LSDM kërkon shkarkime në Qeveri dhe MPB
LSDM kërkoi shkarkimin urgjent të kreut të MPB-së si dhe Drejtorit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman për ngjarjet në Kalanë e Shkupit.
“Së pari kërkojmë menjëherë të shkarkohet ministrja dhe zëvendësministri të Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe Xhevat Buçi, sepse ministrja edhe njëherë tregoi se nuk e kryen punën e saj dhe nuk ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për të ndaluar incidentin e sotëm. Ndërsa zëvendësministri Buçi ishte pjesëmarrës direkt në ngjarjet e rrënimit të kishës si dhe në incidentin e sotëm” theksoi zëdhënësi i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Emilijan Stankoviq, duke dënuar ashpër dhunën dhe incidentet në Kalanë e Shkupit. Ai kërkoi që menjëherë të shkarkohet edhe Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha veprimet e ndërmarra. “Gjithashtu kërkojmë që kryeministri dhe Qeveria patjetër menjëherë duhet të vendosin moratorium për ndërtimin e të gjitha objekteve që shkaktojnë tensione ndëretnike dhe padurueshmëri fetare, dhe që ndërtohen me mjetet e buxhetit”, theksoi LSDM.
Kjo parti vlerëson se në rast se kryeministri Gruevski nuk bën ndryshimet e kërkuara, atëherë siç thuhet “ai vërteton se me vetëdije krijon tensione ndëretnike, për të shmangur vëmendjen nga shkretëtira ekonomike”.