LDK, zgjidhet kryesia e re me në krye Isa Mustafën
Zgjidhet kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në krye me kryetarin e sapozgjedhur Isa Mustafa. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie të mbajtur gjatë ditës, nënkryetar janë zgjedhur Sabri Hamiti, Teuta Sahatçiu dhe Haki Rugova, ndërsa sekretar partie është zgjedhur Ismet Beqiri.
Kryetari, Isa Mustafa tha se përbërja e re e kryesisë do të caktoj edhe listën e kandidatëve për deputet me të cilët LDK do të garoj në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne jemi marr vesh tani që kryesia të ulet dhe ti analizoj të gjitha këto propozime dhe pastaj me një listë të plotë prej 110 deputetëve të vijmë nesër para Këshillit të Përgjithshëm dhe të aprovojmë këtë listë”, u shpreh Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së.
Mustafa ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim joformal me Ukë Rugovën, udhëheqës i listës “Ibrahim Rugova”, mirëpo, sipas tij, nuk është diskutuar ende për ndonjë bashkëpunim apo koalicion në mes tyre.
“Unë kam pasur një takim më tepër joformal me Ukë Rugovën, kemi biseduar lidhur me modalitetet e bashkëpunimit. Nuk jemi marr vesh akoma sepse për të gjitha këto ne duhet të hapim debatin edhe në organet e LDK, në kryesi dhe organe tjera”, tha Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së
Kryesia e re e LDK-së, është e përbërë kryesisht nga anëtarë të ri të cilët nuk kanë qenë pjesë e saj në të kaluarën. Ndër personalitetet të cilët nuk kanë pasur fatin të marrin një mandat të dytë si nënkryetar të parë të kësaj partie, janë edhe ish nënkryetari Eqrem Kryeziu, Lutfi Haziri dhe disa të tjerë. Shkëlzen Osmani