Marshi i mijëra protestuesve pas defilimit para Parlamentit, më pas është ndaluar para Qeverisë, ku Këshilli i Organizatave Shqiptare (KOSH) ka lexuar edhe letrën publike me kërkesat e saja.
Ibrahim Koça nga KOSH theksoi se protesta e këtill detyroi shqiptarët që të dalin në rrugë në shenjë revolte kundër diskriminimit qeveritar antishqiptar. Organizatorët theksuan se marshi protestues nga Gjykatat, më pas Parlamenti dhe në fund Qeveria, simbolizon trinomin diskriminues institucional kundër shqiptarëve në Maqedoni. “Gjykata që dënon shqiptarët e pafajshëm, Parlamenti i dominuar nga maqedonasit që sjellin ligje antishqiptare si dhe Qeveria që aplikon më pas ligje antishqiptare”, kanë theksuar organizatorët, raporton agjencia e lajmeve INA.
Ndër kërkesat e shpalosur nga protestuesit janë: lirimi urgjent i të burgosurëve të rasteve të Sopotit, Brodecit; ndërprerja e procesve të hapura të Hagës; ndriçimi i fatit të personave të zhdukur nga uniformat zyrtare në vitin 2001 e më tej, ndërprerja e politikave diskriminuese në arsim, ekonomi dhe kulturë; ndërprerja e projektit Shkupi 2014, zgjidhja urgjente e përdorimit të gjuhës shqipe, simboleve kombëtare dhe ndarja e buxhetit në bazë proporcionale etj.
KOSH i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyrë në sistemin respresiv të pushtetit gjyqësor në Maqedoni dhe ndaj institucioneve të tjera represive. “Barazia e plotë e dy komuniteteve kryesore është rruga e vetme dhe me sigurt për të arritur në BE dhe NATO. Rruga jonë e vetme është integrimi në BE dhe NATO”, ka theksuar Valon Bela nga KOSH, i cili ka faleminderuar për pjesëmarrje mijëra protestuesit në protestën “Për Drejtësi”.
Protestuesit janë shpërndarë në mënyrë të qetë, nën mbikqyrjen e forcave të mëdha të sigurisë që janë të pozicionuara për të siguruar rendin dhe qetësinë për gjatë vijës së protestuesve në rrugët qendrore të Shkupit. Nga informacionet e para të organizatorëve të protestës, bëhet e ditur se pjesëmarrës kanë qenë rreth 10 mijë protestues.
Shkup: Mijëra protestues marshojnë drejt institucioneve
13:00 – Mijëra shqiptarë po defilojnë rrugëve të Shkupit në protestën e filluar me marshin e nisur nga pallatet e gjykatave.
Me brohoritje “Liri, barazi dhe drejtësi” ka nisur protesta masive, ku protestuesit me sllogane, flamujt dhe pankarta janë nisur në drejtim të Parlamentit, më pas duke kaluar tek godina e Qeverisë dhe duke u rikthyer në vendin e fillimit të protestave para gjykatave, raporton agjencia e lajmeve INA.
Në protestën me moton “Për drejtësi” po marrin pjesë rreth 40 shoqata joqeveritare shqiptare, të cilët siç theksuan se po shprehin politikën qeveritare diskriminuese antishqiptare.
Në mesin e protestuesve janë edhe deputetët e Demokracisë së Re, Flora Kadriu, Abedin Zymberi dhe Sulejman Rushiti. Turmat e protestuesve po ndiqen nga forca të shumta të policisë, ndërkohë organizatorët kanë angazhuar rreth 200 aktivistë që do të përkujdesen për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.
Në letrën që do të lexohet pranë Parlamentit, protestuesit do të kërkojnë ndërperjen urgjente të gjykimit të rasteve të Hagës, si dhe të bëhet lirimi i të burgosurëve të rasteve të Sopotit, Brodecit, por njëkohësisht kërkohet edhe ndërprerja e realizimit të projektit “Shkupi 2014”. (INA)