LUIGJ SHKODRANI -LAJME NGA SHQIPËRIA

Kryeministri Berisha pret Zv/presidentin e Bankers Petroleum, z. Leonidha Çobo dhe Ambasadorin e Kanadasë për Shqipërinë, me rezidencë në Romë, z. James Fox  
 
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim  me Zëvendëspresidentin e Kompanisë kanadeze Bankers Petroleum, z. Leonidha Çobo, i cili shoqërohej në takim edhe nga Ambasadori i Kanadasë për Shqipërinë, me rezidencë në Romë, z. James Fox.
Zëvendëspresidenti i Kompanisë Bankers Petroleum, z. Çobo dhe Ambasadori kanadez, z. Fox, pasi e falënderuan përzemërsisht për mikpritjen, i shprehën Kryeministrit Berisha mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë pasur me qeverinë shqiptare, si dhe për mbështetjen e jashtëzakonshme që qeveria shqiptare dhe Kryeministri Berisha u bëjnë investimeve prestigjoze në Shqipëri. Zëvendëspresidenti i kompanisë kanadeze Çobo e informoi Kryeministrin Berisha se gjatë katër viteve te fundit, Bankers Petroleum ka kryer një investim në Shqipëri që arrin një vlerë totale prej rreth 200 milionë dollarësh amerikanë. Bankers Petroleum ka rritur prodhimin e naftës në vend, i cili do të shënojë në fund të këtij viti një shifër prej 15 mijë fuçi në ditë dhe parashikon që vitin e ardhshëm ky prodhim të arrijë në 24 mijë fuçi në ditë. Këtë vit, Bankers Petroleum ka parashikur të investojë në Shqipëri si kapitale te reja rreth 115 milionë dollarë, për zgjerimin e kapaciteteve të saj prodhuese, rritjen e eksporteve nga Shqipëria, por edhe për ndërtimin e disa veprave infrastrukturore të rëndësishme me vlerë mbi 12 milionë dollarë, disa prej të cilave do të vendosen edhe në shërbim të komunitetit.
Kryeministri Berisha vlerësoi interesin e lartë dhe suksesin e investitorëve kanadezë gjatë viteve të fundit në Shqipëri dhe ripohoi vendosmërinë e  qeverisë shqiptare për krijimin e klimës më të favorshme për biznes e investime dhe për të mbështetur me të gjithë kuadrin ligjor e institucional, investitorët e huaj në Shqipëri.
 

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
 
V E N D I M
 
 
PËR
 
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHAT E ARSIMIT DHE TË SHKENCËS
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
 
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në fushat e arsimit dhe të shkencës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K  R Y E M I N I S T R I
 
 
SALI BERISHA
 
 
***
 
 
V E N D I M
 
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2010, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE PUBLIKE  DHE TRANSPORTIT
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike  dhe Transportit,  Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri “Shpenzime operative”, t’i  shtohet fondi prej 5 083 755 (pesë milionë e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, për detyrimin ndaj studios ligjore “Grimaldi & Associatti”, për përfaqësimin e mbrojtjen në Gjykatën e Apelit, Romë, në çështjen gjyqësore ndërmjet General Electrics, Athena S.P.A, vs, kundër Republikës së Shqipërisë.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit e Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
 
***
 
V E N D I M
 
 
PËR
 
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR BASHKËRENDIMIN E PUNËS   SË ALUIZNI-T ME ZYRËN E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME DHE AGJENCINË E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE, PËR PROCEDURAT E KALIMIT TË SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI TRUALLIN SHTETËROR  NË ZONAT ME PËRPARËSI TURIZMIN
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit e të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1.     Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) bën verifikimin në terren të njësive të ndërtuara menjëherë pas paraqitjes së kërkesës dhe  pas kryerjes së parapagesës së tarifës nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar.
 
2.     ALUIZNI, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i verifikimit në terren i njësisë ndërtimore, kërkon nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) informacion për gjendjen juridike të zonës së stimuluar, të shoqëruar me kopjen e dokumentacionit që disponohet (kartelë apo regjistër hipotekor, hartë treguese të pasurisë, dokumentacioni ligjor i regjistrimit të pasurive dhe i transaksioneve të mundshme).
 
3.     Nëse ZVRPP-ja konfirmon se zona e stimuluar është pronë shtetërore, ALUIZNI bashkërendon punën edhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) për të evidentuar, kur është e mundur, nëse ka:
 
a) vendime të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronës, pranë bashkive ose këshillave të qarkut, ose të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, për njohje, kthim ose kompensim të pronës.
 
b) kërkesa në proces shqyrtimi, të depozituara nga subjekte të cilat pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar.
 
Kërkesa për marrjen e informacionit i dërgohet AKKP-së, pas përfundimit të afatit të parashikuar në ligj, për paraqitjen e kërkesave nga subjektet e interesuara apo personat e stimuluar.
 
4.     Institucionet e përmendura në pikat  2 e 3, të këtij vendimi, e dërgojnë informacionin e kërkuar, pranë drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t, brenda  30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
 
5.     ALUIZNI, pas verifikimeve të mësipërme, harton relacionin shpjegues sipas pikës 3, të nenit 7,  të ligjit nr.10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”.
 
6.     Ngarkohen Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
 
       Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K  R Y E M I N I S T R I
 
 SALI BERISHA      
 
 
***
 
 
V E N D I M
 
 
PËR
 
MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR ISH -TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish – të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish – të dënuarit politikë dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital sipas listës të përfshirë në anekset “A” “B” dhe “C”, bashkëlidhur këtij vendimi.
 
2. Masa e dëmshpërblimit për ish – të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve, me dënim kapital, të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish – të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
 
3. Shuma e llogaritur transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura, sipas nenit 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar.
 
4. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA
 
 
***
 
 
V E N D I M
 
 
PËR
 
 
BLERJEN DHE MONTIMIN E SISTEMIT TË PAJISJEVE  PËR BLLOKIMIN E VALËVE TË TELEFONISË SË LËVIZSHME NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të  ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
 
V E N D O S I:
 
 
I.       Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me fondin prej (tridhjetë milionë) lekësh, të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, të blejë dhe të montojë sistemin e pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
 
II.     Përzgjedhjen e jo më pak se dy operatorëve ekonomikë, të njohur për ofrimin e këtij shërbimi, të cilëve u dërgohet ftesa për ofertë, për realizimin e blerjes e të montimit të pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme.
 
III.       Procedura për realizimin e procesit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi,është, si më poshtë vijon:
 
1.Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, mblidhet Komisioni i Hartimit të Dokumenteve Standarde, me këtë përbërje:
 
– 1 përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë                                                         kryetar;
– 1 përfaqësues nga Ministria e Brendshme                                                       anëtar;
– 1 përfaqësues nga  ministri për Inovacionin
     dhe Teknologjinë e Informacionit e të
    Komunikimit                                                                                                    anëtar;
– 1 përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e
   Shoqërisë së Informacionit                                                                             anëtar;
– 1 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme
   e Burgjeve                                                                                                      anëtar.
 
2. Institucionet e përmendura në pikën 1, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, i dërgojnë ministrit të Drejtësisë emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Komision, të cilët duhet të jenë specialistë të fushës.
    Kryetari i Komisionit njofton anëtarët për datën, orën dhe    vendin e mbledhjes.
 
3.   Komisioni i Hartimit të Dokumenteve Standarde është përgjegjës për:
 
a)       përcaktimin e standardeve të pajisjes për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme;
b)      përzgjedhjen e operatorëve, të cilëve do t’u dërgohet ftesa për ofertë;
c)       përcaktimin e kritereve për vlerësimin dhe për përzgjedhjen e operatorit ekonomik;
             ç)   përgatitjen e ftesës për ofertë, të cilën e dërgon në adresat përkatëse të operatorëve ekonomikë. Në ftesë përcaktohen:
 
i.   institucionet në favor të të cilave do të bëhet blerja dhe montimi i pajisjeve;
ii.standardet e kërkuara për pajisjen, si dhe kriteret e tjera të veçanta.
iii.data, ora dhe vendi i paraqitjcs së ofertës.
 
d)  çdo element tjetër  i vlerësuar si i nevojshëm.
 
4.    Dokumentacioni i paraqitur nga operatorët ekonomikë ruhet dhe nuk hapet deri në datën dhe orën e përcaktuar në ftesën për dorëzimin e ofertave.
 
5.    Komisioni i Hartimit të Dokumenteve Standarde përmbush përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data  e mbledhjes së parë të këtij Komisioni.
 
6.    Brenda 2 (dy) ditëve nga mbarimi i afatit të dorëzimit të ofertës, mblidhet Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, me këtë përbërje:
 
– 1 përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë                                       kryetar;
– 1 përfaqësues nga Ministria eBrendshme                                                       anëtar;
– 1 përfaqësues nga ministri për Inovacionin dhe             
   Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit                                               anëtar;
– 1 përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e
   Shoqërisë së Informacionit                                                                             anëtar;
– 1 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve                                 anëtar.
 
7.    Institucionet e përmendura në pikën 6, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, i dërgojnë ministrit të Drejtësisë emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Komision, të cilët  duhet të jenë specialistë të fushës. Kryetari i Komisionit njofton anëtarët për datën, orën dhe vendin e mbledhjes.
 
8.    Komisioni i Vlerësimit të Ofertave mblidhet dhe shqyrton të gjitha ofertat e paraqitura. Në marrjen e vendimit përfundimtar të përzgjedhjes së subjektit, Komisioni bazohet respektivisht në:
 
a)         plotësimin e kritereve të përgjithshme e teknike;
b)         cilësinë e pajisjes së ofruar;
c)      çmimin më të ulët dhe në shërbimin e ofruar nga subjektet e interesuara  për blerjen dhe montimin e pajisjes;
              ç)  reputacionin e operatorit ekonomik.
 
Rëndësia e secilit prej kritereve të sipërpërmendura do të përcaktohet në dokumentet standarde, gjë për të cilën do të njoftohen operatorët ekonomikë.
 
9.    Nëse për ofrimin e shërbimit paraqitet vetëm një subjekt i interesuar, i cili i plotëson standardet e kërkuara për pajisjen, si dhe kriteret e tjera të përcaktuara sipas këtij vendimi, Komisioni vijon me procedurën e përzgjedhjes së fituesit.
 
10.  Në përfundim të procesit të vlerësimit, vendimi i Komisionit u njoftohet operatorëve ekonomikë, të cilët, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e njoftimit, kanë të drejtë t’i paraqesin ankim ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë shqyrton dhe vendos mbi ankesën, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së saj.
 
11.  Nëse brenda afatit 5 – ditor nuk paraqitet ankim, Komisioni i dërgon vendimin, së bashku me relacionin shpjegues, ministrit të Drejtësisë, i cili, brenda 5 (pesë) ditëve miraton ose refuzon shpalljen e fituesit.
 
12.  Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e shpalljes së fituesit nga ministri i Drejtësisë, njofton operatorët ekonomikë për klasifikimin përfundimtar të ofertave.
 
