Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!“ përshëndet vendimin e drejtë të gjykatës së apelit në Shkup për rigjykimin e tërësishëm të rastit të Sopotit dhe lirimin e Zenel Klaiqit si dhe 6 Sopotasve të tjerë të arratisur që ju mundëson atyre t’i bashkangjiten 4 të liruarve të tjerë me herët nga gjykata e Kumanovës dhe t’i kthehen familjeve të tyre.

ZGJOHU! konsideron që përpjekjet e përbashkëta të partive politike, mediave dhe shoqërisë civile garantojnë sukses dhe ngadhnjim të drejtësisë në rastet e diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Apelojmë që ky mobilizim të realizohet edhe për mbylljen e dosieve të kthyera në gjykatat e politizuara vendore nga ana e Tribunalit të Hagës për gjoja krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe të parandalojmë manipulimin dhe keqpërdorimin e këtyre dosieve për hakmarrje politike ndaj ish pjesëtarëve të UÇKsë.Lëvizja ZGJOHU! gjithashtu shpreh mirënjohje ndaj përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, në veçanti, ish Ambasadorit të NATO-s, z. Niek Biegman, për angazhimin e tyre në zbardhjen e të vërtetës për pafajësinë e Sopotasve.

Lëvizja Qytetare ZGJOHU! rikujton që këto vendime të gjykatave në Kumanovë dhe Shkup nuk e mbyllin përfundimisht rastin e Sopotit, por mundësojnë rigjykim dhe beteja jonë duhet të vazhdojë deri në shpalljen e pafajësisë për të akuzuarit nga fshati Sopotit që 7 vite qëndruan të pafajshëm në burg dhe ky rast shërben si prova më relevante e situatë alarmante në gjykatat që arsyeton akoma më shumë mosbesimin në funksionimin e drejtë dhe të paanshëm të gjyqësorit.

Me respekt,
Lëvizja Qytetare ZGJOHU!
www.zgjohu.com.mk
info@zgjohu.com.mk
Tel.Fax: 02/ 2636 240
Rruga Bitpazarska 127
Çarshia e Vjetër
1000 Shkup
                                         

17 shtator 2010