Ka më tepër se një javë të plotë që shtypi ditor dhe mediat pamore i kanë dhënë publicitet të jashtëzakonshëm, të arsyeshëm e të nevojshëm nismës së drejtë të deputetit shqiptar të PDK-së, z. Nait Hasani, për dënimin e krimeve të komunizmit. Dhe, duke i parë e përcjellur me vëmendje të gjitha opinionet, si dhe debatet televizive (pa asnjë kulturë debati), e (të) (k)”analistëve” të njohur dhe disa reagime tendencioze të të përfolurve&Co të tyre, për denoncimin publik të zotit Nait Hasani, erdhëm te përfundimi se denoncimi i deputetit, absolutisht, është plotësisht i bazuar dhe atë duhet ta hetojnë organet përkatëse të Atdheut. Por, mendojmë, e mira e së mirës është që Kuvendi i Kosovës të dalë me një deklaratë për dënimin e krimeve të komunizmit në Kosovë dhe gjithandej trojeve të pushtuara shqiptare. Por, është çështje se kush të dalë, kur vetë Kuvendi i ka mbuluar ata me të gjitha krimet e tyre antishqiptare, e, madje, edhe i ka postuar në të gjitha nivelet kulmore të “pushtetit demokratik”(Bah!)…

Gjatë gjithë javës së nxehtë “politike” e “patriotike”, më të zëshmit në reagimet e tyre, kundër, ishin disa reagime familjare e fisnore, krahinoriste e zinxhirore të atyre kriminelëve&Co dhe disa media që dirigjohen prej tyre. Valles antishqiptare dhe antinait i prinë, si gjithmonë, gazetat “kombëtare” “Koha ditore”, “Express”, etj., etj., të cilat, madje, gjatë luftës së fundit, nuk e botonin asnjë shkrim që ishte në krah të luftës së drejtë të UÇK-së shqiptare. Dhe, çka e çfarë të pritet, sot, prej atyre “patriotëve” dhe prej gazetave e mediave të tyre “patriotike”, “atdhetare” e “kombëtare”?!… Të mos harrojmë, që, sot, shumica prej atyre që, kinse, e padisin z. Nait Hasani për shpifje, kryeshpifës janë vetë ata dhe zinxhiri i tyre i organizuar i krimit komunist e “demokratik”, “shqiptaro”-titist, mediatik e kuluarist. T’i fusësh në një thes shqiptarët me “shqiptaro”-titistët, sot, është më tepër se krim. Madje, sot, këta (naithasanët) t’i quash “tradhtarë”, njësoj si komunistët tradhtarë “shqiptaro”-titistë dje e sot, është absurd mbi të gjitha absurdet dhe del (përfundon) në tradhëti recidiviste zinxhirore. Por, fatkeqësisht, këtë e bëjnë bijtë dhe bijat e atyre që mëse shumti i kanë duart e zhytura në gjak shqiptarësh, dhe, që kanë bërë krime të të gjitha natyrave dhe në të gjitha fushat shoqërore të shqiptarëve, tok me bashkëmendimtarët dhe Co-të e tyre “patriotike” e “demokratike”…

Në mbrojtje dhe përkrahje të nismës së drejtë të z. Nait Hasani, dolën hapur shqiptarët (intelektualë dhe publicistë të dëshmuar e të njohur shqiptarë), dhe të mos harrojmë se shqiptarët janë ende shumicë kundër “kosovarëve”… Madje, dolën qesharake qëndrimet e disa (k)”analistëve” se, kinse, “Kuvendi i Kosovës nuk ka kapacitet për nisma të tilla”… Qesharake, apo, jo!?!… E, këtu, e shtojmë një pyetje logjike: Kur nuk ka kapacitet t’i zgjidhë problemet që e rëndojnë në kurriz popullin shqiptar, pse merr pagat më të larta në rajon dhe gjithandej, prej xhepave të shumëshqyer të qytetarëve shqiptarë?… Është turp kombëtar që partia nga e cila vjen deputeti Nait Hasani, të mos e përkrahë nismën e tij, madje, deklaratat cinike të kryeparlamentarit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, sikur i vënë kapak të turpit asaj çështjeje që duhet t’i japet dënim meritor, në shkallë kombëtare.

Sikurse e dimë, se, si çdo makinë, që ka pjesët e veta, pa të cilat nuk mund të funksionojë, edhe shteti, e, edhe “shteti”, i kanë pjesët e tyre, gjithsesi, “njerëzore”, pa të cilat nuk mund të funksionojë, e, aq më pak të bëjë krime, prandaj, krimet e komunzimit “shqiptaro”-titistë janë shumë të prekshme dhe kanë emër e mbiemër, siç kanë emër e mbiemër të gjitha pjesët e makinës, veç e veç. Prandaj, e themi shumë shqip, se ai është një seleksionim shumë i ngushtë dhe i shumëkufizuar i z. Nait Hasani, në raport me përmasat çmendurake të asaj makinerie të organizuar kriminale e antishqiptare, e cila vazhdon të jetë kriminale edhe dymbëdhjetë vjetë pas luftës së UÇK-së, fatkeqësisht, në format më të sofistikuara të krimit antishqiptar dhe antiuçëkëistë.