IV.  Ngarkohen ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
 
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA
 
 
***
 
V E N D I M
 
 
PËR
 
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2010, MIRATUAR PËR MINISTRINË E INTEGRIMIT, PËR PAGESËN E FONDEVE TË MBAJTURA NGA KOMISIONI EUROPIAN PËR DISA PROJEKTE, TË FINANCUARA NGA PROGRAMI CARDS, ME PËRFITUES MINISTRINË E INTEGRIMIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10190,  datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
 
1.     Ministrisë së Integrimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, t’i shtohet fondi (njëzet e pesë milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë, për pagesën e fondeve të mbajtura nga Komisioni Europian për disa projekte, të financuara nga Programi CARDS, me përfitues Ministrinë e Integrimit.
 
2.     Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
 
3.     Ngarkohen Ministria e Integrimit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
KRYEMINISTRI
 
SALI BERISHA
 
 
***
 
V E N D I M
 
 
PËR
 
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR NËNPREFEKTIN E SARANDËS E ADMINISTRATËN E TIJ DHE PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË EMERGJENCAVE CIVILE (DREJTORIA E PMNZSH-SË)
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
 
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për nënprefektin e Sarandës e administratën e tij dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile (Drejtoria e PMNZSH-së), sipas formularit bashkëlidhur.
 
Lista që i bashkëlidhet këtij vendimi përbëhet  nga 1 (një) fletë.
 
2. Nuk lejohet tjetërsimi ose ndërrimi i destinacionit të pronave, të përcaktuara në këtë vendim, apo dhënia në përdorim të tretëve.
 
3. Ngarkohen ministri i Brendshëm, nënprefekti i Sarandës dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA
 
***
 
V E N D I M
 
 
PËR
 
MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS QENDËR LIBOHOVË, TË QARKUT TË GJIROKASTRËS
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
 
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e listës  paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Qendër Libohovë, të qarkut të Gjirokastrës, sipas lidhjes 1, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj komune, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të komunës Qendër Libohovë, të qarkut të Gjirokastrës, miratuar me vendimin nr.840, datë 22.7.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në komunën Qendër Libohovë, të qarkut të Gjirokastrës”.
 
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe komuna Qendër Libohovë për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA
 
***
V E N D I M
 
 
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET  KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, PËR PROGRAMIN MBËSHTETËS (AlbVET) PËR ARSIMIN DHE TRAJNIMIN PROFESIONAL SHQIPTAR (ATP), FAZA II,
KORRIK  2009 – QERSHOR 2011
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, për programin mbështetës (AlbVET) për arsimin dhe trajnimin profesional shqiptar (ATP), faza II, korrik 2009 – qershor 2011. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
SALI  BERISHA
 
***
 
PËR
 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET  KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, PËR EDUKIMIN ALTERNATIV DHE TRAJNIMIN PROFESIONAL (CEFA), FAZA E GJASHTË, MAJ 2009 – QERSHOR 2012
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, për edukimin alternativ dhe trajnimin profesional (CEFA), faza e gjashtë, maj 2009 – qershor 2012, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA
 
