LSDM:Pushteti po shkel kodin zgjedhor
Për çdo ditë, gur themele të reja, prerje shiritash dhe konkurse të reja pune, në shërbim të propagandës parazgjedhore. Sipas LSDM-së, Qeveria po merr ditë shtesë duke zgjatur fushatën parazgjedhore. “Shkelja është theksuar më së shumti në aspektin e punësimit… kjo është shkelje ligji. Jashtë kësaj kemi edhe hedhjen e gurthemeleve që e shohim çdo ditë, prerje shiritash përurues, që në këtë moment nuk janë shkelje, pasi do të konsiderohen si të tilla pas 3 marsit, për shkak të afateve që janë parashikuar në Kodin Zgjedhor. Mirëpo këto janë mënyra të thjeshta për vetë reklamim”, deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së
“Ju bëjmë thirrje publikisht të gjithë qytetarëve të ndershëm që janë të interesuar për zhvillim të një procesi zgjedhor demokratik, të gjejnë prova në çfarëdo mënyre që do të dëshmojnë shkeljet e ligjeve nga kodi zgjedhor. E gjithë kjo me qëllim që ata persona që bëjnë shkelje, ose janë respektues apo mos respektues të ndonjë urdhri nga ndonjë qendër fuqie, të ndeshen me pasojat ligjore”, tha Shilegov.
Ndërkohë Alsat M u mundua të kontaktojë edhe me përfaqësues të partisë në Qeveri, mirëpo përpjekja ishte e pasuksesshme. Sot janë fshirë nga uebfaqja e Agjencisë për Administratë, të gjitha konkurset për punësimin e nëpunësve shtetërorë, të cilat ekzistonin deri dje. Në nenin 8 të Kodit Zgjedhor shkruan se shkeljet sanksionohen me burg. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor parashikojnë ndalesë për prerje shiritash dhe vënie gurthemelesh të ndërtimeve me para të buxhetit në periudhën parazgjedhore. Gjithashtu të ndaluara janë edhe rritjet e jashtëzakonshme të subvencioneve, rrogave, pensioneve, ndihmave sociale, si dhe hapjet e konkurseve për punë në administratë shtetërore.