image

Përderisa Nikolla Gruevski po hyn ngadalë dhe qetë në vitin e pestë si kryetar i Qeverisë së Maqedonisë për momentin lëvizjet aktuale në skenën politike nuk japin sinjale se qeverisjes së tij po i vjen fundi. Do të protestojë partia e Boshkovskit, Demokracia e Re, Lëvizja qytetare ‘Zgjohu’. Mbetet të shihet nëse përmes këtyre protestave antiqeveritare do të mund t’i thuhet mjaft politikës izoluese 

Në historinë e Maqedonisë nuk mbahet mend që dikush përmes protestave ta ketë rrëzuar një qeveri për të cilën është shprehur pakënaqësi. Kjo, ndoshta për faktin se protestat nuk kanë qenë të asaj natyre që të rrezikohet stabiliteti i një kryeministri. 
Dhe, përderisa Nikolla Gruevski po hyn ngadalë dhe qetë në vitin e pestë si kryetar i Qeverisë së Maqedonisë për momentin lëvizjet aktuale në skenën politike nuk japin sinjale se qeverisjes së tij po i vjen fundi. Proceset e euroatlantike janë bllokuar për shkak të çështjes me emrin që e ka Maqedonia me Greqinë, ndërsa Qeveria e harxhon buxhetin e saj me ndërtimet e përmendoreve në kushte kur shteti ballafaqohet me krizë ekonomike edhe niveli i varfërisë së qytetarëve është rritur. Protestat e partive dhe organizatave joqeveritare vijnë në periudhë kur LSDM-ja veç më ka filluar me serinë e protestave dhe mitingjeve të kahëzuara kundër politikës së kryeministrit Gruevski. Protestat në këtë muaj do t’i fillojë ish-ministri i Punëve të Brendshme gjatë konfliktit të vitit 2001, Lube Boshkovski tani lider i partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë”. Ai ka bërë të ditur se protestat kundër kësaj Qeverie do t’i fillojë më 7 nëntor nga ish stacioni i vjetër hekurudhor në Qytetin e Shkupit. Në fushatën presidenciale Boshkovski arriti të tubojë një numër të madh të votave dhe e akuzoi Gruevskin se e ka izoluar Maqedoninë. Boshkovski akuzon Gruevskin se bashkë me bashkëpunëtorët e tij emrin dhe ideologjinë e VMRO-së po e shfrytëzon për marketing dhe profit personal duke luajtur me ndjenjat e qytetarëve. “Në kryengritje kundër të paaftit Gruevski dhe familjes së tij, të cilët në vend të qeverisjes së tyre demokratike ata po aplikojnë diktaturë dhe njëmendësi”, theksoi kohë më parë Boshkovski, duke i ftuar qytetarët për mbështetje.

Protesta ka paralajmëruar edhe Demokracia e Re e Imer Selmanit. Partia e tij veç më ka kalkuluar me masivitetin e protestave duke bërë të ditur se do të tubojë të paktën 10 mijë qytetarë shqiptarë, të cilët do të shprehin pakënaqësinë me politikën e Qeverisë lidhur me datën e regjistrimit të popullatës por edhe për çështjet tjera. 

Më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit shqiptar Lëvizja qytetare “Zgjohu” fton gjithë qytetarët në një protestë para Qeverisë për të demonstruar vullnetin e popullit shqiptar në Maqedoni për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian. ‘Zgjohu’ konsideron se mungon vullneti politik i Qeverisë së Maqedonisë në veçanti të VMRO-DPMNE-së për integrim të shtetit në NATO dhe BE. Mbetet të shihet nëse këto protesta do të jenë të mjaftueshme për t’i dërguar mesazhin kryeministrit Gruevski dhe Qeverisë së tij se Maqedonia është bërë vendi më i izoluar ballkanik. Përderisa të tjerët hapërojnë me hapa të shpejtë vendi ngec në dy prioritetet kyç për të ardhmen e 2 milionë qytetarëve, integrimi në NATO dhe BE. BDI e cila kohë më parë paralajmëroi se nuk do të durojë politikën izoluese të Gruevskit, tani më si duket do të merret me çështje të tjera, atë të dosjeve.

Nëse kjo Qeveri vazhdon të funksionojë me këto shifra në Parlament dhe me një marrëveshje ndërpartiake në Kabinetin qeveritar nuk mund të presim se protestat apo kryengritja kundër Qeverisë do të sjellin ndryshime spektatolare. Vetë Ali Ahmeti tha se nuk e braktis Qeverinë, edhe pse është i brengosur për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit, ndaj partneri i tij i koalicionit nuk ka pse të mërzitet derisa qeverisja vazhdon me këto parametra si deri më tani