Luftanijet turke në Shqipëri, panik në Greqi
Mbërritja e luftanijeve moderne turke në Shqipëri me miratim paraprak të parlamentit ka ngjallur reaksione të ndryshme tek agjencitë fqinje të lajmeve. Këtë vizitë e ka pasqyruar edhe Radio Sofja, dhe ndonëse nuk ka pasur deklarata zyrtare diplomatike, duket se edhe diplomacia e vendeve fqinje është përfshirë nga ethet. Agjencia Bullgare e Lajmeve BTA duke iu referuar kësaj vizite ka deklaruar se mediet greke kanë thënë se manovrat detare turko-shqiptare shtojnë nevojën e rishikimit të konceptit për sigurinë kombëtare të Greqisë. Duke i referuar gjithnjë medieve bullgare mësojmë se ato kanë raportuar se kjo flotilje kishte parashikuar që të bënin së bashku me luftanijet izraelite një stërvitje të përbashkët, e cila ka dështuar pas sulmit izraelit mbi karvanin me ndihma në drejtim të Rripit të Gazës më 31 maj. Mediet bullgare shkruajnë se për këto manovra të planifikuara ishin bërë edhe konsultime përkatëse paraprake mes kryeadmiralit Taylan dhe Komandës së Përgjithshme Detare Izraelite. Mediet greke kanë deklaruar se mes turqve dhe shqiptarëve kanë filluar marrëveshje të përbashkëta për ndërtimin e bazave detare dhe ajrore. Sipas rrjetit SManalysis, në shkrimin e Stavros Markos thuhet se “Kooperimi shqiptaro-turk për një bazë detare është kërcënim i ri gjeopolitik”. Rrjeti grek akuzon se turqit po ndërtojnë një bazë detare afër Vlorës si dhe bazën ajrore të aviacionit në Kuçovë. Por burimet diplomatike greke deklarojnë se “Turqia ende nuk është shteti mik për të garantuar sovranitetin e Shqipërisë dhe pas kërkesës së BE-së, Tirana vendosi që të caktojë Italinë si avokaten e saj për të mbrojtur Shqipërinë”. Greqia është i vetmi vend i NATO-s që nuk ka hequr Ligjin e Luftës ndaj Shqipërisë.
Vizita e grupit të Task Forcës turke në ujërat tona tregon se Turqia po merr përsipër detyra të reja në ujërat strategjike të Mesdheut.
U deklarua se “vizita e anijeve turke bëhet në kuadër të bashkëpunimit dypalësh midis flotës shqiptare dhe asaj turke dhe kjo është një vizitë njohëse nga ana e flotës turke. Janë 5 anije të Flotës Detare Turke që ndodhen në portet shqiptare, 3 nga të cilat ndodhen në portin e Durrësit dhe 2 në portin e Vlorës. Ato janë të tipit fregatë.
Po në këtë mision të ri bashkëpunimi, portet shqiptare pritet të kenë rol parësor në rajonin ballkanik. Për këtë u shpreh edhe kryeadmirali Taylan i cili theksoi në konferencën për shtyp: “Shprehim bindjen e thellë që marrëdhëniet shumë të mira që kemi aktualisht do të shërbejnë për rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen. Jam i sigurt që marrëdhëniet tona do të thellohen më shumë”, ka deklaruar Taylan. Ndërkohë, komunikata për shtyp e Ministrisë së Mbrojtjes thekson: “Kryeadmirali Taylan duke e vlerësuar vizitën në ujërat e vendit tonë të anijeve që ai drejton si shembull të mirë bashkëpunimi të dy vendeve të së njëjtës familje, dha mbështetjen e vendit që ai përfaqëson për vazhdimësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe ushtrive tona”.
Konjak “Skënderbeg” dhe shqiponjë 2-krerëshe për turqit
Turqit veçse në Bashkinë e Durrësit janë pritur edhe në prefekture nga prefekti Genc Alizoti dhe stafi i tij. ty u bë një shkëmbim dhuratash simbolike. Ushtarakut të lartë turk iu dhurua një shqiponjë 2-krerëshe në skulpturë, flamuri kombëtar shqiptar, si dhe një shishe konjak “Skënderbeg”, prodhim i biznesit durrsak. Në orët e pasdites u dha edhe një konferencë për shtyp nga flota mike. Taylan praninë e luftanijeve turke në Adriatik dhe Jon e argumentoi me synimet e përbashkëta për rritjen e sigurisë nëpër dete.
“Turqia është e angazhuar maksimalisht”, tha ai, për rritjen e mëtejshme të sigurisë në detin Mesdhe dhe në Detin e Zi. Pjesë e kësaj strategjie është edhe vizita në Durrës”.
Nga konferenca u mësua se njësia e ardhur në ujërat tona, së bashku me të tjerat ka kryer operacione të vështira në oqeanin indian duke siguruar dy-tre vite më parë rrugët e lundrimit të anijeve tregtare kundër piratëve somalezë. Vlera e një fregate të tillë si “Kemalreis”, “Giresun” apo “Akar” llogaritet në 500- 600 milionë dollarë. Ato anije janë të klasit “Barbados” dhe “Yavuz”. Në bord kanë armë të sofistikuara si raketa të tipave “Hellfire 2”, “Penguin” dhe silura kundër nëndetëseve të llojit “Torpedo”.