Malishevë: Rrahje në qendër votimi
(E plotësuar) Në komunën e Malishevës, në një qendër votimi, raportohet se ka ndodhur një rrahje, ku janë përfshirë më shumë se 5 persona. Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Duke e komentuar rastin, Kelani ka thënë se me këtë rast ka intervenuar menjëherë Policia e Kosovës, duke shoqëruar 5 persona në polici ku janë duke u intervistuar.
Kelani nuk ishte në gjendje të thotë nëse këta persona i përkasin ndonjë subjekti politik, pasi sipas ti,j ata janë duke u intervistuar. Ndërkaq, përveç këtij rasti të raportuar, ka ndodhur edhe një incident në Malishevë. Raportohet se PDK-ja ka nxjerrë në shesh ekrane gjigante, duke transmetuar spote elektorale.
Një veprim i tillë ndalohet me ligj, pasi pas përfundimit të fushatës elektorale, nuk lejohen më reklama të tilla. Përveç këtij incidenti, në Malishevë është sulmuar fizikisht nënkryetari i Degës së PDK-së, Bali Rudi.
Policia lokale njofton se pasi është informuar për ngjarjen, ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka arritur të identifikojë autorët. Ata janë vëllezërit e nënkryetarit të LDK-së për këtë komunë, Fetah Rudi.
* * * * * * *
Asnjë votë në ekipet mobile në Veri?
Sipas medieve deri në ora 12:00 në asnjë qendër mobile të votimit për minoritetin serb në Veri nuk është hedhur asnjë votë në kutitë e votimit. Të paktën kështu duket të jetë në lagjen e boshnjakëve në Mitrovicën veriore, në ekipet mobile
* * * * * *
Është sulmuar kryetari i Komisionit Zgjedhor të Shtërpcës
Siç raportojnë mediet duke u thirrur në burimet e tyre brenda policisë tregojnë se rreth orës 09:00 në komunën e Shtërpcës ka ndodhur një incident. Raportohet se incidenti ka ndodhur në fshatin Biticë dhe dyshohet se kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq e ka sulmuar fizikisht kryetarin e Komisionit Zgjedhor.
* * * * * *
“DnV”: Në disa vendvotime nuk kanë funksionuar llambat ultravjollcë
Rrjeti i organizatave qeveritare “Demokracia në Veprim”, në konferencën e parë për media, ka njoftuar se të gjitha qendrat e votimeve janë hapur me kohë, ndërsa janë shënuar probleme me llambat ultravioletë, të cilat në disa vendvotime është dashur të ndërrohen për shkak se nuk kanë funksionuar.
* * * * * *
Votoi Shpend Ahmeti
Në orën 09:30 në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë, ka votuar njëri prej themeluesve të partisë Fryma e Re, Shpend Ahmeti me bashkëshortën.
Pasi i ka ftuar qytetarët që të dalin në zgjedhje, Ahmeti ka thënë se prej këtyre zgjedhjeve presin ndryshime.
“Presim ndryshime, presim të kemi një skemë tjetër politike”, tha Ahmeti për të shtuar se është momenti i fundit të bëhen këto ndryshime.
* * * * * *
Votoi Blerim Shala
Në Prishtinë kanë votuar disa nga përfaqësuesit e lartë të partive politike. Në shkollën “Faik Konica” të Prishtinës ka votuar, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Shala.
Shala ka shprehur bindjen e tij se do të jetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ai që do të qeverisë Kosovën pas këtyre zgjedhjeve.
* * * * * *
Votoi Nexhat Daci
Në orën 10:30 Nexhat Daci votoi në shkollën fillore “Iliria” të Prishtinës. “Unë do të doja që sot të jetë referenca më e mirë për Evropën se qytetarët e Kosovës janë të gatshëm të jenë të lirë për udhëtime, të jenë të lirë për integrime, të mund të votojnë të lirë dhe të ndershëm dhe urime Kosovë të gjithëve”, tha Daci.
* * * * * *
Behgjet Pacolli voton
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Shkëndija” në Hajvali të Prishtinës.
* * * * * *
Votoi Hashim Thaçi
Pikërisht, siç ishte paraparë, në orën 09:30 edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi hodhi votën e tij në qendrën e votimin në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë.
Përkrah tij ishte edhe bashkëshortja e tij, zonja Thaçi. Duke i uruar të gjithë qytetarët për ditën e zgjedhjeve, Thaçi ka vlerësuar se këto janë zgjedhje të rëndësishme për faktin se po mbahen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Thaçi nuk la pa përmendur edhe premtimet e tij të fushatës parazgjedhore për integrimin e vendit në Evropë si dhe për liberalizim vizash.
