Më shumë se 100 të rinj nga Gjakova i janë bashkuar sot Nismës për Kosovën.
Kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Limaj, ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që u bashkuan Nismës. Ai ka thënë se shtylla kryesore e Nismës është pikërisht kjo gjeneratë e re dhe e palodhshme.

“Nisma ka dalë si alternativë ndryshe nga partitë tjera, çdo herë do të jemi afër jush, sepse ju jeni e ardhmja e vendit”, u ka thënë Limaj anëtareve të rinj që iu bashkuan Nismës.
Ai ka shtuar se Nisma është themeluar për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë pasur hapësirë në subjektet tjera politike, të cilët janë neglizhuar, të cilëve nuk iu ka dhënë hapësira për të punuar. “Nisma është këtu me ju dhe pran juve, për t’i eliminuar elementet negative të krijuar nga disa parti politike, që për shumë vite mision i tyre është mashtrimi”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka folur edhe për fusha tjera, ku vendi ynë nuk është duke funksionuar mirë, për ekonominë, drejtësinë dhe shëndetësinë.
Ndërkaq kryetari i degës së Nismës në Gjakovë, Fazli Hoxha, para të rinjve ka thënë se, ky është një moment i mirë për Nismën në Gjakovë. “Është një moment i duhur që puna jonë së bashku me ju, të jetë reflektim i mirë për qytetarët e Gjakovës, që ta kuptojnë se e vetmja shpresë për gjeneratat e ardhshme të qytetit tonë do të jetë Nisma për Kosovën”, është shprehur Hoxha.
Ndërsa, në emër të mbi 100 të rinjve që iu bashkuan Nismës në Gjakovë ka folur, Leorita Kazazi. Ajo ka thënë se gjithmonë është thënë se rinia është e ardhmja e një shteti. “Rinia e shtetit tonë për pesëmbëdhjetë vjet po frymon në hapësira të rrethuara nga antivlerat, po jeton në frymën e pesimizmit dhe në pamundësi për t’i realizuar ëndrrat e tyre”, ka deklaruar Leorita Kazazi.
Ajo ka thënë se kjo ka qenë njëra ndër arsyet që këta të rinj iu kanë bashkuar Nismës për Kosovën në Gjakovë.
Në këtë takim ishte i pranishëm është sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi.