Maqedoni, të vdekurit zgjodhën 20 deputet
Ekspertët shqiptarë për çështje të demografisë, por edhe një pjesë e partive politike shqiptare theksojnë se ekziston numër më i madh i votuesve fiktiv në Maqedoni, kryesisht tek popullata maqedonase, sesa nga shifrat e prezantuara nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e MPB-së, se në Maqedoni deri tani janë evidentuar 140 mijë votues fiktiv.
Tërë sekreti i përmbajtjes së listës zgjedhore do të zbardhet deri në fund të muajit tetor, kur do të pastrohen tërë votuesit e paraparë fiktiv në Maqedoni.
Shifrat prej 200 mijë deri në 250 mijë votues fiktiv dalin nga demografët shqiptarë, por edhe nga disa parti shqiptare.
Anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) bëjnë të ditur se me një trup të tillë votuesish prej 200 mijë deri në 250 mijë votuesish në Maqedoni zgjidhen mbi 20 deputetë. Në Maqedoni që moti kanë qenë të pranishme listat e tilla, me të vdekur, e persona që kanë braktisur vendin, por që nuk janë shlyer nga regjistrat zyrtare.
Në procesin e shlyerjes së votuesve fiktiv janë të kyçur rreth 100 të punësuar nga Ministria e Drejtësisë. Eksperti për çështjet e demografisë, prof.dr.Asllan Selmani thekson se në Maqedoni janë 250 mijë votues fiktiv, shumica popullsi maqedonase. “Sipas rezultateve që kemi dalin rreth 250 mije emra votuesish të cilët nuk janë as të gjallë, as nuk ekzistojnë në territorin e Maqedonisë dhe jo 140 mijë siç thuhet. Më e dëmtuar nga shlyerja e votuesve fiktiv do të jetë pala maqedone. Për fat të keq këta persona kanë votuar afro njëzet vite më radhë , kështu që është bërë një keqpërdorim I hatashëm ndaj votës demokratike në Maqedoni”, ka theksuar për agjencine e lajmeve INA, studiuesi Selmani. Sipas tij, votuesit fiktiv kanë qenë të pranishëm nëpër vendbanimet maqedonase në Maqedoninë Lindore, të Vardarit si dhe në Maqedoninë Perëndimore. “Numri i shqiptarëve është i vogël. Më drastike është numri i votuesve në Maqedoninë Perëndimore dhe kjo do të ndikojë tek partitë maqedonase”, ka theksuar eksperti Asllan Selmani.
Shqetësimet për votuesit fiktiv i ka shprehur ODIHR në zgjedhjet e fundit, ku u tërhoq vërejtja se si një shtet me 2,4 milion banorë, të ketë 1,7 milion votues. Nga misioni i OSBEsë kanë theksuar se i përshëndesin aktivitetet e autoriteteve të Maqedonisë për pastrimin e listës zgjedhore. “Ne inkurajojmë autoritetet përgjegjëse për përpjekjet për krijimin e një liste zgjedhore sipas standardeve ndërkombëtare. OSBE do të vazhdojë të mbështes këtë proces”, kanë theksuar nga zyra e OSBE-së .
Institucionet vendore kanë nisur pastrimin e listës zgjedhore dhe se me këtë aktivitet janë shtuar zërat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni.(Nedreta Nuredini/INA)