Ai ftoi të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese që në mënyrë sa më masive të dalin dhe të votojnë.
* * * * * *
Mustafa: Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe demkracinë
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, zgjedhjet e sotme parlamentare i vlerësoi si shumë të rëndësishme për Kosovën dhe demkracinë. Pasi hodhi votën në qendrën e votimit në shkollën fillore “Emin Duraku”, Mustafa theksoi se dita e sotme është “shumë e rëndësishme për Kosovën, për zhvillmin e demokracisë dhe qeverisjes në Kosovë”. Kreu i LDK-së tha se beson “plotësisht në sovranin e qytetarit që do të zgjedhë më së miri që ai konsideron se është qeverisja më e drejtë dhe parlamenti më i drejtë në të ardhmen”. Mustafa uroi që zgjedhjet të jenë të sukseshme dhe beson se të gjithë do të jenë të kënaqur me rezultatet e këtyre zgjedhjeve në të ardhmen.
* * * * * *
Ukë Rugova: Këto janë zgjedhje të rëndësishme
Familja e ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova ka votuar rreth orës 09.00 në shkollën fillore “Iliria” në Prishtinë. Bartësi i listës “Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova i ka ftuar gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese dhe në mënyrë sa më masive të dalin dhe të votojnë, pasi siç ka thënë ai këto janë zgjedhje të rëndësishme për Kosovën.
* * * * * * *
Votoi Albin Kurti
Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Albin Kurti ka hedhur votën në prani të disa aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje!” në fakultetin juridik në ora 08:30.
Në një prononcim të shkurtër para medieve ai ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të dalin në votime duke i vlerësuar këto zgjedhje si zgjedhjet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës
Ai ka porositur qytetarët që të ndajnë vetëm një orë kohë gjatë ditës të marrin një laps me vete dhe të votojnë për ndryshimet në vend.
* * * * * * *
VETËVENDOSJE: Parregullsi në disa qendra votimi
Lëvizja VETËVENDOSJE! njofton se në Sharr, në fshatin Plajnik dhe Bresan fillimisht nuk e kanë lejuar të hyjë në qendër të votimit vëzhguesin e dytë të Lëvizjes edhe pse ishte i certifikuar nga KQZ. Pas insistimit për gati një orë vëzhguesit janë lejuar të hyjnë brenda. Në tri fshatra të Leposavicit (Bistricë, Koshtovë dhe Cerajë) lista përfundimtare e votuesve nuk ka pasur emrat e qytetarëve shqiptarë, por vetëm të qytetarëve serbë. E vetmja mundësi për qytetarë shqiptarë për të votuar është vota me kusht.
Në Plementin nuk është spërkatur gishti i disa votuesve. Zëdhënësi i fletëvotimit nuk i ka lënë të shkruajnë ankesën në librin e votimit. Edhe kontrollori i rreshtit nuk i kontrollon gishtat e votuesve me llampën ultraviolet. Edhe kanë ofruar një formular në gjuhën serbe që nuk e kupton vëzhguesi, njofton Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Në fshatin Dubovc, komuna e Vushtrrisë, në vendvotimin 2703B, vendvotimi 02, shkolla “Azem Bejta”, është mbyllur nga dy persona të cilët nuk i lejojnë vëzhguesit të hyjnë brenda, thuhet në njoftimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
* * * * * * *
Nisën votimet anembanë Kosovës
Në Kosovë janë hapur sot rreth orës 07:00 të mëngjesit kutitë e votimit, ato do të jenë në dispozicion të qytetarëve deri në ora 19:00. Qytetarët e Kosovës në votimet e sotme po votojnë për parlamentin e ri, i cili pason mandatin e deputetëve që tashmë kanë hyrë në histori me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Afro 13 kandidatë garojnë për një vend në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, pasi numri i deputetëve që zgjidhen drejtpërdrejtë me votë është 100, ndërsa 20 vende, me Kushtetutën e bazuar në Paketën Ahtisaari, janë të rezervuara e të garantuara për komunitetet pakicë, 10 për serbët, të cilët në garën zgjedhore kanë 8 subjekte dhe një iniciativë qytetare multietnike të udhëhequr prej tyre, dhe 10 për pakicat e tjera – boshnjake, turke, malazeze, ashkalie, gorane, egjiptiane, rome