Nga disa reagime dhe debate publike doli qesharake dhe tendencioze përpjekja finoke e disa (k)”analistëve” për t’i krahasuar dhe justifikuar kriminelët “shqiptaro”-titistë, duke i krahasuar me komunistët e tjerë në ish-republikat jugosllave, sepse, siç e kam thënë në një reagim kundër njëfarë Andrea Zollingerit, para afro dy dekadash, dallimi në mes të komunistëve “shqiptarë” dhe të tjerëve dallon sa nata me ditën, sepse, krime ndaj qytetarëve të republikave përkatëse, nuk bëri as Milan Kuçani, në Slloveni (kundër sllovenëve), as Kiro Gligorovi, në Maqedoni (kundër bullgarëve), etj., etj., por, kundër shqiptarëve – po, siç bënë kundër qytetarëve të tyre vetëm “patriotët” ‘shqiptaro’-titistë, të cilët vetëm pas Luftës së Dytë Botërore vranë dhe pushkatuan me dhjetëra-mijëra shqiptarë të pafajshëm, torturuan, burgosën e leçitën, vetëm pse frymonin shqip e shqiptarisht, dhe, me shqiptarët e tjerë i mbushën burgjet jugosllave, ku, mbi “95 për qind të të burgosurve” ishin shqiptarë… Atëherë, krimi paska emër dhe mbiemër, dhe, deputeti i PDK-së, z. Nait Hasani, njerëzisht e njerëzishëm e ka zbardhur atë në dritë, me emrin dhe mbiemrin që ka, ia kajti a s’ia kajti dikuj, pse paska qenë vetë pjesë e tradhtarëve “shqiptaro”-titistë, dhe, pse e paska pasur babain në radhët e tradhtarëve, ose, pse shkoka vetë hapave të tij antishqiptarë.

Ata që reaguan ashpër dhe e kualifikuan me pa të drejtë z. Nait Hasani, janë ndër ata të cilët e kanë mizën nën kapuç, ose, mizën pas veshi, siç thotë populli shqiptar. Prandaj, është tepër qesharake që edhe dymbëdhjetë vjetë të plota të pasluftës së lavdishme të UÇK-së, ata dhe pasardhës të tyre të rafinuar të jenë në pushtet, si në “politikë”, si në “diplomaci”, si në “SHPK”, si në “ushtri”, si në “kulturë”, si në “ekonomi”, si në “arsim” të të gjitha niveleve, si në “gjyqësi”, si në “sport”, si në … Këtë, që po e themi këtu, e zbardhë plotësisht gjendja në të cilën është sot populli shqiptar dhe Kosova e trepushtuar shqiptare, “kosovaro”-serbo-ndërkombëtarisht… Nuk luftuam për të qenë serbishtja gjuhë zyrtare në trojet e trepushtuara shqiptare… Këtë duhet ta dinë të gjithë. Por, po ashtu, të gjithë duhet ta dinë se sajuesit “shqiptaro”-titistë i kanë sajuar edhe “patriotët” sikurse ishin e janë vetë edhe sot, dhe, i kanë vënë në pushtet në të gjitha postet kyçe, për t’i shmangur (mënjanuar) qëllimshëm patriotët dhe intelektualët e vërtetë shqiptarë, nga çdo pushtet shqiptar. Majë e këtij konstatimi real është një anagram bizar i një kuluaristi në mbrojtje të babait dhe të shokëve të babait të tij “patriot”… Dhe, për pasojë, sot, publicistëve (opinionistëve) dhe atdhetarëve të vërtetë shqiptarë, nuk u jep jehonë asnjë media e shkruar, por, për t’ia turbulluar mendjen popullit dhe për t’ia mjegulluar edhe më udhët atij, i përsëritin sin ë kor përrallat e sistemuara të “shqiptaro”-titistëve, përmes këlyshëve të ri e veshëprerë “patriot” e “shqiptaro”-titistë…

Krimi i organizuar “shqiptaro”-titist, si çdo krim tjetër, i organizuar, nuk ka brirë që të shihet publikisht, sepse, ai është kryer me metodat më perfide të krimit, madje, duke u mbuluar trash e më trash nga disa media të shkruara dhe elektronike, nga (k)”analistë” të njohur e të ditur, me të cilët orvatet të justifikohet sot, paturpësisht, edhe anagramikisht, “nëse ata (lexo: prindërit tanë) paskan qenë “tradhtarë”, “tradhtarë” jeni edhe ju sot”… Kjo dëshmon shumë bindshëm se disa të SHP të UÇK-së, me direktiva të fshehta të komunistëve të kuqë “shqiptaro”-titistë, i ka mënjanuar apo shmangur nga rrjedhat politike e kombëtare shumë intelektualë që i rrinin dhe i rrinë krahë luftës së lavdishme të saj dhe luftëtarëve të mirëfilltë të asaj ushtrie shqiptare, sipas betimit të saj për bërien e lirisë – LIRI dhe të Shqipërisë – SHQIPËRI të shqiptarëve.

Andaj, me gjithë përpjekjet djallëzore për ta frikësuar, kërcënuar e shantazhuar deputetin e PDK-së, z. Nait Hasani, kërkesa e tij është shumë e drejtë, dhe, shikuar nga çdo prizëm shqiptar, është e nevojshme dhe e domosdoshme. Me gjithë reagimet e shumta (familjare e kulimoklanore) kundër, deputeti i PDK-së, z. Nait Hasani, ka shumë të drejtë dhe qëndron plotësisht kërkesa e tij për zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve të komunizmit në Kosovë dhe gjithandej trojeve të pushtuara shqiptare në ish-Jugosllavi.

Shqiptarët dhe Atdheu shqiptar, duhet ta mbështesin atë me të gjitha format e mbështetjes kombëtare që u takon.

Burojë, më 1 maj 2010