 
Marre nga faqja e Kryeministrit
 
 
Sheshi, Berisha:Ok planit. Rama: Nuk heqim Skenderbeun 
 
 Sheshi, Berisha:Ok  planit. Rama: Nuk heqim Skenderbeun
 
TIRANE-Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se miraton planin e Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej” dhe se nuk do të ndërhyjë me plan tjetër për të rrëzuar financimet që po bëhen nga qeveria e Kuvajtit. Për këtë qëllim, Berisha ngarkoi ministritë përkatesë të bashkëpunojnë me Bashkinë por theksoi se nuk do të pranonte kurrsesi një shesh pa monumentin e Skënderbeut. Nga ana tjetër Rama duke inspektuar punimet në shesh, siguroi Berishen se në asnjë mënyrë nuk do të rinovonte sheshin duke hequr monumentin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu
Berisha: Bashkia ta ndertoje sheshin, por jo te heqe Skenderbeun
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se nuk do ti kundërvihet planit të Bashkisë për rikosntruksionin e sheshit “Skënderbej”. Deklarata u bë sot në mbledhjen sotme të qeverisë kreu i ekzekutivit i kërkoi Ministrit të Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve të realizojë një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. “Ministri Olldashi të takohet me kryebashkiakun Rama për sheshin ‘Skënderbej’” u shpreh Berisha duke shtuar se Kuvajti, financuesi i këtij projekti ka shtuar fondin për sheshin.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë u shpreh se “ndërtimi i sheshit “Skënderbej” nuk duhet të shndërrohet në kapital politik, por duhet të kryhet në një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet qendrore dhe vendore”.
Kryeministri Berisha informoi se gjatë vizitës së fundit në Kuvajt, i kërkoi Emirit të Kuvajtit, shtimin e ndihmës financiare për sheshin “Skënderbej”.
“Sot në mëngjes kam pritur të dërguarin e Emirit të Kuvajtit, që informoi se është vendosur që në formë dhurate të dyfishojë fondin për sheshin ‘Skënderbej’. Pra do të jenë disponibël jo 5 milionë, por 10 milionë euro. Ky është një xhest bujar për të cilin qytetarët e Tiranës dhe qeveria do t’i jenë shumë mirënjohës lartësisë së tij, Emirit të Kuvajtit”, tha Kryeministri Berisha.
Duke kërkuar që çështja e sheshit “Skënderbej” të trajtohet në mënyrën më serioze, Kryeministri informoi gjithashtu se gjatë vizitës në Bruksel ka takuar përfaqësuesit e studios belge që ka bërë projektin e planit të qendrës së Tiranës.
“Ajo është një studio realisht serioze dhe ata janë arkitektë të talentuar. Unë i sqarova se apriori nuk kam asnjë kundërshtim për ristrukturimin, apo ndërtimin rishtaz të sheshit, por ka disa probleme kryesore që duhen shqyrtuar”, tha Kryeministri duke veçuar si parësore zgjidhjen e çështjes së trafikut.
Tirana, sipas tij “problemin më kryesor ka atë me trafikun dhe projekti i ri e përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht, trafiku”.
Kjo, tha Kryeministri “rrezikon të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë”.
“Eksperimentin e parë e bëri sot z. Rama dhe u krijua një bllokim i përgjithshëm trafiku. Trafiku zgjidhet pa diskutim me një sistem unazash, por jo që këto unaza të jenë fiktive”, tha Kryeministri Berisha duke theksuar se “ndërtimi i një unaze tjetër është përparësi e qeverisë”.
Kryeministri kërkoi gjithashtu zbatimin e të gjitha vërejtjeve të Institutit të Monumenteve dhe Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit.
“Nuk ka asnjë tendencë për të bllokuar ndërtimin e sheshit, por përcaktimet e Institutit janë të detyrueshme për Bashkinë dhe qeverinë. Sheshi me vendimin e z. Rama është shpallur ansambël i trashëgimnisë kulturore dhe në çdo vend të botës, zëri kryesor është ai i Institutit të Monumenteve”, tha Kryeministri Berisha.
Instituti, sipas tij “ka përcaktuar shumë drejtë se sheshi nuk mund të bëhet piramidë dhe ka sugjeruar një pjerrësi që lejon rrjedhjen e ujërave dhe respekton identitetin”.
Kryeministri kërkoi që projekti i sheshit “Skënderbej” të diskutohet me qytetarët, analistët dhe përfaqësues të qarqeve akademike dhe kjo sipas tij gjeti mbështetjen edhe të arkitektëve.
Berisha kundërshtoi dhe pretendimin për largimin nga ky shesh të monumentit të Skënderbeut.
“Nuk më duket e drejtë që ne të heqim nga sheshi qendror, monumentin e heroit kombëtar Skënderbeu, që është realiteti më i madh historik dhe shpirtëtor i shqiptarëve. Ne po lobojmë në kryqytetet e botës për të vendosur shtatoren e tij dhe tani po tentojmë ta nxjerrim në hije në Tiranë”, tha Kryeministri Berisha
Rama: Sheshi i ri së bashku me Skënderbeun
As një minutë nga deklarata e Berishës, Kryetari i Bashkisë Edi Rama që po inspektonte punimet direct nga sheshi “Skënderbej, iu përgjigj kryeministrit Berisha se nuk do të ketë zhvendosje të monumentit të Skënderbeut nga sheshi.
“C’rregullimi më i habitshëm. Ideja për të lëvizuar monumentin nuk ekziston. Puna është pilotimi rreth e rrotull monumentit për të garantuar patundshmërinë e monumentit dhe simbolit ku është dhe do të mbetet gjithmonë”- deklaroi Rama nga sheshi në qendër të Tiranës.
“Nuk shoh asnjë arsye për të pasur divergjenca, por shoh arsyen për të pasur konvergjenca për një shesh që nuk është vetëm i bashkisë por i të gjithë qytetarëve dhe shqiptarëve. – nënvizoi më tej Rama duke shtuar se kullat janë “opsione, të cilat nuk ka arsye të përfshihen për momentin në diskutimin e tanishëm.
Kryetari i Bashkisë, tha se me përfaqësuesit e qeverisë së Kuvajtit ishte diskutuar për një shtim fondesh. Rama tha se kërkesa kishte gjetur mbështetje te donatorët por për momentin “problem” mbetet bashkërendimi i të gjithë institucioneve për atë që do të jetë “kartëvizita e Shqipërisë dhe e shqiptarëve“.
Më tej ai dha detajet e projektit të sheshit “funksional” i cili do të ketë një infrastrukturë ujorë që do të vetëpastrojë sheshin dhe do të kthehet në shatërvanë dhe në forma të ndryshme të ujit sipas evenimenteve të ndryshme.
Sherri
Sheshi “Skënderbej” u shndërrua kohët e fundit në një “mollë sherri” mes pushtetit vendor dhe atij qëndror. Debatet rreth tij u thelluan institucionalisht pasi qeveria deklaronte se Bashkia nuk mund ta rregullojë sheshin, ndaj rikosntruksioni do bëhej nga buxheti i shtetit. Ndërkohë Bashkia e Tiranës i paraprin deklaratave qeveritare duke nisur punimet në shesh në bazë të një plani të projektuar dhe të fituar nga një studio belge.
Sipas Bashkise se Tiranes, rikonstruksioni i këtij sheshi është marrë përsipër nga një kredi e marrë nga Kuvajti dhe vlera shkon në 4.3 milionë euro. Punimet në sheshin “Skënderbej” do të kryhen sipas projektit të hartuar nga studio belge “51N4E”, fituese e Konkursit Ndërkombëtar që u zhvillua vitin e kaluar, ku gjithë qendra e Tiranës pritet të pësojë një ndryshim tërësor.
 
(d.b/s.g/BalkanWeb)
 
 
Situata në HEC-e, Stojku: Shkarkimet ndërpriten pas 2 ditësh 
 
 
 Situata në HEC-e, Stojku: Shkarkimet ndërpriten pas 2 ditësh
TIRANE- Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton se situata në kaskadën e lumit Drin po shkon drejt normalizimit dhe pritet që brenda dy ditëve të ardhshme të ndërpriten shkarkimet. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku deklaron se shkarkimet nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë pësuar rënie dhe po ashtu edhe prurjet e ujit në kaskadë.
“Situata është e kontrolluar, ne po shkarkojmë sot nga liqeni i Vaut të dejës 1760 metër/kub ujë në sekondë, 300 metër/kub më pak se dita e djeshme. Njëkohësisht prurjet në liqenin e Fierzës kanë filluar rëniet, janë afërsisht me 1050 metër/kub në sekondë, kështu që në pak orë ne do hyjmë në prurjet normale. Kjo situatë do ndiqet deri në uljen e prurjeve dhe me siguri që në dy ditët e ardhshme këto shkarkime do të ndërpriten. ” u shpreh Stojku.
Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it e ka vlerësuar gjendjen e krijuar në kaskadë më të vështirë edhe se përmbytjet e vitit 1963. Sipas tij prurjet mesatare mujore në 1963-shin ishin 470 metër/kub në sekondë ndërkohë që këtë muaj prurjet mesatare të ujit vlerësohen në 730 metër/kub në sekondë.

