LSDM-ja sot ka hapur një temë për të cilën sipas tyre tanimë dy vite po pëshpëritet në opinion. Kjo sipas partisë së Cërvenkovskit ka të bëj me malverzimet e mëdha financiare  që janë bërë gjatë blerjes dhe rinovimit të më tepër ambasadave maqedonase. Lidhur me këtë LSDM-ja i bën thirrje kryeministrit dhe ministrit të jashtëm që të japin sqarim për opinionin, në të kundërtën paralajmëruan se këtë çështje do ta shtrojnë në procedurë parlamentare përmes pyetjeve të deputetëve.“Qeveria në vitin 2007  ka sjellë vendim për ndarjen e 40 milion euro nga buxheti i Republikës së Maqedonisë për blerjen apo rinovimin e 24 objekteve për nevojat e përfaqësive diplomatike maqedonase. Funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së kanë parashikuar përfitime të majme nga ky projekt dhe kanë  përgatitur skenar identik për vjedhjen e të hollave të qytetarëve gjatë blerjes së ambasadave. I bëjmë thirrje kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Milloshoski si më përgjegjës për këtë mega skandal që të thonë se a është ky një skenarë i mirë përgatitur për mbushjen e xhepave me para e qytetarëve”, deklaroi Gordan Georgiev, nënkryetar i LSDM-së.