Kushtetuesja rrëzon padinë e opozitës, lë në fuqi ndarjen e re territoriale
Gjykata Kushtetuese lë në fuqi ndarjen e vendit në 61 bashki. Anëtarët e Gjykatës së Lartë rrëzuan kërkesën e Partisë Demokratike, të cilët kishin kërkuar pranë saj konsiderimin antikushtetues të ndarjes së reformës territoriale.
Demokratët argumentuan se reforma kishte shkelur të paktën 5 parime kushtetuese, ku rendiste: miratimin e njëanshëm, procedurën e përshpejtuar parlamentare, mungesën e konsultimeve me qytetarët, suprimimi i komunës si njësi e qeverisjes vendore si dhe ndarjen e zonave duke mos u respektuar kriteret njësoj.
Por, këto pretendime mesa duket nuk janë gjetur në kundërshtim me Kushtetutën, e cila e ka lënë në fuqi këtë ndarje territoriale, ndërsa argumentet e saj do të jepen me vendimin e zbardhur të Gjykatës.
Vendimi është përshëndetur menjëherë nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilëson atë “një vendim të kthjellët”. “Vendim i kthjellët i Kushtetueses ku vulos një reformë historike dhe i hap rrugë riorganizimit rrënjësor të territorit dhe shërbimeve”
Me këtë ndarje territoriale do të zhvillohen edhe zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, data e të cilave do të dekretohet në orët në vazhdim nga Presidenti i Republikës.