(e.n/BalkanWeb)
 
 
Shkodër, zgjerohet harta e përmbytjes, sot 1 400 ha nën ujë 
 
 Shkodër, zgjerohet harta e përmbytjes, sot 1 400 ha nën ujë
 
SHKODER-
Shkodër, situate asnjë ndyrshim nga paraditja
Ora 12:30-Në mesdite situate paraqitet e pandryshuar krahasuar me mënjgesin në zonat e Shkodrës që po përjetojnë përmbytjet e treat brenda 4 muajve. Rritja e nivelit po prek thellë lagjet periferike të Shkodres duke hyrë dhe në banesat e para.
Më kritike situate paraqitet në fshatin Gorite të Dajcit ku niveli i ujit është rritur ndjeshëm në fushat bujqësore.
Ndërkohë uji ka vërshuar dhe në Bushat duke hyrë në disa banesa.
Zona te tera te Shkodres zgjohen nen uje. 1400 ha toke te permbytura
Ora 07:00-Zgjerohet harta e përmbytjeve në Shkodër. Sot paradite llogariten 1 400 ha tokë bujqësore e përmbytur ndërsa zonat me të prekura janë komunat Obot dhe Ana e Malit. Redaksia e lajmeve të TVNews24 në Shkodër bënë të ditur se sipërfaqet e mbuluara nga uji janë kryesisht tokat bujqësore ende të pathara nga përmbytjet e janarit e Shkurtit. Këtë mëngjes është vërejtur ujë dhe në harkun e Bërdicës, ku bie në sy niveli në rritje. Uji ka hyrë dhe në lagjet periferike të Shkodrës, kryesisht në Ajazëm dhe në lagjen “Livadhe”. Mësohet se niveli i ujit gjatë natës u rrit me 10 deri në 20 cm.
Një situatë më e përmirësuar paraqitet në Daj e Darragjat falë argjinaturave të përforcuara.
Dje Ministria e Brendshme kofnirmoi zyrtarisht se situata në Shkodër po rëndohet dhe se po merren masat për evakuimin e banesave.
Autoritetet thonë se vendosën t’i rihapin portat e hidrocentraleve pasi niveli i ujit në digat e liqeneve të tyre arriti kuotën më të lartë të lejuar, ndërsa kanë vënë në punë të gjitha turbinat. Ata thonë se po monitorojnë me kujdes situatën e cila, po sipas tyre, është nën kontroll.
Megjithatë, njoftimet nga terreni thonë se tek banorët e zonës përreth Shkodrës, që këto ditë prisnin të dëmshpërbleheshin nga dy përmbytjet e mëparshme, është shfaqur sërish frika e përmbytjeve masive.
Reshjet e shiut po vazhdojnë prej disa ditësh, ndërsa njoftohet se përmbytjet janë shfaqur sërish edhe në rrethin e Lezhës dhe atë të Krujës.
Në njoftimin më të fundit nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës thuhet se situata po bëhet shqetësuese dhe se autoritetet lokale duhet të marrin masa urgjente për përballimin e përmbytjeve.
Përmbytjet e Prillit pasojnë ato të Janarit dhe Shkurtit ku sërsiht shkak ishte dalja nga shtrati i Drinit si pasojë e shkarkimit me tepricë të ujrave të HEC-eve mbi këtë lumë.
 
(d.b/s.g//BalkanWeb) 
 
 
 
Pengmarrja e autobusit, i riu: Më urdhëroi Allahu
 
 
 Irma Hoxha
Gjashtë pasagjerë të linjës Tiranë- Sarandë përjetuan dje minuta tmerri teksa një 32-vjeçar nga Patosi, si “i mbirë nga hiçi” mori autobusin peng dhe u nis në drejtim të pikës kufitare të Kakavijës. Pas 15 kilometrash udhëtim me shpejtësi rrufe në një rrugë tepër të rrezikshme, automjeti është përfshirë nga flakët. Pasi ka dështuar në aventurën e tij të çmendurisë, Eduard Rexhepi ka dalë me shpejtësi nga mjeti që po digjej dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Ngjarja e rëndë, e cila ka alarmuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, ndodhi mesditën e djeshme në afërsi të fshatit Fratar të Mallakastrës. Brenda 30 minutash, efektivat blu të Fierit, të drejtuara nga vetë drejtori Mërgim Hoxha, bënë të mundur arrestimin e autorit të krimit. Pengmarrësi Rexhepi ka pranuar autorësinë e krimit. Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se rrëmbeu autobusin me pasagjerë, pasi ishte urdhëruar nga Allahu. Ndërkohë, pjesëtarë të familjes së të riut kanë pohuar se ai vuante nga probleme mendore që prej 7 vjetësh dhe se merrte mjekim të rregullt. Ndonëse policia ka marrë në pyetje pengmarrësin, pasagjerët si dhe shoferin e autobusit, është treguar e rezervuar në deklarimet në lidhje me motivin e ngjarjes.
NGJARJA
Rreth orës 12:45, shoferi i autobusit me targa SR 4911 B, së bashku me disa pasagjerë ishin futur për të ngrënë drekë në një lokal të fshatit Fratar. Në këtë moment ka hyrë në lokal Eduard Rexhepi, banues në qytetin e Patosit. Mësohet se i riu është afruar tek tavolina ku po drekonte drejtuesi i mjetit dhe i ka kërkuar që ta merrte si pasagjer deri në Kakavijë, por pa para. Ndonëse i habitur nga kërkesa e të riut, shoferi i ka thënë që ta priste sa të hante drekën. Por, 32-vjeçari nuk ka duruar. Ai ka hipur në autobusin e linjës Tiranë-Sarandë dhe është nisur për udhëtim. Burime policore bëjnë me dije se në atë moment, në autobus ndodheshin 6 pasagjerë që nuk kishin zbritur për të ngrënë drekë. Ata janë tmerruar kur i panjohuri është ulur në sedilje dhe ka marrë timonin në duar. “U habitëm kur vumë re se një djalë i ri që dukej i irrituar, mori timonin dhe filloi të lëvizte me shpejtësi të madhe. Iu lutëm që të ecte më ngadalë se mund të ndodhte ndonjë aksident. I thamë se në autobus kishte të moshuar dhe fëmijë, por ai na u përgjigj se nuk duhej të kishim frikë, pasi thjesht donte të shkonte deri në Kakavijë”, – pohoi një grua, pasagjere në autobusin e marrë peng. Por, aventura e Eduard Rexhepit ka përfunduar brenda gjysmë ore.
ARRESTIMI
Shoferi i autobusit të linjës Tiranë-Sarandë, Vasil Mërkuri ka sinjalizuar policinë për rrëmbimin e automjetit nga një person i panjohur. Brenda pak minutash forca të shumta policore janë vënë në ndjekje të pengmarrësit, ndërsa u ngritën disa postblloqe në aksin Ballsh-Tepelenë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit deklaruan se pas 15 km udhëtim dhe pikërisht në fshatin Krastë të Tepelenës u vu re se autobusi i marrë peng ishte përfshirë nga flakët. Sipas hetuesve të çështjes, zjarri është shkaktuar nga një gabim teknik i rrëmbyesit. Mësohet se Eduard Rexhepi i ka dhënë mjetit pa çaktivizuar frenat e dorës.
Në momentin që ka rënë zjarr, autori i krimit ka zbritur në tokë dhe është larguar më këmbë. Pas tij kanë zbritur dhe pasagjerët e traumatizuar nga frika. Vetëm pak minuta më pas policia ka vënë në pranga pengmarrësin.
HETIMET
Policia ka marrë në pyetje pasagjerët që përjetuan minuta ferri. “Na tha se do të shkonte në Kakavijë. Iu lutëm që të na zbriste në tokë, madje i thamë se edhe do i jepnim para, por ai nuk pranoi”, – kanë thënë në polici pasagjerët. Burimet e mësipërme sqarojnë se dëshmitë e 32-vjeçarit kanë qenë kontradiktore. Mësohet se në një moment ai është shprehur se “autobusin e mora peng se më urdhëroi Allahu, për të shkuar deri në tokën çame”. Ndërkohë, nëna e pengmarrësit, Hatixhe Rexhepi ka deklaruar se djali i saj vuante nga probleme mendore. “Para 7 vitesh, im bir pësoi aksident automobilistik dhe që prej asaj kohe ai ka vuajtur nga probleme mendore. Ai kurohet që prej 7 vjetësh dhe trajtohet me asistencë invaliditeti nga Bashkia e Patosit”, – ka pohuar Hatixheja. Mësohet se Eduardi jeton vetëm me nënën dhe motrën e tij Bedrien, ndërsa vëllezërit i ka në emigracion. Nga ana tjetër, policia dyshon që 32-vjeçari të jetë i sëmurë mendor. “Ai nuk të lë përshtypjen e një të sëmuri mendor. Vetëm pas ekzaminimit mjekoligjor mund të dalim me një deklarim të saktë mbi gjendjen shëndetësore të autorit të krimit”, – sqaruan burimet policore.
 
GAZETA SHQIPTARE
 
 
Nora Malaj: Nepunesit e rinj dhe studentet mangesi ne gjuhen shqipe
 Nora Malaj
(Fotoja ilustruese, marre nga ana ime /L.Sh./ne facebook.)
Eraldo Rexha
Gjuha shqipe në kushtet aktuale është vënë përballë disa sfidash të mëdha… Këto sfi da e kanë origjinën
që para 2 dekadash, kur të gjithë kufi jtë politikë u hapën dhe shqiptarët fi lluan të komunikojnë më lirë me njëri-tjetrin. Ndërkaq, me ardhjen e demokracisë u bë i mundur dhe migrimi i popullsisë drejt zonave më të qytetëruara, si pasojë e të cilit jo rrallëherë këta njerëz sollën me vete edhe dialektet apo të folmet. Nga ana tjetër, prej gati 20 vjetësh kemi një ndarje brezash; një 25-vjeçar nuk ka njohje për ato tipe ligjërimesh që kishin baballarët e tyre, si rezultat i kalcifi kimit të gjuhës mbi dogmat ideologjike, kësisoj brezat e shkuar për shkak të kushteve të reja u gjendën përballë një krize ndryshimi gjuhësor, ku duhet të linin pas gjithçka kishin mësuar më parë. Gjithashtu, me hapjen e shoqërisë shqiptare me botën po vërshojnë në fjalorin e përditshëm të të gjithëve ne fjalë të huaja, të cilat e dëmtojnë jo pak gjuhën e bukur shqipe. Shqiptarët në kohën që jetojmë e kanë të nevojshme të mësojnë gjuhë të huaja, emigracioni i ka vënë jo rrallëherë përballë kësaj sfi de, veç kësaj edhe kur jetojmë në Shqipëri, na duhet të përshtatemi me “gjuhën e bukës”…
Në lidhje me këto dhe të tjera probleme, ju ofrojmë sot këtë intervistë me zv.Ministren e Arsimit
dhe Shkencës, znj. Nora Malaj… Sa e nevojshme është sipas jush futja e “Gjuhës Shqipe” në gjimnaze e më tej si lëndë më vete?
Gjuha është elementi bazë në komunikimin mes njerëzve, dhe si pasojë kërkon një vëmendje të veçantë kur vjen puna tek mësimi i saj nga brezat e rinj. Dihet që një individ, që të jetë i aftë për ta aftësuar dhe për të dhënë produktin e tij në jetë, duhet: e para, të dijë të komunikojë qartë, e dyta, mendimet t’i shprehë qartë, e treta, mendimet t’i shkruajë po qartë dhe e katërta, kërkesat dhe nevojat e tij t’i paraqesë në mënyrë të tillë që të jetë sa më qartësisht i kuptueshëm. Mbaj mend që është mbledhur një grup pune dikur, më kujtohet që në vitin 2002, në kohën kur dhe u mendua që të bëhej ndarja e gjimnazeve në dy pozicione, të profilizohej (në gjimnaz shoqëror dhe gjimnaz natyror), u pa që gjuha ishte një pjesë shumë e nevojshme në këtë edukim, ndonëse letërsia ishte baza e formimit të emocioneve estetike dhe vlerave, u pa që edhe gjuha ishte e rëndësishme për të qenë pjesë e formimit të një të riu. Për hartimin e kurrikulës u morën një grup njerëzish, studiuesish, që nga profesorët e universiteteve (ku Universiteti i Tiranës ka qenë universiteti promotor për të parë këto raporte), deri tek studiues të ndryshëm, ku pjesë kanë qenë edhe mësues si metodistë për procesin e mësimdhënies.
Më pas evoluoi dhe tani jemi në një paraqitje të një reforme të re arsimore, ku sistemi arsimor paraqitet me nëntë vjet plus tre, ku mendohet që gjuha dhe letërsia janë dy lëndët bazë që formatojnë formimin e nxënësit dhe në provimin e maturës shtetërore, Gjuha dhe Letërsia janë dy lëndë të cilat japin kontributin e tyre në formimin dhe formatin e nxënësit. Natyrisht që tani vijnë me prurje të reja, me nevoja të reja dhe me formate të reja. Ndonëse kemi hapur dhe i kemi dhënë shkas shkollës që të jetë e barabartë dhe të ketë formim të barabartë me nxënësit dhe me studentët, ende vërejmë që si në sistemin e administratës publike ashtu edhe si në sistemin universitar nxënësit e dalë nga këto banka kanë mangësi në drejtim të gjuhës shqipe. Kjo për arsye se është futur shumë kompjuteri në jetën e rinisë dhe kompjuteri është një mjet, i cili të bën dembel në mënyrën e mësimit dhe shkrimit të rasave, të kohëve, të formave të ndryshme gjuhësore. Nga ana tjetër tendenca për të mësuar një gjuhë të huaj, që është shumë e mirë, harron një domosdoshmëri dhe nevojë që nëse do të mësosh një, dy apo më shumë gjuhë të huaja shumë mirë, duhet të njohësh më parë në nivele shumë të larta gjuhën shqipe, sepse ajo është baza për të ndihmuar që t’i të realizohesh në gjuhët e tjera. Veç kësaj, tendenca për të dalë në treg si “trendy” (po përdor edhe unë fjalët e të rinjve), si një element i ri, fi llon të prishë atë që quhet struktura e gjuhës shqipe, duke futur shumë frazeologjizma ose fjalë të huaja, të cilat prishin konstruktin dhe konceptin e gjuhës shqipe. E parë në gjithë këtë këndvështrim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka menduar dhe me sugjerimin e universiteteve dhe rektorateve të ndryshme (madje, unë mund të them që Universiteti i Vlorës e ka futur të standardizuar në vitin e parë Gjuhën Shqipe për të gjithë studentët të të gjitha degëve si një detyrim në formimin e tyre, dhe si një detyrim qe del edhe tek shkrimi akademik si një nevojë për të mësuar dhe për të shkruar qartë dhe drejtë gjuhën shqipe dhe njëko-hësisht për të ndihmuar dhe forma-tuar një individ nesër për të shkruar një shkresë, për të bërë një kërkesë, për të dërguar një letër, për të bërë një përshëndetje, për të krijuar atë që quhet raporti midis njerëzve), futjen e Gjuhës Shqipe si një normë e standardizimit të raportit të komunikimit në marrëdhënie me njerëzit.
Pak ditë më parë ju keni marrë pjesë në një konferencë, e cila shqyrtoi si problem kryesor pikërisht këtë, futjen e Gjuhës Shqipe si një lëndë më vete në gjimnaz. Çfarë u arrit në përfundim të kësaj tryeze bisedimi?
