Jeton Llapashtica

Institucionet e Kosovës pretendojnë që shumë shpejt ta miratojnë Ligjin për Mërgatën, me të cilin synohet trajtimi më i mirë i kurbetçinjve Me entuziazëm të madh ka blerë biletën dhe është nisur drejt Kosovës, duke llogaritur se vendlindja e tij, që tashmë ka tjetër status, do ta trajtojë shumë më mirë se ajo në kohën e administrimit ndërkombëtar.

Prishtinë –

Por vullneti i tij është shuar pak kohë pasi ka mbërritur në vendlindje. Një çrregullim në çështjen e dokumentacionit të tij, ka “ndikuar” që rreth dy javë, sa ka pasur pushim, t’i kalojë para sporteleve, duke kërkuar rregullimin e dokumenteve të tij.

“Po, kam qenë dhe shumë jam bërë nervoz. Më ka shkuar pushimi duke vrapuar pas dokumenteve, edhe mezi i rregullova. Veç më sillnin nëpër sportele, koha kalonte, e unë asgjë nuk rregulloja”, tregon për përvojën e tij, mërgimtari i cili kërkon që emri të mos i dalë në gazetë.

Ky i ri nga Kosova, që e pranon se më shumë i pëlqen Gjermania, shprehet i bindur se tretmani që ai ka përjetuar gjatë verës së kaluar, është turpi më i madhi që institucionet e vendit e bëjnë në raport me mërgimtarët.

“Familjarët e tjerë nuk e kanë pasur këtë problem. Ata i kanë kryer më shpejt”, shprehet ai.

Ky është vetëm njëri nga problemet që kanë mërgimtarët, nga momenti që shkelin në Kosovë.

Botuesi i gazetës “Albsuiss”, Palë Shtufi, thotë se para se Kosova të shpallej shtet i pavarur, kurbetçinjtë janë trajtuar shumë më keq, sesa pas pavarësisë, por ai shton se edhe tretmani aktual nuk është i kënaqshëm.

“Mërgata shqiptare meriton një trajtim të veçantë. Këtë trajtim ende nuk e ka. Nuk ka specifika. Një pasaportë nxirret për tri ditë nëse paguan njëqind euro, por këtë e ka secili. Kjo nuk është vetëm për diasporë”, thotë ai, teksa kujton se nga viti 1992 jeton në kurbet.

Ai thotë se në vendet e zhvilluara, qytetarët e atij vendi që jetojnë në mërgim, kur mbërrijnë në vendlindje trajtohen ndryshe, dhe nuk obligohen të merren me formalitete, sikurse që ndodh në Kosovë.

Ky ish i burgosur politik, thotë se institucionet e Kosovës do të duhej të krijonin infrastrukturë ligjore, me të cilin mërgimtarëve iu mundësohet investimi në Kosovë. Sipas tij,

ambasada e Kosovës në Zvicër, momentalisht është jofunksionale. 

Aktivistja për të drejtat e shqiptarëve në Zvicër, Valentina Smajli, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë shumë më shumë për mërgimtarët.

“Duhet ta kemi parasysh se italianet ne Zvicër kurrë nuk do të arrinin të integroheshin në këtë formë, nëse qeveria e tyre nuk do të investonte. Tash kur Kosova është shtet i pavarur, unë pres që edhe institucionet e Kosovës të bëjnë të njëjtën gjë”, thotë shqiptarja e vetme që mban pozitë të lartë në Partinë Social-Demokratike të Zvicrës.

Ajo thekson se ekzekutivi i Kosovës së pari duhet të përmirësojë të drejtat e njeriut në vend, e më pas edhe të kërkojë respektimin e këtyre të drejtave nga shtetet e ndryshme, ku jetojnë dhe punojnë qytetarë nga Kosova.

“Emigrantët shqiptarë në Zvicër trajtohen keq. Ata janë shumë të diskriminuar dhe kjo vërehet si në trajtimin e tyre në raport me banimin, ashtu edhe me punësimin e tyre”, thotë Smajli.

Çështja e mërgatës, duket se do të rregullohet edhe me ligj të veçantë. Zyrtarë të lartë të Zyrës së Mërgatës, e cila vepron në kuadër të kabinetit të kryeministrit, Hashim Thaçi, thonë se deri në fund të prillit, ky ligj do të miratohet.

“Qëllimi i këtij ligji është ruajtja dhe fuqizimi i identitetit kulturor të mërgimtarëve tanë jashtë vendit dhe lidhja e tyre në mënyrë institucionale me vendin e tyre, gjithashtu dhe shteti të përkujdeset për ata”, thotë Mustafë Xhemaili, kryesues i komisionit që ka hartuar ligjin.

Ai sqaron se ligji në fjalë në mes të tjerash, do të trajtojë dhe përmirësojë arsimin e mërgimtarëve, qoftë duke organizuar shkollim të rregullt, apo shtesë, si dhe do të krijon Qendrat Kulturore të Kosovës për Mërgatën, të cilat sipas tij, do ta rregullojnë inkuadrimin e mërgimtarëve tanë.

“Ligjet janë afatgjate. Me çështjen e dokumenteve merret Ministria e Punëve të Brendshme. Ky ligj ndihmon në forma shumë më të mëdha, për shembull në investime”, thotë Xhemaili, duke komentuar lehtësirat që pritet se do t’i krijojë ky ligj.

Sipas tij, Ligji për Mërgatën do t’i hapë rrugë akteve të tjera nënligjore, me të cilat pastaj do të krijohen lehtësira.

Zëdhënësi i Kuvendit të Kosovës, Sherif Konjufca, thotë se nuk mund të dihet datë e saktë se kur do të miratohet ligji, por ai pohon se duke u bazuar në procedurën e deritashme, kjo do të bëhet shumë shpejt.