bedri_islamiNë të gjithë këto ditë, njerëzit nga do që janë, edhe mijëra kilometra larg, po zgjohen dhe po bien të flenë me një emër të vetëm:Lazarat. Fshati i njohur për kultivimin e mariuanës, e cila në tregun hollandez kuotohet në vlerat më të larta, tashmë është tjetërsoj në vëmendjen e njerëzve: jo vetëm për atë çfarë po ndodh atje, por edhe për ne të tjerët, të cilët, edhe pas qenë kurrë në Lazarat, e

kemi atë brenda nesh. Unë nuk futem në ato njerëz që mendoj se mund të jetë i lirë kultivimi i kësaj bime milionëshe. Mendoj se kjo është një gjë që duhet zgjidhur përmes strukturave e vendimeve të veçanta, rreptësisht të kontrolluara, të studiuara në perspektivë dhe jo të çastit. Mendimi se “duhet lejuar” , tani që plasi në Lazarat, më duket i nxituar, megjithëse shumë miq të mi, prej shumë kohe, me seriozitet e kanë ngritur këtë gjë, edhe në gazetën DITA. Kjo i bën nder gazetës, sepse , në fund të fundit, ajo ka qenë para shtetit, para strukturave të tij, dhe nëse gjithçka do të kishte qenë më serioze, jo nga kjo qeveri që është, por nga të gjitha hallkat në vite, sot nuk do të kishim pasur një çështje me emrin Lazarat.

Nuk kam qenë asnjëherë në atë fshat. Ka disa dekada, që për fat të keq nuk kam qenë as në Gjirokastër. Si të gjithë e kam njohur përmes mediave, dhe nëse në përfytyrimin e çdo kujt, Lazarati njësohet me kryetarin e komunës, atëherë gjithçka do të ishte e mbrapshtë. Më shumë se gjithçka tjetër ai është përfytyrimi i shefit të një bande mafioze, që vërtet nuk mbjell, nuk prashit, nuk ujit, nuk korr dhe paketon bimën miliona euroshe; por mbjell rrëmujën, prashit në arat e fitimeve të të tjerëve, korr pjesën e tij dhe , kur i jepet rasti të bëhet person publik, atëherë hapur u del në mbrojtje atyre që i ka nën sinorin e tij. Por nuk dua të besoj se Lazarati është shefi komunar i fshatit. Ai është njëri prej atyre që të bëjnë gjëmën nën buzëqeshjen e mbrapshtë. Sa të tillë kemi në Shqipëri? Me qindra. Ata kanë nën mbrojtjen e tyre rrufjanët e komunës apo të bashkisë, lidhen dhe zgjidhen me njëri tjetrin; përfitojnë prej tenderëve që u japin, duke pasur të sigurt një minimum prej 10 për qind, si normë e detyrueshme; ata nxjerrin në pazar vlerat e shtetit, dhe nëse kjo nuk quhet mariuanë, atëherë quhet rrugë, shkollë, kanal, ilaçe, vepër arti, urë, etj. Por ky “lazaratizim” i ekonomisë shkon edhe më tej: shefi i bashkisë apo i komunës dhe të dorëzojë edhe ai pjesën e tij, ose tek dikasteri që i ka përcaktuar tenderin, ose te shefi i partisë, ose tek një deputet që është bërë fjalë mirë. Shikoni me kujdes pasuritë e komunarëve shefa ose “zotërve” të bashkisë dhe të shefave të partive në zonat e tyre. Për një mandat qeverisës ata janë rritur përgjithësisht me dhjetëra herë; nga rrobat e fshatit kanë kaluar tek kostumet firmato; nga ushqimi shpejt e shpejt në këmbë kanë kaluar në restorantet private; nga makinat e vjetra ,gjithë zhurmë, tani kanë fjalën e fundit të teknikës; fëmijët nga shkolla publike e fshatit janë në ato private e mundësisht jashtë shtetit. Gjithçka ka ndryshuar. Ata nuk e kanë në dorë mbjelljen dhe kultivimin e mariuanës, nëse do e kishin, shumë prej tyre do të ishin pjesë e gëzueshme e tyre; si duket është bërë tashmë parcelizimi i vendit. Një lexues i vëmendshëm mund të ketë vënë re se, në të gjithë këto ditë, kur policia e shtetit po përballet me krimin në Lazarat, asnjë shef bashkie apo komune, publikisht, nuk e mbështeti atë. Dhe shumë prej tyre nuk e bëjnë këtë, sepse e kanë “lazaratin” brenda vetes.

