Manipulimet lidhur me punësimet e 1600 administratorëve
Ditëve të fundit kanë dalur në sipërfaqe keqpërdorimet dhe punësimet partiake të 1600 administratorëve të zgjedhur nga kategoritë e varfëra sociale në Maqedoni.Derisa nga partia shqiptare BDI edhe zyrtarë të lartë kanë pranuar se nuk kanë pasur qasje në këtë konkurs dhe se janë marrë parasysh vetëm kriteret sociale të kandidatëve që kanë konkurruar, skandale dhe keqpërdorime për punësime partiake kanë shpërthyer tek partia maqedonase VMRO-DPMNE.
Por, nga ana tjetër, bëhet e ditur se manipulimet janë bërë edhe me disa kandidatë të zgjedhur shqiptarë, por nga ana e ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” që kontrollohet nga VMRO-DPMNE.
Së fundi kanë dalur edhe akuza nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) opozitare, e cila ka nxjerrë në sipërfaqe raste të punësimeve skandaloze.
Në mesin e të punësuarëve në Gostivar, gjoja si raste sociale është punësuar një anëtar i VMRO-DPMNE që ka firmë private, por edhe bashkëshortja e tij është pronare e një salloni parukerie. Në qytetin e Sveti Nikollës janë pranuar 21 veta, të gjithë përkrahës dhe votues të VMRO-DPMNE. Në qytete tjera janë pranuar aktivistë partiak të punësuar, pronarë firmash private, me pensione familjare si dhe vetura private. Njëri nga rastet është se si në Shtip është punësuar një person që punon tokë, ka banesa private në Shtip, makinë private, jeton me pensione të pleqëve si të ardhura familjare. Në Vevçan janë pranuar dy anëtare të forumit të gruas së VMRO-DPMNE.
LSDM ka theksuar se ditëve të fundit do të jap informacione të tjera lidhur me keqpërdorime dhe punësimet partiake, edhe pse Qeveria dhe ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” theksuan se kandidatët u zgjodhën nga kategoritë sociale përmes një softueri kompjuterik, ku ishin shmangur manipulimet për punësime partiake. Mbi 22 mijë kandidatë konkurruan për 1600 vende pune, kryesisht të kategorive sociale. Në mesin e të punësuarëve u zgjodhën edhe kandidatë shqiptarë dhe se Qeveria theksoi se u respektua parimi i përfaqësimit prej 25 për qind. Partitë opozitare kërkuan që të shpallen të dhëna lidhur me këto punësime dhe databaza e të gjithë kandidatëve, për të qenë procesi më transparent. (INA)