Meta“Opozita para se të bëj kritika për  gjobat, duhet të bëj një autokritikë për  këto probleme të trashëguara”    Shqipëria ka nevojë të shkëputet  përfundimisht nga tranzicioni  dhe për këtë qeveria  do të kryejë reforma të rëndësishme. Kështu u shpreh kryetari i  Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir  Meta në mbledhjen e Komiteti Drejtues  Kombëtar të LSI-së, e para pas  zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura  më 23 qershor të vitit të kaluar.

Në fjalën e tij, Meta foli për arritjet e  deritanishme të qeverisë së re dhe sfidat  e saj në vazhdim, duke u nisur nga  reforma në drejtësi dhe ajo administrativo-  territoriale. “Çështja e integrimit  evropian është një çështje madhore  që nuk ka të bëjë thjesht me statusin,  por me gjithë modernizimin dhe zhvillimin  e vendit.

Duhet të bëhet reforma  e në drejtësi. Kjo është e qartë edhe  nga Komisioni Evropian dhe realiteti  ynë ligjor ekonomik dhe shoqëror. Të  bëhet një reformë që t’i japë drejtim  gjithë reformave.

Natyrisht që kjo  kërkon kohën e saj, konsensus dhe  gjithëpërfshirje, bashkëpunim i gjithë  forcave politike, por duhet të bëhet  pjesë edhe shoqëria dhe opinioni publik  në mënyrë që të gjithë të kuptojmë  që kjo nuk është një reformë që  synon të shndërrojë në të prekshme  apo të paprekshme disa institucione,  por një reformë që të garantojë zbatimin  e ligjit nga të gjithë”, – deklaroi  Meta.

Sipas tij, askush nuk duhet  të ndihet i privilegjuar apo i shmangur  nga llogaridhënia. “Ne nuk duhet  të shikojmë interesat e askujt vetëm  të jemi sa më të drejtë në realizmin  e kësaj reforme,”- tha ai. Një tjetër  reformë po me aq rëndësi për kreun  e LSI-së, njëherësh kryetar Parlamentit,  është dhe reforma territoriale.

“Ka ardhur koha që të ndahemi  një herë e mirë me fenomenin  e tranzicionit “tërhiq e mos këput”.  Reforma administrative e territoriale  është një domosdoshmëri”, – deklaroi  Meta.

Sipas tij, është vendimtar   krijimi i një pushteti vendor që merr  përgjegjësi dhe ka kapacitet për planifikim  strategjik dhe nuk ka nevojë  për qindra njësi vendore një pjesë  e mirë e të cilave i kalojnë të gjitha  shpenzimet e tyre për gjëra që nuk  shkojnë kurrë në dobi të qytetarëve.

“Askush nuk duhet të ketë dyshimin  se ka ndonjë prapavijë politike. Nuk  përsëritet historia e salamandrave  të mëparshme.

Synohet konsensus i  plotë, reformë në bashkëpunim me  ekspertët e vendeve më të zhvilluara  evropiane dhe SHBA-së”, – u  shpreh kryeparlamentari.

Meta tha  se problematikë shqetësuese është  edhe siguria rrugore. Sipas tij, janë  bërë investime të konsiderueshme  në rrugë, por tashmë duhet punë  për ndërgjegjësim dhe sinjalistikë.

“Nuk kërkohet investim i madh, por  përgjegjshmëri më e madhe. Opozita  para se të bëj kritika për gjobat,  duhet të bëj një autokritikë për këto  probleme të trashëguara”, – tha  Meta.

Lidhur me këtë çështje, ministri  i Transportit dhe Infrastrukturës,  Edmond Haxhinasto, informoi se:  “Javës tjetër do të paraqesim një  paketë të plotë me rreth 70 masa  ligjore dhe rregullatore me qëllim  që rrugët e Shqipërisë të jenë  cilësore, të sigurta dhe jo të rrezikshme”.  Ndërsa kreu i LSI-së vlerësoi  më tej arritjet e qeverisë gjatë këtyre  muajve të parë.

“Arritjet janë  mjaft domethënëse sepse në 100  ditë apo dhe më shumë nuk mund të  realizohet një ndryshim spektakolar  sepse ndryshimi kërkon kohën e tij  dhe po punohet çdo ditë, por është  treguar një vullnet i plotë për të vendosur  sundimin e ligjit i cili është i domosdoshëm  edhe për përmirësimin  e situatës ekonomike në vend.

Lufta  kundër informalitetit evazionit fiskal,  kaosit, të gjitha do ndihmojnë në forcimin  e ligjit, funksionimin e institucioneve”,  -deklaroi ai.