Shpëtim POLLOZHANI

Ligji për hapjen e dosjeve të ish të burgosurve dhe të persekutuarve politikë në Maqedoni ishte ndërtuar si një kullë prej kartoni. Ky ligj u soll sa për ti hedhur pluhur syve të faktorit ndërkombëtar se gjoja Maqedonia po bën hapa drejt demokratizimit të shoqërisë. Mbi një vit u debatua, të sillet ose të mos sillet ky ligj. Kishte obstruksione nga ish funksionarë te sistemit komunist, të cilët ishin në pushtet edhe në të ashtuquajturën “Maqedoni demokratike”. Në këtë “Maqedoni demokratike” ndodhi masakra e Gostivarit, e Bit Pazarit, masakra e familjes Zymberi nga Kumanova…
Vasil Tupurkofski ishe kryetar i Lidhjes Komuniste të Rinisë Socialiste të ish Jugosllavisë komuniste. Turpurkovski ishte edhe anëtar i Komitetit Qendror të partisë Komuniste te Jugosllavisë. Ky person në “Maqedoninë demokratike” ishte person me forcë të madhe politike. Po i njëjti, ishte edhe anëtar i komisionit të ligjeve dhe gjatë kohë bllokoi sjelljen e ligjit për Lustrim. Edhe ligji për hapjen e dosjeve që u miratua nga Parlamenti e Maqedonisë në vitin 2000, ishte formal, defektoz dhe jo serioz. Ja vetëm një detaj: Te gjithë personat që i merrnin dosjet vërenin se emrat e kodoshëve ishin të fshirë me tush të zi. Fleta e fshirë ishte fotokopjuar dhe ishte fshirë edhe një herë, mandej si kopje e kopjes i dorëzohej ish të persekutuarit. Këtu qëndron hileja e ligjit për hapjen e dosjeve. Sikur dosjet tu dorëzoheshin ish të persekutuarve të pa përpunuara dhe të pa selektuara nuk do ta kishin këtë kaos që e kemi sot në lidhje me dosjet.
OZNA(Opshta Zashtita Naroda-Mbrojtje e Përgjithshme Popullore ), KOS-i (Kontra Obaveshtajna Slluzhba-Shërbimi për Kundër zbulim) dhe Sigurimi i Shtetit-UDB, pas Plenumit të Katërt të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në vitin 1966, u nda në disa sektorë. Sot Sigurimi i Shtetit të Maqedonisë ka gjashtë sektorë. Sigurimi i shtetit Serb quhet BIA dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë është z. Ivica Daçiç, i cili ishte zëdhënës në qeverinë e Millosheviqit. Këtu mund të kapet fija e lëmshit.
Themeluesit e shërbimeve sekrete në Maqedoni që nga viti 1945 ende janë gjallë dhe aktiv. Babai i Maqedonisë të pavarur, i cili më shumë i ngjanë Polifemit të Homerit sesa një babai, sot edhe pse i ka kaluar të 90-tat është i shëndoshë si thanë. Gligorovi në vitin 1945 u ngarkua me detyrën të ndërtojë shërbimet sekrete të Maqedonise. Ai shkollën e mesme e kreu në Kragujevc dhe gjithë jetën veproi në Beograd si funksionar i lartë federativ. Gligorovi vepronte nën pseudonimin “Korbi”. Djali i tij sot është anëtar i oligarkisë maqedonase. Koço Bitoljanu ka qenë kryetari i parë i qytetit të Shkupit. Pas vitit 1945, ishte dora e djathtë e Gligorovit në ndërtimin e shërbimeve sekrete dhe në ndërtimin e rrjetave të bashkëpunëtorëve. Theks i veçantë në ndërtimin e këtyre rrjeteve u është vënë zonave të banuara me shqiptarë, në veçanti në Kosovë dhe përgjatë kufirit me Shqipërinë. Struga dhe Dibra kanë qenë një ndër tetë pikat më të rëndësishme gjeostrategjike të shërbimeve civile dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë(sipas Enciklopedisë të Armatës të ish-Jugosllavisë). Se si shërbimet sekrete OZNA, KOS, UDB dhe DB e organizonin rrjetin e vet të kodoshëve shih në internet adresën ëëë.necenzurirano.com. Koço Bitoljanu, të cilin e mbajnë mend shumë familje të persekutuarve politik shqiptar, ka një pasardhës i cili quhet Vanja Bitoljanu dhe është në majat e financiare të politikës në Maqedoni. Lençe Sofronieska, e cila qarkullon në institucionet më të larta të Maqedonisë, është e bija e Arizan Nestoroskit-Marçe, i cili mori pjesë në likuidimin e të dy Mefailëve nga Kërçova në vitin 1945-46. Marçe ishte një ndër udbashët e parë të Maqedonisë. Dimitar Mitrev, prokuror publik në ish-sistemin komunist është babai i Ilinka Mitrevës, politikane aktive dhe ish-ministre e jashtme në “Maqedoninë demokratike”. Boro Kitanoski, një ish-UDB-ash, që shumë mire e njohin ish të burgosurit politikë të ish sistemit komunist është baba i Llazar Kitanoskit. Llazar Kitanoski ka qenë drejtor i shërbimeve sekrete pas viteve 1990. Boris Kondarko, sot përfaqësues i lartë i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë është djali i një oficeri të lartë të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë. Gjatë një votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1996, delegacioni i Maqedonisë i kryesuar nga Boris Kondarko