Shefi de fakto i opozitës, Berisha, nuk është vizioni ndryshe për shtetin. Por është edhe më i përbindshëm se të tjerët. Në pak ditë, duke i ngjarë shembullit të komunarëve që në vendin e tyre janë pjesë e së keqes, ai dëshmohet se është e keqja vetë. Në se diçka e rëndë mund të ndodhë në Lazarat, atëherë fajtori themelor është ai, Berisha. Në çdo vend të botës thirrjet e tij haluçionante të këtyre ditëve , do të ishin rreptësisht të dënueshme. Të duket, dhe është ashtu, sikur zemërprishur, po i jep zemër krimit. Edhe më tej se kaq: po e egërson atë, duke qenë vetë nxitësi i akteve kriminale, të cilat, pas thirrjeve të tij, mund të shkojnë edhe më tej se kaq. Në Shkodër shpesh thonë se “më i keq është gërgasi, se sa dorasi”. Dhe njeriu që po e nxit një bandë , sepse nuk është asgjë tjetër veçse një bandë, të qëndrojë me armë kundër policisë së shtetit, është pikërisht Berisha dhe një klikë e lidhur me të, po ashtu përmes krimit.

 

Pohimi delikat i Berishës

Nuk mund ta fajësoj deri në fund Ristanin apo një farë Muli, sepse ata, aq mend kanë, dhe aq shumë të zhytur janë tek bashkë-krimet me Berishën, sa që nuk guxojnë të dalin ashtë vorbullës, por edhe zërat e mençur brenda PD-së kanë heshtur. Dhe bëhen kështu pjesë e fajit të shefit të tyre, e njëkohësisht bëhen edhe pjesë e krimit. Një prokurori normale duhet të nisë hetimin jo në Lazarat, por tek Kulla e ngujimit të një prishësi të madh, Berisha. Aty janë fijet e asaj që po ndodh në fshatin jugor, aty është dhe zanafilla, edhe e tashmja, edhe vazhdimi. Në se prokuroria nuk ndalohet fillimisht aty, asgjë nuk mund të bëjë më shumë se sa procedime të zakonshme, që në një cikël kohor mund të përsëriten. Në mos aty, diku tjetër.

Berisha fajësoi fillimisht policinë se ishte e tradhtuar nga shefat e saj, pasi operacioni ishte i dekonspiruar, dhe se shefat e qeverisë dhe të punëve të brendshëm, nuk ishin asgjë tjetër veçse kapobandat e këtij vendi. Këlyshët politikë rreth tij shkuan edhe më tej: ata e “zbuluan” se operacioni nuk ishte asgjë tjetër, veçse ndryshimi i trasesë së sferave të influencës. Në të dy rastet e deklarimeve të para pëdëiste, ishte njëlloj sikur t’i thuhej njerëzve në Lazarat: qëndroni forcërisht, kjo që po ndodh me ju është një barbari për të zaptuar tregun, e kjo do të thotë se ju duhet të mbroni tregun tuaj. Atë treg që ju a lejuam për tetë vite dhe që na bëri këto që jemi: të pasur dhe të përmjerur. Thirrjet e Berishës nxitën rezistencën e armatosur. Nga ana tjetër, thirrja e tij delirante u thoshte policëve se, në se humbni jetën, mos mendoni se e humbni atë për një vepër të denjë. Në të kundërtën, ju jeni të tradhtuar, ju edhe mund të ju vrasin,por gjaku juaj do të shkojë dëm, sepse jeni pre e kapobandave të shtetit. Asnjëherë, një ish shef qeverie dhe ish president, nuk mund të bëjë një thirrje të tillë kaq flakë vënëse, kur sapo ka filluar një operacion, i cili, pavarësisht mendimit pro apo kundër kultivimit të mariuanës, është në të drejtën e tij, sepse edhe ai fshat është pjesë e këtij shteti. Synimi i Berishës që Lazarati të jetë si një republikë në vete, brenda shtetit, i ngjan synimit serb për krijimin e një republike serbcka kudo në Kosovë, përmes së cilave, ashtu si edhe më deri tani, të ftillojë krimi dhe bandat e tij. Lazarati ishte vërtet deri pak ditësh si një ishull shtetëror në vete, fijet e disa krimeve kishin zanafillën aty; por ai nuk ishte i vetëm. Qendra e tij ishte Tirana, truri ishte në qeveri, zaptuesit ishin kapot rreth e rreth Berishës, sidomos në Ministrinë e Brendshme, në Policinë e shtetit, të cilët, së bashku, gjatë një viti zinin ose konfiskonin vetëm rreth 8 për qind të kanabisit që prodhohej në Lazarat, dhe më pak se kaq në zonat e tjera kanabisprodhuese.

