Melihate Tërmkolli kaloi sot në AAK
Ky kalim i Melihate Tërmkollit, nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është cilësuar si një ngjarje me rëndësi për politikën në Kosovë, ngase siç ka thënë ai, në AAK kalon një veprimtare e shquar e çështjes kombëtare e lëvizjes për liri dhe pavarësi dhe e punës për ndërtimin e shtetit.Haradinaj ka përmendur katër aspekte që sipas tij e bëjnë Tërmkollin veprimtare të madhe, siç është kundërshtimi i saj për ndryshimet kushtetuese në fund të viteve të ’80 ta, veprimtaria e saj për liri dhe pavarësi në periudhën e viteve të ’90 ta në kuadër të LDK së, angazhimi i saj si deputete në gjashtë mandate dhe si ministre e Shërbimeve Publike.
Kurse Tërmkolli nuk ka dashur të jap shumë arsye për aderimin e saj në AAK dhe largimin nga partia për të cilën vazhdimisht ka thënë se nuk do ta lërë asnjëherë.
Ajo ka thënë se ka përpjekje për shumë vjet që të ndryshojë diçka pozitivisht në LDK, por ka parë se vetëm në AAK çmohet puna dhe angazhimi.
Sipas saj, edhe kontributi i Haradinajt dhe orientimi i AAK së nga qendra e djathtë janë faktorë të rëndësishëm që e kanë shtyrë të jetë pjesë e kësaj partie.
Tërmkolli nuk ka mohuar se referimi për Haradinajn si kryeministër, është një paralajmërim që së shpejti kreu i AAK së ta drejtojë ekzekutivin e vendit, pjesë e së cilës Qeveri do të mund të ishte edhe Tërmkolli.
Melihate Tërmkolli ishte ministre e Shërbimeve Publike në kohën e qeverisjes së AAK së. Ajo është deputetja e dytë që largohet nga LDK ja dhe i bashkohet AAK së, ngase kohë më parë kësaj partie i është bashkuar edhe Haki Shatri, po ashtu ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë Haradinaj.