Kurti: Xhipa, vetëm për ta luftuar korrupsionin
“Vetëvendosje” në Deçan ka tubuar qytetarë të shumët, shumica të rinj, nga të cilët prijësit e saj kanë kërkuar votën e tyre, duke premtuar një qeverisje tjetër dhe bashkim kombëtar. Ndonëse ishte i fundit në fjalimin e tij, lideri Albin Kurti, iu ka thënë deçanasve se nuk do të jetë “njerkë” siç ishte Qeveria aktuale, ngase Deçani nuk e meriton të jetë ndër komunat me të varfra dhe me papunësinë më të madhe në vend.
“Pushtetarët po pasurohen, kurse qytetarët po varfërohen”, ka thënë ai, duke premtuar fundin e kësaj qeverisje të keqe dhe të korruptuar, e cila, sipas tij, bashkë me një pjesë të ndërkombëtarëve, synon të shet të mirat e vendit dhe vlerat kombëtare.
Kurti ka nënvizuar se kësaj duhet dhënë fund, dhe xhipat e blinduar dhe me xhama të zi “t’i përdorim vetëm për zyrtarët e shtetit ligjor që do të ndjekin korrupsionin, krimin e organizuar dhe klanet mafioze, dhe kurrsesi të përdorën për pushtetarët dhe ministrat”, të cilët as që preokupohen për hallet e qytetarit tonë.
Ai po ashtu ka thënë de do t’i jepet fund edhe pazareve në dëm të Kosovës dhe kombit, kurse sipas tij, “Vetëvendosje” se pari “do të bashkojë vendin nga krahinat e ndara nga politikanët, kurse pastaj do të bashkojë edhe kombin”.
“Jam shumë i zhgënjyer për rrugën që ka marrë Kosova pas pavarësisë së saj”, ka thënë William Walker, i cili votën e deçanasve e ka kërkuar për “Vetëvendosjen”, duke premtuar se këto do ta gjejë mbështetjen një Kosovë krejt tjetër, nga e tanishmja e brishtë.(ZERI