Që nga data 21 prill, kur është sulmuar stacioni i policisë kufitare në kufirin Maqedoni-Kosovë, e deri në epilogun tragjik dhe shkatërrues në Kumanovë më 9 maj, nuk kanë rreshtur të dhënat numerike të publikuara të mos e them të fabrikuara nga zyrtarët e Qeverisë.

Matematikat e gabuara ose të kurdisura kanë filluar me njoftimin zyrtar të MPB-së, përmes zëdhënësit Ivo Kotevski, i cili në njoftimin e bërë mes tjerash theksoi se: “Gjatë këtij incidenti – në Goshincë- nuk ka pasur viktima apo të plagosur, ndërsa sulmi thuhet të jetë “kryer nga rreth 40 persona të armatosur, të cilët fillimisht kanë çarmatosur katër policët e pranishëm në stacionin policor dhe pas një kohë i kanë liruar”.

Matematika e parë: Kush i numëroi se sa persona ishin në grupin që sulmoi stacionin e policisë kufitare në Goshincë, kur kihet parasysh se ngjarja ka ndodhur sipas vo Kotevskit në ora 2.30 pas mesnate, e aq më tepër është për të dyshuar se ndokush i ka numëruar “sulmuesit” nën kërcënimin e armëve.

Matematika e dytë: Poashtu nga MPB-ja u tha se “40 sulmuesit të grupit të armatosur, në Goshincë kanë ardhur me dy vetura”!

Çfarë vetura janë ato të cilat mund të bartin 20 veta, 20 persona? Mbase paskan qënë autobusë apo…? Kush e saktësoi dhe e konfirmoi se grupi i armatosur paska ardhë me dy vetura?

Matematika e tretë: Sulmi në Kumanovë sipas banorëve të Lagjes së Trimave dhe pohimeve të vetë policisë ka filluar në orët e hershme të mëngjesit të 9 majit dhe ka vazhduar edhe më 10 maj.

Informacioni për “përfundimin e suksesshëm të akcionit” përmbante edhe këto të dhëna: Pas dy ditë luftimesh të ashpra, që terrorizuan popullësinë civile shqiptare në këtë zonë,  zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Maqedonase foli për 22 viktima, mes tyre 8 policë. Ndërkohë 37 efektiv  kanë mbetur të plagosur. Kotevski tha se deri më tani nuk ka raportime për viktima nga civilët. “ Deri tani kemi gjetur trupat e 14 terroristëve të vrarë, por pas një kontrolli të plotë në terren mund të gjejmë trupa të reja.  Terroristët kishin uniforma të UÇK-së” deklaroi ai. Kotevski ka thënë se se janë arrestuar më shumë se 30 anetare te grupit te armatosur, kryesisht qytetarë maqedonas dhe një shtetas shqiptar, të cilët do të dalin sot para gjykatës”.

Lajmin për përfundimin e aksionit e ka dhënë edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili ka deklaruar:  “Janë gjetur trupat e 14 personave, për të cilët supozohet se kanë qenë pjesëtarë të grupit terrorist dhe po punohet për identifikimin e tyre. Gjithashtu, jam i njoftuar se pjesa më e madhe e anëtarëve të këtij grupi kanë marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj stacionit policor në Goshincë”. “Disa të tjerë kanë marrë pjesë edhe në konflikte të tjera dhe vlerësohet si grupi më i rrezikshëm terrorist në Ballkan. Është më se e sigurt se qëllimi kryesor i tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë përmes sulmeve ndaj institucioneve shtetërore, objekteve civile, shkollore e sportive“, ka deklaruar Gruevski.

Nga të dhënat zyrtare që u konfirmuan nga vetë autoritetet e Qeverisë, rezultoi se nuk bëhet fjalë për 22 viktima, -pra nuk janë 14 të vrarë nga grupi i armatosur, por janë më pak, numër që edhe sot e kësaj dite është shumë diskutabil, duke iu referuar një shkrese zyrtare që Ministria e Punëve të Jashtme e informon Ambasadën e Kosovës, për personat e arrestuar ku mes tjerësh figurojnë edhe emrat e Mirsad Ndrecajt dhe Begë Rizajt, që më vonë rezultojnë të vrarë “në akcion’.

Sido që të jetë, edhe kjo matematikë e Qeverisë është e pasaktë, sepse nuk janë 14 të vrarë nga grupi i armatosur  por janë 10 (?), ndërsa poashtu janë edhe 8 pjestar të forcave të sigurisë-policisë. Pos kësaj janë shkatërruar pjesërisht ose tërësisht mbi 100 objekte-shtëpi banimi.
Matematika e katërt:  Kryeministri Nikolla Grujevski në një paraqitje theksoi mes tjerash se ky akcion është ndërmarrë për të parandaluar rrezikun e 8.000 viktimave civile.
Prej nga rezulton ky numër prej 8.000 viktimave? Kush e paracaktoi këtë numër? Cilët ekspert e bënë këtë llogari? Mos vallë është synuar të vriten 8.000 veta?… e sa e sa pyetje tjera ngërthen ky numër supozues.

Kjo matematikë e Qeverisë është – thënë me fjalë shumë të buta- matematikë e gabuar, ose më saktë matematikë mashtruese, matematikë që pothuajse askush nuk i beson, sepse numrat në matematikë nuk ndryshojnë as në Kinë, as në Arabi, as në Australi e as në Maqedoni, por numri është numër!.