abstenoi gjatë votimit për dënimin e krimeve të komunizmit në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Martin Treneski, ministër në një nga qeveritë “demokratike” është djali i një funksionari të lartë të UDB-së në ish-Jugosllavi. Kiro Miloski prokurori i lartë në ish-Jugosllavi, është babai i ministrit Jane Miloski, i njohur si ministri me fjongo. Si prokuror në ish-Jugosllavi Kiro Miloski kishte për detyrë të mbrojë shtetin në lidhje me kolektivizimin dhe nacionalizimin e pronave private të qytetarëve të ish-Jugosllavisë pas vitit 1945. Çfarë ironie e jetës! Ministri i “Maqedonisë demokratike” kishte për detyrë të hartojë ligjin për denacionalizim të pronave private. Biri duhej të kthejë atë që e mori i ati. Kjo është arsyeja përse ligji për denacionalizim të pronave të kolektivizuara sendërtohet me vështirësi. Vllado Kambovski ka qenë ministri i drejtësisë në ish-Jugosllavi. Pas vitit 1990, Vllado Kambovski ishte ministër edhe në “Maqedoninë demokratike”. Sot Vllado Kambovski është profesor i rregullt në disa universitete të vendit dhe “edukon rininë për demokraci”. Savo Klimoski ka qene ministër i arsimit në ish-Jugosllavi. Autor i paraleleve të përziera në vitet 1980-90. Këto paralele formoheshin me tridhjetë nxënës shqiptar dhe pesë maqedonas. Profesorët shqiptar në këto paralele duhej të ligjëronin në gjuhën maqedonase. Po në këtë periudhë, pas vitit 1981 nxënëseve shqiptar u imponohej maqedonishtja që nga klasa e parë, e njëjta gjë po ndodh edhe në ditët e sotme, nëpërmjet të Strategjisë të mësimit të integruar. Me siguri Klimovski është në ndonjë komision të Ministrisë së Arsimit. Në këtë ekip anti-shqiptar janë edhe Dragolub Shkariq, Gjorgje Marjanoviq dhe shumë si këto biçimë, prandaj neve na përsëriten ngjarjet. Ne harrojmë, kurse maqedonasit veprojnë.
Emrat e lartpërmendur janë vetëm maja e Ajsbergut. Qëllimi i këtij shkrimi është ta freskoj memorien kolektive të popullit shqiptar në Maqedoni, se pothuajse të gjithë kapitalin dhe jetën shoqërore dhe politike në vend e kontrollojnë fëmijët e fidanishtes të shkollës të Kumrovecit(Kumroveci është vendlindja e J. B. Tito dhe aty kishte një shkollë për edukimin e kuadrove komuniste). Ato të cilët merrnin diplomën e kësaj shkolle, pasi kishin fituar besueshmërinë e sistemit komunist, u hapej rruga për të bërë karrierë, me përjashtime të vogla. Unë këtu dhashë vetëm disa emra, por janë edhe qindra të tjerë që kanë poste të rëndësishme në vend dhe janë fëmijë të ish-udbashëve që nuk i përmenda në këtë shkrim. Fëmijët e fidanishtes të Kumrovecit kontrollojnë jetën ekonomike dhe politike edhe të maqedonasve, dhe të mos bëjmë fjalë të neve shqiptarëve.
Në të gjithë këtë rrëmujë hyn në lojë edhe Beogradi. Maqedonasit tremben nga hapja e dosjeve të Beogradit, pasi dosjet e rëndësishme këtu në Maqedoni janë zhdukur. Vetë Lupço Georgievski ish-kryeministër i Maqedonisë ka deklaruar se nga tre ministra të tij të punëve të brendshme ka kërkuar ti gjurmojnë dosjet. Të tre i kanë deklaruar se dosjet janë zhdukur. Edhe Stojan Andov, propozues i Ligjit për Lustrim disa herë pati deklaruar: Edhe në rast se Beogradi nuk na i jep dosjet, kopje të secilës dosje ka edhe në Maqedoni, bile këtu ka nga 3 dosje. Nga një në arkivin e shtetit, një kopje kanë shërbimet sekrete dhe një kopje ka Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni. Tani edhe ai e ndërroi pllakën. Ai thotë se në Maqedoni nuk ka kopje të dosjeve, dhe do bëjë mirë Beogradi në rast se na i jep me marrëveshjen e sukcesionit.
Le të mos na gënjejë mendja ne shqiptarët se maqedonasit ndonjëherë do të sjellin ligj të mirëfilltë për lustrim dhe do t’i hapin dosjet e vërteta. Si është e mundur fëmijët ti zbulojnë dhe ti dënojnë krimet e baballarëve të vet! Si është e mundur ta dënojnë dhe ta diskreditojnë një sistem, që i shpalli komb dhe u dha shtet.
Derisa ne shuajmë zjarrin që të tjerët na e ndezin në oborrin tonë, maqedonasit vazhdojnë punën e tyre për kasaphanën që quhet regjistrimi i vitit 2011. Edhe pse në vitin 2008 edhe ODIHR dhe OSBE deklaruan se në Maqedoni ka mbi 250.000 vota fiktive, askush nuk punon për të ndërtuar një regjistër qendror ku automatikisht do të shlyhej emri që përsëritet ose të vdekurit. Ne nuk kemi nevojë që maqedonasit të na lustrojnë dhe të na japin dosjet. Mjafton të rrotullohemi një here rreth vendit dhe do ti shohim kodoshët. Ne i dimë dhe i shohim, por shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i shohim!