…Skorta  politike sllavo-maqedone në vazhdimësi është mësuar që shqiptarët t`i shoh në pozitën e robit, të përkulur dhe të ndëshkuar në të gjitha pikëpamjet. Kjo klasë politike mesjetare me forma dhe me metoda të ndryshme,  e ka mbajtur dhe po e mban popullin shqiptar nën thundrën e hekurt, me qëllim që ai të mos përgatitet për të vënë në rend dite çështjen shqiptare në IRJM.

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Më 13 Gusht u mbushën 9 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund luftës në mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore  e ushtarake të Qeverisë së IRJM. Marrëveshje, e cila llogaritet në një nga marrëveshjet më të përfolura veçanërisht gjatë fushatave elektorale, e cila mjerisht popullit shqiptar në IRJM nuk i ka sjellë pothuajse asgjë të re në statutin e tij politik.

Në ceremoninë e organizuar nën patronazhin e Sekretariatit për implementimin e kësaj marrëveshje në hotelin “Aleksandër Palas” në Shkup, më 13 Gusht 2010 do të shënohet përvjetori i nëntë, në të cilin përvjetorë nuk do të marrin pjesë pikërisht ata të cilët e nënshkruan (L. Georgievski – nga partia VMRO, A. Xhaferi – nga partia PDSH, B. Cervenkovski – nga partia LSDM), nuk dot ë marrin pjesë ata të cilët e kanë në dorë fuqinë shtetërore për ta zbatuar (N. Gruevski – kryeministër i IRJM dhe qeveria e tij, si dhe partitë opozitare shqiptare  PDSH dhe DR). Nëse këtij skenari ia shtojmë edhe deklaratat kontradiktore (se Marrëveshja e Ohrit është shumë e shtrenjtë, apo se Marrëveshja e Ohrit nuk ka zot shtëpie etj.) të kryetarit të IRJM-së  Gj. Ivanov, apo faktet se udhëheqja më e lartë e VMRO-s në krye me N. Gruevskin kurrë nuk e kanë përfillë këtë marrëveshje dhe vazhdimisht e kanë anatemuar, na paraqitet një pamje nga filmat horror të A. Hiçkokut. Një autor me identitet të padefinuar në filmin “Made in FYROM”, një skenar mirë i përgatitur në zyrat e shtetit, i cili vazhdon të bëjë kërdi mbi lirinë dhe të drejtat popullit shqiptar në IRJM. Ata vazhdimisht kanë menduar dhe mendojnë se shqiptarët morën me këtë marrëveshje shumë të drejta, me të cilën gabohen rëndë, sepse statuti i shqiptarëve nuk ka ndryshuar me asgjë nga Kushtetuta e ish-Jugosllavisë e vitit 1974.

Por, e vërteta qëndron diku tjetër se skorta politike sllavo-maqedone në vazhdimësi është mësuar që shqiptarët t`i shoh në pozitën e robit, të përkulur dhe të ndëshkuar në të gjitha pikëpamjet. Kjo klasë politike mesjetare me forma dhe me metoda të ndryshme  e ka mbajtur dhe po e mban popullin shqiptar nën thundrën e hekurt, me qëllim që ai të mos përgatitet për të vënë në rend dite çështjen shqiptare në IRJM.

                    Marrëveshja e Ohrit, kartë mbulesë e ndëshkimit të shqiptarëve

Faktet flasin qartë se gati që 20-vjet të të ashtuquajturit pluralizëm politik shqiptarët në institucionet shtetërore në IRJM nuk kanë arritur asnjëherë të vënë në rend dite kërkesat legjitime të popullit shqiptar. Institucionet shtetërore kanë mbetur edhe sot me  forcën absolute në dorë të  sllavo-maqedonëve. Prandaj edhe manifestimi me rastin e nëntë vjetorit të “Marrëveshjes së Ohrit” ishte më tepër takim i deklaratave nga afër dhe nga larg të politikanëve dhe pseudo- politikanëve nga taborët e ndryshme, nga të cilat lehtë nxirren konkluzionet. Partitë politike shqiptare si zakonisht të ndara, të përçara, ku në vend që t`i pranojnë gabimet e tyre, t`i kërkojnë falje popullit dhe të adresojnë kritikat në adresë të qeverisë dhe presidencës së IRJM-së, ato si në filmat vizatimorë akuzojnë njëra- tjetrën dhe vazhdojnë me deklarata banale sepse pothuajse të gjithë ata të cilët folën para mikrofonit më 13 Gusht, në manifestim apo në seli partish, ishin më herët apo më vonë në pozitë për të ndryshuar statutin e shqiptarëve, por thjeshtë nuk bënë asgjë.

