Beograd, 30 prill  – Shefi i diplomacisë franceze Bernard Kuchner ka thënë se “nuk ka kushte të veçanta për Serbinë për të hyrë në BE”, por nuk beson se kjo është e mundur me “Kosovën si problem brenda Serbisë”.
Kuchner, në një intervistë për të përditshmen e Beogradit “Veçernje novosti”, ka porositur Beogradin dhe Prishtinën që të bisedojnë, sepse një një ditë të dyja vendet do të jenë në BE. I pyetur nëse mund të gjendet një zgjidhje për prezencën edhe të Beogradit edhe Prishtinës në konferencat ndërkombëtare, Kuchner tha se angazhohet për këtë, por nuk është i sigurt. “Ky është një proces i gjatë. Bëhet fjalë për breza, tërë historinë, kundërshtitë të cilat kanë zgjatur me shekuj. Kjo është një çështje shumë e ndieshme, dhe unë shumë mirë i kuptoj edhe serbët, edhe shqiptarët”, është shprehur Kuchner. Ndërkaq sa i përket vendimit të autoriteteve kosovare për çmontimin e antenave të operatorëve serbë të telefonisë mobile, Kuchner tha se “kjo nuk është mirë”. Ai tha se nuk do të donte që të japë “vlerësime morale”, as të përzihej në çështjet e brendshme, por theksoi se “njerëzit duhet të kenë të drejtë të telefonojnë”. “Ndoshta do t’i zëvendësojnë me antena kosovare”, tha Kuchner.