LDK-ja braktisi koalicionin me PDK-në
Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi para pak çastesh se e braktisë koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës.
Vendimin për shkurorëzimin e ka marrë Kryesia e Lidhja Demokratike Të Kosovës. Në njoftimin për media thuhet: “Kryesia e LDK-së, në mbledhjen e mbajtur më 16.10.2010, duke analizuar thellë zhvillimet e fundit në Kosovë, merr vendim që nga dita e hënë, 18 tetor 2010, LDK tërhiqet nga Koalicioni qeverisës, përkatësisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Me këtë të gjithë përfaqësuesit e LDK-së në qeveri: zv/Kryeministri, ministrat dhe zv/ministrat, përfundimisht në ditën e hënë bëjnë dorëzimin e detyrave nga postet që kanë pasur”
Në fund të këtij njoftimi të Kryesisë së kësaj partie shtohet se “LDK mbetet e përkushtuar të jetë kontribuese e fuqishme në të gjitha proceset e rëndësishme demokratike e shtetërore në interes të vendit dhe gjithë qytetarëve të tij”.
Prishjen e këtij koalicioni nga LDK-ja, gazetarit të Kohës Ditore ia konfirmoi para pak çastesh edhe zëvendëskryeministri nga radhët e Partisë demokratike të Kosovës. (KD/INA)