Prishtinë. Bastisja e Ministrisë së Transportit dhe e pronave të familjes së ministrit Fatmir Limaj nga ana e policisë së EULEX-it, ka nxitur një numër aktivitetesh në institucionet e Kosovës, në përfaqësitë diplomatike të akredituara në Kosovë dhe në subjektin politik prej nga vjen ministri Limaj, njofton Koha Net.Sado që ende nuk ka ndonjë informacion zyrtar më të hollësishëm rreth këtyre aktiviteteve, nga burime të ndryshme jozyrtare, merret vesh se pak qaste pas bastisjes ka pasuar një mbledhje ejashtëzakonshme e Qeverisë së Kosovës, ku është parë të shkojë edhe ministri Fatmir Limaj. Raportohet se pas kësaj mbledhje, kryeministri Hashim Thaçi ka vazhduar takimin me ambasadorin amerikan në Kosovë Cristopher Dell dhe me disa ambasadorë të tjerë të huaj në Kosovë, të cilit takim në ndërkohë iu ka bashkangjitur edhe ministri Fatmir Limaj.

 Në ndërkohë, sipas burimeve, ka filluar edhe një mbledhje e PDK-së, në selinë e kësaj partie, ku janë parë duke shkuar një numër anëtarësh “me peshë” të PDK-së.

Nuk ka ende ndonjë njoftim zyrtar rreth këtyre aktiviteteve.