Pra, Marrëveshja e Ohrit apo marrëveshja Kornizë jo vetëm që nuk është realizuar por më tepër ajo është përdorur si kartë  apo fletë mbulesë e ndëshkimit të shqiptarëve gjatë projekteve politike të Qeverisë së Shkupit në krye me N. Gruevskin. Jo njëherë në fushatat elektorale është thënë se Marrëveshja e Ohrit është realizuar 80%  dhe është në fazën e fundit që të implementohet në praktikë, por faktet janë shumë kokëfortë se realiteti politik në IRJM jep një pamje krejt tjetër, edhe pse fakt është se në krye të Minstrisë që duhet të përkujdeset për realizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit kanë qenë deri tani të gjithë shqiptarë: Musa Xhaferi (BDI), Imer Selmani (PDSH), Imer Aliu (PDSH) dhe tani Abdylaqim Ademi(BDI) . Këta nuk arritën të realizojnë marrëveshjen në fjalë për dy arsye: 

e para, të bllokuar nga Qeveria e N. Gruevskit dhe nga institucionet shtetërore sllavo-maqedone, të cilat në vazhdimësi kanë zbatuar dhe zbatojnë politikë  antishqiptare dhe

e dyta, nga mosangazhimi dhe mungesa e guximit të të emëruarve si dhe partive politike shqiptare.

Në bazë të këtyre dy faktorëve me plot gojën mund të themi se Marrëveshja e Ohrit  ka dështuar dhe statuti i shqiptarëve nuk ka ndryshuar fare – edhe sot  kësaj dite mbi trupin e shqiptarëve rëndon statuti i qytetarit të dorë së dytë.

Këtë gjendje e dëshmojnë faktet, të cilat është dashur që me Marrëveshjen e Ohrit të zgjidhen deri më 2004, kurse ligjet kanë mbetur kuzhinave të qeverisë. Me këtë kanë dështuar ligjet:

  1. Përdorimi i gjuhës shqipe,
  2. Përdorimi i lirë i simboleve kombëtare,
  3. Decentralizimi i parealizuar edhe pse me një ndarje katastrofale për vendbanimet shqiptare,
  4. Tarifa e kufizuar 25% e përfaqësimit të shqiptarëve (edhe pse jo e drejtë) ende është vetëm shifër statistikore,
  5. 5.      Përjashtimi i shqiptarëve nga të drejtat qytetare gjuha dhe simbolet kombëtare, në komunat në brendi të Shkupit, pastaj Resnjë, Krushevë, Dollnen, Veles, Ohër, Prespë, Manastir, të cilat janë të lidhura me  përkufizimin kushtetues se janë “bashkësi etnike nën  20 për qind” ,
  6. 6.      Përjashtimi i shqiptarëve nga përfitimet shtetërore  si dhe nga përfaqësimi në  institucionet shtetërore, investimet dhe projektet zhvillimore sociale dhe ekonomike,
  7. 7.      Afër 100 000 shqiptarë ende maltretohen zyrave të shtetit për nënshtetësinë,
  8. 8.      Përfaqësimi zero në institucionet kryesore të shtetit: në presidencë, në Ministrinë punëve të jashtme, të brendshme, atë të mbrojtjes, shërbimet sekrete, njësitë speciale policore dhe ushtarake etj.
  9. Mbi 80% të shqiptarëve janë të papunë dhe nuk përkujdeset kush për to,

10.  Komunat shqiptare anashkalohen nga ndihmat dhe projektet ekonomike,

11.  Anashkalimi i bujqve, blegtorëve, punëtorëve, studentëve, institucioneve arsimore në gjuhën shqipe, injorimi dhe nëpërkëmbja e kulturës shqiptare etj.,

12.   Moszgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së etj.

Nëse të gjitha këtyre ua shtojmë edhe krimet mbi vendbanimet shqiptare siç është Masakra e Lubotenit, e Brodecit, Brezës, Radushës etj., vijmë në përfundim se në IRJM vazhdon aparat`hedi politik dhe ekonomik ndaj shqiptarëve dhe kjo është arsyeja pse Qeveria e IRJM-së bllokon integrimet evropiane – për të vazhduar terrorin shtetëror  mbi shqiptarët.