Berisha shkoi më tej: ai bëri deklarimin se njerëzit në listën e kërkuar nga policia nuk janë bosët e vërtetë të drogës. Në Drenicë ka një fjalë të urtë, “mos e pyet, se kallëzon vetë”. Askush nuk e pyeti Berishën për bosët e baronët e drogës, por ai dëshmoi se e dinte fare mirë se kush ishin këto baronë të kohëve moderne. Policia nxori një listë të personave që qëlluan kundër qeverisë, Berisha u ngut të pohojë se këto nuk janë bosët e drogës. Ai i njeh ato, ua di emrat, adresat, fantazitë, sinorin ku shtrihen pronat e tyre, lidhjet që kanë me botën e krimit, kufijtë ku shtrihen forcat e tyre, i di lëvizjet, marrëdhëniet që kanë me njëri tjetrin, kush janë tutorët e kësaj bande. I di të gjitha. Dhe unë e besoj plotësisht këtë, sepse ata kanë lëvizur përmes tij, i kanë shërbyer atij dhe e kanë financuar atë. Por njëkohësisht u thotë atyre që rezistojnë me armë: “mos u jepni, policia po ju sakrifikon për të tjerët, ju jeni në të drejtën Tuaj, qëlloni edhe me armë snajper, edhe me antitank, edhe me mitraloz, por mos u jepni”.Për shumë vite me radhë Lazarati ishte nën mbrojtjen e shtetit dhe njëkohësisht e mbronte kupolën e shtetit. Në një lidhje simbiozë të jashtëzakonshme. Si askund tjetër. Dhe tani, kur koha është që të ndërpritet kjo lidhje, edhe pse qeveritarët e djeshëm janë në opozitë, por edhe si shenjë për këto që kanë ardhur në pushtet, një njeri, i cili e di mirë se çfarë është shteti, bën thirrje të hapur për shkatërrimin e shtetit. Dhe shkon edhe më tej se aq: akuzon policinë se po plaçkit, se po kërcënon, se po vjedh, se vetë policia është tashmë një bandë hajdutësh. Dhe kjo, sipas logjikës së tij, thellësisht antikomb e antishtet, i jep të drejtën banorëve edhe të vrasin në vetëmbrojtje. Në se ka një njeri, që rri në kullën e tij, që kur ishte vendi në shtrëngatë politike në vitin 1997, të parën gjë që bëri ishte largimi i familjes së tij nga vatra e rrezikut, dhe tani e kërkon gjakun me çdo kusht, ky është Berisha. Ai do të gëzohej në se dikush do të vritej, atij nuk i bën përshtypje se edhe policia është e përbërë nga djem nënash, se edhe ata kanë familje, se është krim të qëllohet mbi shtetin, edhe kur ai e ka tejkaluar detyrimin e tij; se kushdo qoftë që qëllon mbi shtetin, duhet të dënohet, e aq më tepër kur është në një vepër të dënueshme. Kush i lejon banorët e një fshati të presin me armë shtetin e tyre?Po sikur në çdo fshat, mos qoftë e thënë, nën nxitjen e një haluçionanti politik, policia, zyrtarët, shtetarët, të priten me armë, çfarë do të ndodhë?

“Lazaratin” e kemi mes nesh. Ka më shumë se 20 vite që jemi pjesë e kësaj. Jemi pjesë e heshtjes ndaj asaj që ndodh. Dhe duke qenë pjesë e heshtjes, do të thotë se jemi pjesë e pranimit të së keqes. edhe kur ajo shfaqet në formën e ish presidentit që e la vendin në flakë; edhe kur ajo shfaqet në formën e një ish kryeministri që e ka vendin në humnerë ekonomike, dhe tani kërkon në vatër gjaku.

Njerëzit nuk mund të presin gjithçka nga qeveria. Në të kundërtën, duke mos qenë pjesë e ndryshimit, mos të presin të vijë ndryshimi përmes ëndrrës së një nate qershori.