image
Athina dhe Shkupi janë afër zgjidhjes së kontestit lidhur me dallimet rreth emrit. Këtë e paralajmërojnë mediumet greke sipas ta cilëve ‘Republika Maqedonia e Vardarit’ është zgjidhja për të cilën duket se këtë verë dy palët do të arrijnë kompromis.
Ky përcaktim gjeografik, theksojnë mediumet e Athinës, ishte i pranueshëm për të dyja palët pasi i plotëson kërkesat greke për përcaktimin gjeografik, kurse njëkohësisht në Shkup përdoret për ta dalluar nga Maqedonia e Egjeut.
Ndërkaq, sipas gazetës Katimerini, në këtë fazë nuk do të saktësohet se a do të shfrytëzohej përcaktimi gjeografik para emrit Maqedoni ose pas tij, përkatësisht Republika e Maqedonisë në kllapa Vardari. Gazeta e citon, siç thotë këshilltarin e presidentit Ivanov, Risto Nikovski i cili ‘vitin e kaluar sugjeroi se Republika e Maqedonisë në kllapa Vardari është ide e pranueshme dhe se si e tillë nuk do të detyrojë të bëhen ndryshime në Kushtetutë. Nikovski, sot tha se këto ishin qëndrimet e tij personale dhe përsëriti se kjo ndoshta është zgjidhja më e pranueshme, duke theksuar se duhet të shqyrtohet me kujdes pakoja me të cilën do të dërgohej. Ai thotë se përcaktimi ‘E Vardarit’, para emrit Maqedoni është e papranueshme sikurse edhe përcaktimi i përmendur shpesh ‘Veriore’ pasi vendosja e saj para emrit të shtetit do të ndikonte ndaj çështjes së identitetit.
‘Në parim përsiatjet e këtilla janë një hap përpara pasi emrat ‘Veriore’ , ‘E sipërme’ janë të paramenduara, nuk ekzistojnë në realitet, kurse emri ‘E Vardarit’ ekziston. Edhe kjo është larg zgjidhjes, por mendoj se është bërë një hap përpara në këtë drejtim. Qartë po bëhen përpjekje serioze për gjetjen e zgjidhjes‘, deklaroi Risto Nikovski, ish ambasador.
Sipas gazetave greke, diplomatët perëndimorë kanë vlerësuar se bisedimet kanë një përparim të dukshëm pasi kryeministri grek Papandreu vendosi që personalisht të takohet me homologun e tij Gruevski. Ndërkaq mediumet e tjera greke shkruajnë se përparimi është arritur pas presionit të fuqishëm diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian