image
Ashtu siç ishte parashikuar, Maqedonia nuk është përfshirë në projekt-konkluzionet e përgatitura të hënën për mbledhjen e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian. Të pyetur nga Alsat-M, diplomatë të presidencës spanjolle janë përgjigjur prerazi se Maqedonia nuk ishte temë e diskutimeve të axhendës së ministrave për pjesën e Ballkanit. E njëjta gjë u konfirmua edhe nga disa diplomatë të tjerë që ndodhen në Luksemburg të cilët rrëfyen se Maqedonia mund të ngrihej si diskutim, por vetëm në formë jo-formale, vetëm gjatë drekës së punës, sigurisht pa pritur konkluzione.
Takimi i ministrave të jashtëm është fokusuar ndërkohë në bisedimet për Serbinë, e cila megjithëse nuk ka dhënë rezultatet e pritura në bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës për krimet e luftës, pritet të fitojë nisjen e procesit të ratifikimit të MSAsë nga parlamentet e vendeve anëtare. Një pikë tjetër janë mesazhet e forta ndaj Tiranës, të cilës i kërkohet të zgjidhë shpejt krizën politike.
Në Luksemburg, megjithëse konferenca për shtyp ishte parashikuar në orën 15:00, bisedimet kanë vazhduar edhe për disa orë. Në pjesën për Ballkanin janë përfshirë ndërkohë në projekt-konkluzionet e të hënës, pjesë të ‘Deklaratës së Sarajevës’, në të cilat shihen se janë përzgjedhur ato pjesë të cilat flasin më shumë për kushtëzim sesa për optimizëm në lidhje me ‘Perspektivën Evropiane të Ballkanit. “Këshilli përsërit rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të mardhënieve të mira fqinjësore dhe inkurajon të gjitha palët e përfshira të zgjidhin çëshjet pezull me vendet e tyre fqinje”, thuhet në projek-konkluzione ku mungon paragrafi tjetër i Sarajevës që vlerësonte se “çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë integrimin e vendeve të Ballkanit”. Nëse edhe në konkluzionet përfundimtare konfirmohet mos-përfshirja e Maqedonisë, presidenca spanjolle ‘lan duart’ duke ja lënë këtë dosje delikate pasardhësve belgë, të cilët kanë deklaruar se negociatat për anëtarësim do të çelen nëse zgjidhet çështja emrit.

Ernest Bunguri
BRUKSEL