VETËM QEVERIA E KOSOVËS “HARRON” SE KOSOVA ËSHTË E PAVARUR!

Qeveria e Kosovës, përmes zëdhënësit të saj, z. Memli Krasniqi, dje u prononcua kundër kërkesës së Lëvizjes për Bashkim që prefiksi serb i telefonisë fikse +381 të zëvendësohet me prefiksin shqiptar +355.

Me këtë rast z. Krasniqi deklaroi se ia kujton Lëvizjes për Bashkim se Kosova është shtet i pavarur dhe se Kosova duhet ta ketë kodin e vet telefonik!

Është kjo gjuha e zakonshme e kësaj qeverie të Kosovës: sapo dikush ta prekë në interesat e saj dhe në interesat e njerëzve të saj, së pari i fyen ata, e pastaj përpiqet të japë sqarim për çështjen në fjalë!

Le të mbetet kjo në kulturën e saj!

Ne do ta shohim nga afër vetëm sqarimin e Qeverisë në lidhje me kodin telefonik.

Zëdhënësi i Qeverisë deklaron se meqenëse Kosova është shtet i pavarur, ajo duhet ta ketë kodin e vet telefonik. Kjo nuk është e domosdoshme. Shumë shtete në botë nuk kanë fare kod të vetin, por e shfrytëzojnë kodin e përbashkët me fqinjët e vet. Këtë ata e bëjnë pa diskutim për shkak të leverdisë ekonomike të shteteve dhe për shkak të leverdisë që kanë qytetarët e të dy shteteve që e shfrytëzojnë të njëjtin kod. Shembull tipik për këtë janë SHBA-të e Kanadaja, të cilat shtete e shfrytëzojnë kodin e përbashkët (+1). Dhe kjo akoma është vetëm njëra anë e çështjes. Derisa “Kosova ta ketë kodin e vet” është një procedurë mjaft e gjatë dhe me shumë pikëpyetje, ndërsa në ndërkohë Kosova sipas Qeverisë së Kosovës duhet të vazhdojë t’i shfrytëzojë kodet e huaja dhe në këtë kuadër edhe atë serb, e jo atë të Republikës së Shqipërisë! Kjo përveçqë është e dëmshme politikisht (ruajtja e lidhjeve me Serbinë dhe mosvendosja e lidhjeve me Republikën e Shqipërisë!), do të vazhdojë që Kosovës t’i sjellë humbje prej disa dhjetëra miliona eurosh në vit! Mirëpo, kur të kihet parasysh se për t’i ruajtur këto lidhje më Serbinë, me Monakon e me Slloveninë duhen tenderë e kontrata, dhe ato milionëshe, në situatën e vazhdueshme korruptive në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të mos dyshosh se korrupsioni është faktori vendimtar që nuk e lë Qeverinë e Kosovës t’i shkëpusë lidhjet me Serbinë dhe t’i vendosë ato lidhje me Republikën e Shqipërisë!

Pra, askush më shumë se Qeveria e Kosovës nuk po harron se Kosova është e pavarur!

Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se pas shpalljes së pavarësisë një shtet duhet të bëhet sovran dhe të vendosë vetë për fatin e vet!

Qeveria e Kosovës po “harron” se pas shpalljes së pavarësisë një shtet duhet doemos t’i dijë kufijtë e vet dhe t’i kontrollojë ata!

Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe është shkëputur pikërisht nga Serbia dhe shkëputja nga e kaluara e hidhur edhe përmes telefonisë është në favor të përforcimit të pavarësisë!

Qeveria e Kosovës po ‘harron” se vendosja e çdo lidhjeje me Shqipërinë do të thotë luftë padrejtësive shekullore që i janë bërë popullit shqiptar në të kaluarën!

Prishtinë, 15.6.2010 LËVIZJA PËR BASHKIM