Shqiptarët e Maqedonisë as në letër nuk janë shtetformues, konsideron ekspert juridik Jeton Shasivari. Këtë konstatim ai e bazon në nocionin me të cilin shqiptarët janë përmendur në preambullë, nocion ky i cili sipas tij paraqet vetëm një përkufizim bashkëkohor për minoritet e ndryshme në Evropë.
“Në qoftë se  shikohet nga këndi i kabineteve politike atëherë pushtetformësia e shqiptarëve të duket si shtetformësi gjë që është vetëm një fatamorgan, diçka e rrejshme që nuk ka të përbashkët me realitetin. Mirëpo në qoftë se shikohet nga këndi i popullit si subjekt i kushtetutës dhe subjekt i sistemit politik atëherë duhet thënë që nga viti 1989 kur shqiptarët brenda natës u zhveshën nga statusi shtetformues në kushtetutën e atëhershme e deri sot nuk ka ndonjë ndryshim real dhe përmbajtesor për sa i përket rikthimit të statusit shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi Jeton Shasivari, ekspert juridik.
Edhe partitë politike opozitare kanë hedhur poshtë deklaratën e një dite më parë të liderit të BDI Ahmeti se shqiptarët e Maqedonisë janë shtet-formues. Sipas DR dhe LSDM realiteti është larg nga ajo që shqiptarët të jenë të kënaqur me statusin e tyre në Maqedoni.
“Ekzistojnë shumë argumente që tregojnë se nuk jemi shtetformues. Mbi të gjitha tregon përdorimi i flamurit që nuk ekziston, përdorimi i gjuhës i cunguar, dhe janë shumë faktorë që tregojnë se ne, as për së afërmi nuk e ndjejmë erën e një shtet-formësie por fatkeqësisht problemet edhe kësaj dite po thellohen. Vërtet se në luftë kemi qenë shumë të suksesshëm, fatkeqësisht ata të cilët sollën këtë liri sot e kësaj dite ushtarët, pjesëtarët e UÇK nuk kanë ligj i cili rregullon statusin e tyre”, theksoi Abedin Zymberi, deputet i DR-së.
“Mendoj se edhe Ahmeti po ndërgjegjësohet se qëndrimi përkrahë Gruevsit nënkupton shkuarje të sigurt në opozitë dhe tenton që sërish të na kthej në vitin 2001 duke treguar se çfarë ka bërë. Në letër e ndryshuam preambulën dhe kur numërohen kush janë popujt që përbëjnë shtetin, përmendet edhe bashkësia shqiptare që jeton në Maqedoni. Nëse Ahmeti është i kënaqur me këtë dhe vlerëson se kjo që tani funksionon mes tij dhe Gruevskit e çon Maqedoninë drejt Maqedonisë evropiane, unë nuk dëshiroj t’ia turbulloj euforinë por për fat të keq realiteti është larg nga ajo që shqiptarët të jenë të kënaqur me atë që kanë në Maqedoni”, u shpreh Vllado Buçkovski, deputet i LSDM-së.
VMRO-DPMNE nuk deshi të komentojë fjalimin e djeshëm të liderit të BDI Ali Ahmeti.

Gjyltene Rexhallari