asnjë arsye të deklarohen se: “Ne, nuk jemi kundër asnjë partie politike”!!!

“Ne, nuk jemi ngritur për politikë”!!!

Vëllezërit tanë punëtorë, nuk duhet të harrojnë se, janë këto parti politike, që as pas kaq vitesh “në liri”, -nuk e nxorën një ligj të punës që do t´i mbronte fuqishëm të drejtat e tyre, një ligj që do t´i mbronte ish-ushtarët, nuk e kanë nxjerrë as për veteranët e luftës së UÇK-së, as për ish- të burgosurit politikë, as për pensionistët , që sot po vdesin para kohës , nga mjerimi që i ka pllakosur.

E, dihet se, këtë mundësi natyrisht që e kishin pozita dhe opozita “kosovare” e cila është e kapur si mos më keq për kapistrës së “Paketës së Ahtisarit”.

-Ata, nuk kanë harruar të nxjerrin dhjetëra e qindra ligje dhe madje të krekosen me një të ashtuquajtur, Kushtetutë e Kosovës, që e ndalon ribashkimin e kombit dhe lejon turpe të tilla martesash si ajo e së njëjtës gjini.

-Ata, nuk kanë harruar të formojnë dhe një ministri për kthimin e serbëve kolonë në Kosovë; por, jo edhe të kemi një ministri për riatdhesimin e shqiptarëve mërgimtarë, të larguar nga vatrat stërgjyshore nga dhuna dhe terrori serbomadhe dhe kuislingët shqipfolës.

Ju, vërtetë o të nderuar punëtorë, nuk po merreni me politikë, -por, fatkeqësisht politika e sotme juve po iu hedh në batak si mos më keq; -prandaj, pse mos ta demaskoni e ta shqelmoni këtë politikë reaksionare?!

-Pse, ju ta ruani më tej iluzionin se; “Do të bëhet mirë” ! “Mos të merremi ne me politikë, se ka kush i zgjedh ato punë”!

-Kush do të provojë që dhe më tej t´u mashtrojë me shpresa të kota, -ju, o të nderuar vëllezër minatorë; dijeni fort mirë që as e keni vëlla , as motër, as mik e fundi i fundit as e keni përkrahës të sinqertë, në kërkesat tuaja.

-Ikën kohët e errëta, kur një dilingji pro-jugosllav e pro-serb, si Azem Vllasi, do të hynte në mesin tuaj, – gjatë grevave të nëntorit të lavdishëm ´89 i cili iu thoshte: “Ruajeni këtë babullah, Titon, se derisa e kemi fotografinë e tij ballë dhe në muret e minierës, s´ka kush që do të guxojë me i shkelë të drejtat tona”!

-Ikën kohët e errëta kur analistë të pistë politikë, madje dhe me dekorata e vula akademikësh pasuesit e tij si Kurtesh Salihu, Syrja Popoci e një duzinë të tjerë si ata, çirreshin deri në kupë qiellit se, “Kosova, asgjë nuk po humbë, me ndryshimet kushtetuese të vj, 1989 “.

-Kohët, plot furtuna që erdhën pastaj, i hodhën këto lecka teorish të poshtra, si mos më keq- në plehrat e historisë.

-Jam thellësisht i bindur që, edhe teoritë e sotme të “analistëve kombëtarë” që, tani po çirren deri në qiell se, “Kosova asgjë nuk po humbë me ndryshimet kushtetuese –sipas Paketës së të Ahtisarit, -do ta kenë po atë fund me turpe; -mirëpo, e keqja qëndron në faktin që pambarimisht, populli po e paguan si mos më keq, haraçin nga kjo politikë e poshtër dyfytyrësie apo do të thosha; dyqindfytyrësie…

Mirëpo, jam thellësisht i bindur gjithashtu se, përderisa të ketë në trojet shqiptare bukëshkalë dhe zuzarë që do bien vendime dhe do vulosin e japin nënshkrime që bien ndesh me të drejtat e kombit shqiptar -kurdoherë, padyshim do të ketë dhe bijë e bija luftëtarë të cilët do të ndeshen si Davidi me Goliatin, në luftë madje edhe të pabarabartë me të gjithë këta mizorë.

-Klasë e nderuar punëtore, përpara në rrugën tënde të qëndresës, vepro me të gjitha format e rezistencës në rrugën e nderit, të përparimit dhe të ribashkimit të kombit!

Shkeli pamëshirë dhe përmbysi të gjithë ata –që, dje dhe sot po ta bënë dhe po t bëjnë jetën ferr!

-Ty, që më së shumti të takon ta gëzosh jetën, ty, që me duart e arta e ke ndërtuar dhe po e ndërton Atmëmëdheun, -përse të lejosh që, Ty, dhe ky Atmëmëdhe të nëpërkëmbeni pambarimisht?!

-Kjo, nuk është luks, që ty ia ke shtruar vetes përpara, në kasollet tuaja –pra, të merresh me politikë.

-Kjo, është domosdoshmëri që e sjellin kohëra të liga nga njerëz të liq!

Prandaj, jam i bindur që do të kesh edhe kësaj radhe kurajën e vetëmohimit -si kurdoherë që të ka karakterizuar.

-Jam i bindur thellësisht se, vetëm me qëndresë aksionesh të pandërprera do t´i realizojmë objektivat tona madhore: lirinë, barazinë, vetëvendosjen dhe mirëqenien tonë njerëzore!

Klasë e fuqishme punëtore përpara drejt fitoreve tua sociale dhe të drejtave kombëtare!

Përpara klasë e pathyeshme heroike!

Suedi, 13 Maj 2010