Londër, konservatorët dhe liberaldemokratët do të negociojnë për koalicion
Kryetari i Partisë Konservatore, David CameronPas zgjedhjeve parlamentare në Britaninë e Madhe konservatorët dhe liberaldemokratët kanë rënë dakord për bisedime për të parë mundësitë e formimit të një koalicioni qeveritar. Të dy kryetarët e partive, David Cameron dhe Nick Clegg kanë telefonuar me njëri-tjetrin dhe janë pajtuar që negociatorët e të dy palëve të përpilojnë propozimet për reformat ekonomike dhe politike. Në zgjedhjet parlamentare të së enjtes konservatorët fituan më shumë vende në Dhomën e Ulët të parlamentit, por votat e tyre nuk janë të mjaftueshme për të fituar shumicën absolute në parlament. Kreu i partisë së tretë më të madhe në Britani asaj Liberaldemokrate, Nick Clegg, deklaroi se konservatorët kishin të drejtën të kërkonin të qeverisin të parët. “Unë e kam thënë gjithashtu se cilado parti që merr shumicën e votave dhe më shumë vende në parlament edhe në qoftë se nuk e ka shumicën absolute ka të drejtë e para për të kërkuar për të qeverisur… Dhe unë qëndroj pas kësaj pikëpamjeje.” Sipas një numërimi të BBC, konservatorët arrijnë të sigurojnë 306 vende në parlament, të ndjekur nga laburistët me 262 vende dhe liberaldemokratët me 55. Kështu për herë të parë në Britaninë e Madhe do të krijohej një qeveri koalicioni, ose qeveri e pakicës. /dw/