Mbi sindromën e Stokholm-it tek spiuni!
Adelina MARKU-Ka shumë analiza e përsiatje rreth kësaj teme, madje si laike totale në këtë lëmi dua të mendoj se këta njerëz nuk i takojnë ndonjë etnie apo kulture kombëtare , pasi ata kanë sajuar me vetëdije identitetin e vet grupor – tip entiteti të kodit IDENTITET SPIUNI
Debati mbi dosjet, spiunët, viktimat, bashkëpunëtorët e të ngjashmit personazhe të këtij megarrëfimi aktual, të shtyjnë të mendosh pak më shumë. Doemos, unë kam një si tip dyshimi se fatkeqësisht këta mistere dosjesh do manifakturohen për/me epilogje poashtu misterioze, por në anën tjetër, më syndrit fakti se hapja e kësaj “dere” të mbyllur për kaq dekada sipas logjikës sime, mund të ketë të bëjë edhe me lëvizjen nga ‘’status quo-ja’’ e shqiptarëve këtu në Maqedoni…. Tani, dhimbja ime prej intelektuali ka të bëjë me dimensionin e hidhërimit se përse pikërisht kjo temë duhet të na ngulfasë e të na marrë dritën e mendimit të dëlirë , por kur përsëri po si intelektuale mundohem t’i përgjigjem vetes sime, dëgjoj monologun e brendshëm të më thotë se : “Qenkemi popull që s’lëvizim nga vendi pa na shkundur e dyndyr tokë!”. Nejse këtu tek ne dyndjet nuk janë të ‘’kodit t’modernitetit’’, pra të tipit : “Çiçolina në Parlamentin Evropian!” ( Çiçolina përndryshe është STAR PROSTITUTE), ose të tipit: “Ministri i Financave në Kabinetin Britanez Cameroon, jep dorëheqje të parevokueshme ngase nuk kishte treguar se paguante qiranë e shtëpisë ku jetonte me paratë e taksapaguasve britanez. ‘Çka ka të keqe këtu’-do thonim ne të gjithë ? Të keqe s’ka nuk diskutohet, por ka keqpërdorim sipas drejtësisë së opinionit britanez, sepse ajo shtëpia kishte qenë e dashnorit të tij homoseksual.
Neve jemi ende në stadin e zbulimit të vetes (dhe uroj që vazhdimisht t’a ndjekim dëshirën mbi njohjen e vetes) dhe ngadalë kemi arritur në zhveshjen e shtresës së spiunëve ndër ne.
A duhet të na turpërojë kjo temë ! Jam e mendimit se nuk duhet të na turpërojë asnjë temë mbi të kaluarën tonë të largët apo të afërt , sepse të kaluarën njësoj si të sotmen e krijojmë me vetëdije të plotë. Nëse hyjmë të analizojmë shtresat e vetëdijes sonë , ngadalë – ngadalë do zbulojmë se ato shtresa kanë krijuar fatin e kombit edhe përmes patriotëve, politikanëve, dijetarëve, heronjve, artistëve e diplomatëve por se atë fat kombi edhe e kanë mynxyrosur njësoj spiunët, të korruptuarit, teveqelat e të ngjashmit. Mos po po dua të relativizoj paraqitjen në skenë të temës mbi spiunët, lustrimin apo dosjet!? Jo assesi, assesi, kurrë, madje nëse dikush do më pyeste se ç’gjykim do lëvjerja mbi këtë katandisje politike, do thoja : Kanuni ka dhënë përgjigjen me kohë!