 

                         Marrëveshja e Ohrit nuk i pajtoi shqiptarët dhe maqedonasit

 

Ç`duhet të bëjnë shqiptarët?

T`i lënë me një anë jaranitë me partitë sllavo-maqedone, zënkat personale dhe interesin grupor dhe partiak, lakminë pas pasurisë dhe posteve politike sepse të gjithave iu ka dalë boja.

Të ftojnë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë Perdju dhe Leotarë dhe të kërkohet prej tij, që të ndërhyjnë, që brenda një periudhe sa më të shkurtër  (jo më Marrëveshja e Ohrit) por çështja shqiptare të vihet në rend dite.

Faktori politik shqiptar të formojë Këshillin kombëtar dhe nga pozita disfatiste ku është strukur, të kalojë në sulm – në mbrojtjen e popullit shqiptar.

Të gjithë “funksionarët shtetëror” të  largohen nga të gjitha institucionet sllavo-maqedone , të lëshojnë vendet dekorative në qeveri dhe institucionet shtetërore  deri në zgjidhjen e problemeve shqiptare. Nuk mund që shqiptari të qëndroj në emër të popullit shqiptar dhe të veproj kundër popullit shqiptar. 

Ata qe deklarojnë se me “Marrëveshjen  e Ohrit” është arritur pajtimi në mes dy popujve e kanë gabim sepse kurrë nuk kanë qenë më të forta fushatat antishqiptare në IRJM kundër gjuhës, simboleve kombëtare, arsimit, edukimit, kulturës dhe ekzistencës shqiptare. Këtë e vërteton projekti i qeverisë së N. Gruevskit  “Shkupi 2014”.

Ata që thonë se ka ndryshuar statuti juridiko-politik i shqiptarëve gënjejnë dhe mashtrojnë popullin me deklarata shterpe.

                 Shqiptarët duhet të mblidhen rreth një trupi të përbashkët

Me të drejtë një numër i konsiderueshëm i veprimtarëve shqiptarë “Marrëveshjen e Ohrit” e kanë quajtur antishqiptare sepse ishte një marrëveshje e cunguar, shumë herë e cunguar dhe për popullin shqiptar nuk ofronte lirinë e një populli autokton. Duke e lenë jashtë preambulës, të pabarabartë dhe duke e kufizuar vetëm me të drejtat qytetare, në të cilin grup hynin edhe pakicat tjera të cilat përbëjnë  2-3%. Pastaj nëse kësaj Marrëveshje ia shtojmë edhe nënmarrëveshjet e partive shqiptare me partitë sllavo – maqedone si psh. nënmarrëveshja

në mes LSDM-BDI më 2002, “Marrëveshje e Marsit” midis PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së,  ku PDSH-ja pranoi gjatë dy viteve të qeverisjes (2006-2008) moratoriumin e shpallur për çështjet ndëretnike në Maqedoni, “Marrëveshja e Majit” në mes VMRO-BDI etj., në të cilat kryetarët partive politike shqiptare në IRJM kanë folur në emër të popullit shqiptar, pa e pasur bekimin e tij, vijmë në përfundim se në këtë rrugë antishqiptare qeveria sllavo-maqedone ka e dhe aleatët e vet shqiptarë.

Pra, kjo marrëveshje është marrëveshje e shfrytëzuar maksimalisht nga dy taborret politike  dhe prej saj s`kanë mbet as fosilet, por shqiptarët duhet të mblidhen rreth një trupi të përbashkët, rreth një Këshilli Kombëtar dhe t`iu dorëzojnë institucioneve në IRJM dhe atyre ndërkombëtare, memorandumin e kërkesave të ligjshme të popullit  shqiptar, për barazi të plotë juridiko-kushtetuese të shqiptarëve.

Çdo rruge tjetër na nxjerr në paudhë. Të mjerë janë ata të cilët ndërtojnë paudhësi për shqiptarët në trojet e tyre etnike në IRJM.

Shkup, 14. Gusht 2010