mbyllen-dyqanetQindra dyqane dhe lokale të ndryshme tregtare janë mbyllur javëve të fundit në disa qytete të Maqedonisë nga ana e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP).Shumica e bizneseve reagojnë ndaj kësaj fushate masive kundër bizneseve në këtë kohë krize, por reagimet kanë mbërritur edhe nga partitë opozitare. Nga Kumanova e deri në Strugë janë mbyllur qindra lokale tregtare. Por, kësaj fushate nuk i kanë shpëtuar edhe lokalet në vendbanime periferike, ku kanë depërtuar për herë të parë kontrollet e inspektorateve të DAP.

Disa pronarë biznesesh shprehin pakënaqësi për këtë fushatë masive të kontrolleve, që sipas tyre, bëhet në këtë periudhë të krizës dhe rritjes së shkallës së papunësisë  e varfërisë në vend.

“Dyqanin e kam të mbyllur për rreth një javë dhe më kërkojnë të paguaj dënimin prej tre mijë euro, ose në të kundërtën do të rritet dënimi. Nuk ka asnjë tolerancë apo tërheqje të vërejtje, por drejtpërdrejt kërkohet ndëshkimi dhe pagesa e gjobës. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk jemi në gjendje për të plotësuar të gjitha kushtet që kërkohen nga institucionet tatimore, por mundohemi që të plotësojmë një pjesë të madhe të tyre në këto kushte dhe rrethana në të cilat po shkon ky vend”, theksoi Ilmi.R, afarist nga Shkupi.

Partitë opozitare kanë reaguar ndaj aksioneve masive të kontrolleve nga inspektorët e tatimeve. Opozita akuzoi se pushteti aktual në mungesë të fondeve dhe vrimave në buxhetin e vendit, tenton që përmes dënimeve dhe gjobave financiare ndaj bizneseve të vogla të mbushin arkën shtetërore.

Por, përkundër këtyre kritikave, DAP ka bërë të ditur përmes një komunikate se do të vijoj aktivitetet e kontrollit ndaj të gjitha bizneseve që nuk respektojnë ligjin dhe obligimet e tjera financiare.  Sipas DAP, mbi 150 inspektorë tatimor të lëshuar në terren nga fillimi i këtij muaji kanë gjetur shumë parregullësi në funksionimin dhe veprimtarinë e bizneseve të vogla dhe të mesme.

Mos- dhënia e llogarive të arkës fiskale ose teprica e qarkullimit në arkë dhe lëshime tjera janë regjistruar nga inspektorët tatimor. DAP bëri të ditur se deri tani janë mbyllur dhjetëra dyqane nëpër qytete të ndryshme: 69 në Shkup, 41 në Strumicë, 29 në Kumanovë, 19 në Tetovë, 23 në Gjevgjeli, 21 në Veles, 20 në Prilep si dhe në vendbanime të tjera me numër më të vogël.

“Pavarësisht nga veprimtaria, në mënyrë selektive do të kontrollohen objektet afariste se a japin llogari fiskale, pastaj a i mbulojnë dhe a e tregojnë qarkullimin real të të hollave të gatshme, si dhe a e mbajnë dokumentacionin financiarë”, thuhet në sqarimin e DAP-it. (INA)