Por, si kanë funksionuar spiunët , ç’është ajo që i ka shtyrë të bëjnë këtë punë me kaq profesionalizëm, me kaq sofizëm, me kaq besnikëri qeni? Ka shumë analiza e përsiatje rreth kësaj teme, madje si laike totale në këtë lëmi dua të mendoj se këta njerëz nuk i takojnë ndonjë etnie apo kulture kombëtare , pasi ata kanë sajuar me vetëdije identitetin e vet grupor – tip entiteti të kodit IDENTITET SPIUNI. Shumë nga shkrimet që i lexova mbi këta lloj grupesh, qofshin spiunët, terroristët, qofshin dhe patologjitë që i shënon mjekësia, por dhe politikanët e sofistikuar, tregonin një lidhshmëri me një sindromë që e quanin Sindromë të Stokholmit. Dhe kur edhe më thellë iu hyn këtyre leximeve, të dhënat të japin një kuptim sipërfaqësor por të mjaftueshëm se pikërisht përmes këtij sindrome të manifakturuar tani në metodë politike, shumë nga diktatorët në botë kanë arritur suksesin e sundimit të tyre, përmendur këtu Enver Hoxhën, Titon, Millosheviç, Stalin, Hitler, Sadam Hysein, Osama Bin Lladen e të ngjashmit e të shumtit e të ardhshmit. Biles gjeta një rrëfim interesant mbi Stalinin, i cili për t’ju demonstruar të dëgjueshmëve të vet se si funksionon Sindroma i Stokholmit tek kafsha, e se si shqiptarët e kinezët do i bëjë vëllezër për kah ideologjia e jo gjaku pikërisht përmes kësaj metode politike: në një mbledhje të politbyrosë ruse ai sjell një pulë, së cilës para të gjithë funksionarëve të pranishëm aty ia shkul fillimisht krahët dhe pastaj dhe të gjithë puplat. Më pas Stalini hipë përmbi tavolinë ndërsa pula, për habinë e madhe, ashtu e pa krahë dhe e pa pupla fillon ta ndjekë me besnikëri çdo lëvizje të Stalinit, madje edhe ta imitojë atë hipje-zdrypjet e tij nga tavolina. Kjo sindromë e kontrabanduar për bërje politikë ka dhënë rezultate të hatashme, vazhdon të japë rezultate të hatashme (sado degjenerike të jenë ato!) dhe është mirë të identifikohet se është përdorur edhe ndër ne ( nga ne vetë por edhe nga të huajt) për të degjeneruar kohën e zhvillimit të indit kombëtar, që ndoshta do ndërtonte vizionin për veten më shpejtë, më pastër e më unik. Por ç’është kjo sindromë? Sindroma ka të bëjë me paraqitjen e një fenomeni paradoksal psikologjik të të përdhunuarës ndaj përdhunuesit/es, ajo/ai çuditërisht tregon empati, simpati, idealizim, ndjenjë dhe respekt të veçantë ndaj dhunuesit/es. Në gjuhën e psikoanalitikëve shpjegohej si : “Një faleminderim primitiv që i bën dhunuesit i/e dhunuara/i pasi që ai/ajo i ka falur jetën”. Në kuptimin politik do dukej kështu: ata që deri dje ndiheshin e rrahagjokseshin se ishin të persekutuar nga ky atdhe, sot i dëgjojmë të thonë se ky është atdheu i tyre më i shtrenjtë!
Në parim, identiteti kulturor (etniku) i shqiptarëve dhe i të gjithë kombeve që jetonin në ish RSFJ, ishin të persekutuar nga identiteti i imponuar politik i ideologjisë komuniste jugosllave . Madje, sot them se shkatërrimi i Jugosllavisë na shpëtoi edhe ne shqiptarëve këtu në Maqedoni nga të shndërruarit me vetëdije në një soj me identitet të lëkundshëm e të padefinuar kolektiv. Por në të gjitha ato çaste të shumta atëherë kur lëkundshmëria ka qenë e pranishme në indin tonë kombëtar/kulturor, pikërisht aty e në atë vakuum ka depërtuar mekanizmi politik i sindromës së Stokholmit, pikërisht ai dikur që sot tregon rezultatin se përse ne sot nuk afirmojmë e nuk prodhojmë kulturë tonë kombëtare, nuk flasim dot natyrshëm e me plotë gojë për idealin shpirtëror të të gjithë shqiptarëve për të pasur një atdhe, nuk flasim me guxim se ç’është barazia e kombeve dhe integrimi i tyre institucional e kulturor, …nuk flasim , nuk do të flasim përderisa këtë sindromë do e lemë të na kacavjerrë rrugëve me baltë e mister biles edhe pas konfliktit të 2001, edhe pas Marrëveshjes së Paqes së Ohrit , edhe pas traumave hipokrite e banale mbi debatin mbi emrin e këtij shteti ….
Sindromë e fuqishme! ENDE DUAM TË DHUNOHEMI!
Perëndi, ky është paradoks