Ku i fshehin zyrtarët e lartë shqiptarë pasuritë e paligjshme?
Agim Neza-Ka disa vite që është krijuar Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, por deri në këto momente nuk është bërë ndonjë kallëzim penal për ndonjë ministër, deputet apo zyrtar të lartë. Realiteti dhe opinioni publik e dinë se në parlamentin tonë kemi milionerë, jo vetëm nga fusha e biznesit, por të bërë milioner nga karriera e tyre politike. Kjo nënkupton se disa ish-ministra, deputetë të djeshëm e të sotëm kanë shfrytëzuar funksionin e tyre për t’u pasuruar, por me “zgjuarsinë” e tyre kanë arritur të justifikojnë një pjesë të pasurisë, ndërsa miliona dollarë apo euro kanë arritur t’i fshehin në banka të ndryshme, sidomos jashtë shtetit. ILDKP-ja deri në këto momente ka arritur të gjobisë apo të bëjë kallëzim penal për ndonjë doganier ose tatimor, kryetar komune, një ambasador dhe një prokuror, çështje të cilat kryesisht janë pushuar ose janë gjobitur me shuma qesharake edhe nga organet e tjera. Realiteti tregon se nuk është e vështirë të verifikohen pasuritë e politikanëve, ministrave, gjyqtarëve, prokurorëve, të cilat i kanë në Shqipëri. Për këtë kërkohet thjesht vullneti i drejtuesit të institucionit të ILDKP-së si dhe organeve të tjera ekzekutive.
Kjo për faktin se ky institucion ka inspektorë dhe ndihmësinspektorë shumë të aftë nga ana profesionale dhe me integritet, por institucioni është i centralizuar dhe inspektorët veprojnë vetëm sipas urdhrit apo “oreksit” të shefit. Përsa i përket mekanizmit të fshehjes së pasurive jashtë vendit, është sofistikuar dhe është zgjeruar harta gjeografike e vendeve dhe bankave të huaja ku ministra shqiptarë, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, etj, fshehin pasuritë e krijuara në mënyrë të paligjshme. Para 6-7 vjetësh zyrtarë të lartë shqiptarë i fshihnin paratë kryesisht në bankat e Zvicrës dhe Qipros. Sipas burimeve të institucioneve investigative ndërkombëtare, zyrtarët e lartë shqiptarë vitet e fundit kanë ndryshuar destinacionin e fshehjes së parave. Vende të tjera janë Malta, Rumania, Bullgaria, Ishujt Kajman, Singapor, etj. Partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të përfaqësive diplomatike në vendin tonë kanë shprehur disa vite më parë vullnetin për të ndihmuar institucionin e ILDKP-së për të zbardhur pasuritë e paligjshme të zyrtarëve shqiptarë. Investigimi i nisur, akoma nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret, e kjo pothuajse ka mbetur thjesht një dëshirë dypalëshe midis partnerëve ndërkombëtarë dhe drejtuesve të ILDKP-së. Mungesa financiare, siç thuhet nga zyrtarët në fjalë të institucionit, jo vetëm që bëri të pamundur investigimin për të zbuluar paratë e paligjshme, por “shkriu” edhe kabinetin e institucionit, i cili nuk ekziston më në ILDKP. Me sa duket, politikës i ka pëlqyer gjithmonë ta ketë si institucion ILDKP-në, por jo për të goditur vërtet korrupsionin dhe në veçanti ata zyrtarë që fshehin pasuritë e fituara nëpërmjet korrupsionit.
Natyrisht vështirësitë për të zbuluar se ku janë fshehur paratë e paligjshme janë të mëdha, duke qenë se zyrtarët e lartë shtetërorë depozitojnë paratë në bankat e huaja dhe ruajnë konfidencialitetin si dhe japin të dhëna vetëm në ato raste kur kontrolluesi ka një autorizim me shkrim nga vetë zyrtari, për të kryer kontrollet ndaj tij në bankat ku ata kanë depozitat. Pavarësisht nga ky rregull, në fakt ekzistojnë mekanizma ndërkombëtare për të investiguar paratë e pista, para të fituara nga organizatat terroriste, korrupsioni, etj, bazuar në informacione apo dyshime bindëse. Gjithashtu ILDKP-ja ka të drejtën ligjore të verifikojë pasuritë e subjektit me një autorizim, ku deklaruesi autorizon organet e përcaktuara në ligj të verifikojnë pasuritë brenda dhe jashtë vendit. Lehtësi krijon edhe fakti se Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit nëpërmjet të cilës institucionet përgjegjëse bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë informacione për të evidentuar dhe zbuluar pasuritë e fshehura nga zyrtarët. Gjithashtu ekziston dhe një marrëveshje bashkëpunimi midis ILDKP-së me Misionin Policor Europian PAMECA, për të ndihmuar në procedurat e hetimit jashtë. Por me sa duket, mungon përkushtimi i duhur për të evidentuar pasuritë dhe paratë e paligjshme të zyrtarëve të lartë. Ndoshta drejtuesit e këtyre institucioneve presin që politikanët shqiptarë të denoncojnë vetveten dhe të tregojnë se ku i kanë fshehur pasuritë dhe paratë e paligjshme.
Me shpresë se një ditë drejtësia do “trokasë” në derën e tyre! E në këtë kuadër duhet patjetër bashkëpunimi mes ILDKP-së, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar së pari deputetët e mazhorancës me thasë miliardash dhe të deputetëve të opozitës, disa prej tyre përveç udhëtimeve për pushime luksoze, janë bërë edhe koleksionistë të orave të shtrenjta prej floriri! Kryeministri Rama t’i qëndrojë korrekt premtimit të tij publik për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, duke filluar nga të PS-ja e për të dhënë shembullin publik, se mbi ligjin nuk ka njëri. Prokuroria mund të verifikojë mjaft mirë se cilët deputetë dhe ish-ministra morën udhën me nxitim në Qipro gjatë vitit të kaluar brenda një jave! Gjenden biletat e avionëve, hotelet në një javë që u populluan nga deputetë të PS-së e të PD-së, a thua se do të kishin seancë parlamentare në Qipro. Nëse do, shteti ligjor i nxjerr emrat e tyre dhe pyetja publike mbetet se përse shkuat në një javë 14 deputetë e tre ministra në Qipro me urgjencë, kur filloi kriza e bankave në Qipro?! Kot, për turizëm apo për të tërhequr shpejt milionat e eurove atje? Pyetje që gjendet në emra konkrete të cilët udhëtuan për atje e lanë detyrën për disa ditë këtu në Shqipëri. Apo nëse vazhdojmë të pyesim, atëherë çfarë deshën në Qipro dy drejtorë të përgjithshëm të rëndësishëm që ishin krahas deputetëve dhe tre ministrave? Ne kemi dyshimet tona, por mundësinë për verifikimin e biletave dhe qëndrimin e tyre në hotele e ka vetëm drejtësia shqiptare me organet homologe qipriote, nëse do. Bile edhe se sa miliona euro kanë tërhequr ato ditë dhe udhëtimet e tyre nga Qipro për në Rumani e Ishujt Kajman!