Gjuha Shqipe është pjesë, por në kuadër të raporteve dhe të tryezës së fundit të konsultimit që u bë me të gjithë aktorët, që janë specialistë që hartojnë programe, që realizojnë programe dhe që njëkohësisht bëjnë politika drejt një politike shumë më të madhe, sepse këtu lidhet edhe me politikën kombëtare dhe kornizën kombëtarë të zhvillimit të arsimit shqiptar, u pa se cili do të jetë raporti midis Gjuhës dhe Letërsisë, orët dhe informacioni që do jepet
për t’u parë…U diskutua që gjuha jonë të mos shikohet vetëm si mjet morfologjik apo sintaksor, por edhe si mjet komunikimi dhe raport komunikimi, në mënyrë që nëse merr një vepër letrare të cilën e kupton dhe do ta analizosh, ta diskutosh, të debatosh, ta trajtosh atë, duhet të dish të përdorësh një gjuhë në funksion të saj, ashtu siç mund të përdorësh një ligjërim tjetër bisedor në një situatë të caktuar apo një ligjërim administrativ në një mbledhje administrative apo në një mbledhje qeveritare, ku emocionet e ndryshme ose disa fjalë përdoren sepse janë të
detyruara si rezultat i gjuhës zyrtare. Ka disa formate gjuhësh që fl iten, që shkruhen, të cilat ndihmojnë në realizimin e një produkti për ta bërë të aftë popullatën që të jetë e gatshme që t’i shërbejë vetvetes dhe shoqërisë në ndërtimin e standardit. Ju, ç’mendim keni për nivelin e përdorimit të gjuhës shqipe sot? Niveli i gjuhës shqipe sot? Unë, mendimin, sugjerimin dhe këshillën e parë e kam për gjithë median dhe shkruar dhe atë vizive të cilat i bien shumë në qafë gjuhës shqipe. Nëse gjuha shqipe do të kishte gojë për të folur do të qante shumë më shumë në krahasim me gjuhët e tjera pasi ne shqiptarët kemi një dhuratë shumë të madhe që na e ka dhënë historia e kombit tonë dhe kemi fat që kemi një gjuhë me 36 gërma që na jep mundësinë të fl asim të gjithë gjuhët e botës, pa u kuptuar që jemi të huaj. Kjo është dhurata më e madhe që na jep identiteti i integritetit të gjuhës sonë. Fatkeqësia më e madhe është që ne e përdorim pak ose aspak bukur gjuhën tonë duke e deformuar dhe duke i krijuar kakofonira të tmerrshme. Pjesa e parë ka qenë si rezultat i politikave të mëdha dhe po të shikojmë para disa viteve, po t’i ndajmë me vite me kohë do të shikojmë që gjuha e shkrimtarëve të viteve ’30 e Migjenit, Fishtës, Koliqit dhe personaliteteve të gjuhës shqipe ka qenë një gjuhë që gurgullonte, që kishte shumë sinonimika, kishte shumë leksikologji të bukur, kishte ato prapashtesat e zvogëlimit që e bënin shumë të bukur gjuhën, e bënin më të aftë raportin e komunikimit, e bënin më të afërt ndjenjën marrëdhënien. Më pas, pas viteve ’44 shikojmë që edhe gjuha ndëshkohet fortë nga politika, madje shumë fjalë të bukura siç është fjala shok, apo shoqe që është emocioni i parë më i fuqishëm që përjetojnë fëmijët në kopsht, kur thonë: “Mami, ky është shoku, apo shoqja ime”, u futën dhe u politizuan dhe tani po t’i thuash shoku fi lan krijon një kakofoni, sepse ke atë ndjesinë e kohës dhe shpesh herë shumë fjalë të bukura, fjala zonjë ose zotëri u hoqën nga konteksti i ligjërimit të përditshëm pikërisht, si rezultat i politikës. Kjo është e dhimbshme sepse gjuha është si puna e lumit që gurgullon e kullon dhe që gjithmonë krijon një pjesë, shteron në një vend tjetër, pasurohet në një vend tjetër. Gjuha asnjëherë nuk është statikë, është gjithmonë dinamike dhe me dinamizmin e saj i vishet njeriut. Sa më gjuhë të kemi, sa më gjuhë të këndshme të kemi, sa më gjuhë të gurgulluar të kemi, sa më gjuhë të pasur të kemi, aq më popullatë e pasur jemi në botën shpirtërore sepse gjuha nuk është gjë tjetër veçse konstatimi i mendimit, pra ideja abstrakte e dhënë në mënyrë konkrete që shfaqet në gojën e njeriut. Sa pa hapur gojën njeriu nuk e kupton në është i mençur apo budalla, sapo hap gojën dhe ligjëron ti e kupton se sa ka dhe i bën vlerësimin se çfarë mund të bëjë dhe sa i zoti është të bëjë diçka. Pikërisht në këtë moment themi që gjuhën shqipe nuk duhet ta vëmë në krizë por duhet ta ndihmojmë për ta realizuar dhe për ta përdorur në pozicionin më të drejtë më të bukur dhe më të qartë, pasi e meriton sepse është gjuha më e vjetër e familjes indoevropiane dhe është një gjuhë që na ka dhënë mundësinë për t’u identifi kuar si komb, të identifi kohesh me pasaportën tënde dhe pasaporta jonë është gjuha, do të thotë të kesh respekt për të, do të thotë ta duash shumë atë dhe do të thotë ta përdorësh qartë, saktë dhe bukur.
 
 GAZETA SHQIPTARE
 
 
Topalli skandal me lekët e Kuvendit, zbulohen dietat e ‘majme’ të të djathtëve
Fejzi Braushi
 
TIRANË – Rrogat e gjashtë muajve të 64 deputetëve të PS-së në periudhën e bojkotit parlamentar nuk kanë qenë të ardhura që mbetën në buxhetin e shtetit. Një pjesë e mirë e tyre i është dhënë deputetëve të mazhorancës, përmes dietave tejet të fryra, lekëve për karburantin apo telefonin, dhe që në total përbëjnë një shumë që në disa raste ia kalon edhe rrogës, që ata marrin.

Kjo situatë vazhdon ende, ku deputetë të PD-së favorizohen nga kryetarja e Kuvendit në mënyrë krejt antiligjore, ndërsa homologët e tyre socialistë janë bërë pre e penalizimeve pa fund, edhe kur bëhet fjalë për shpenzimet që ata kryejnë në përmbushje të detyrimeve dhe të përgjegjësive të ngarkuara nga detyra që kryejnë. Gazeta “Shekulli” disponon faturat e lajmërimit të kreditimit të shpenzimeve të muajit mars për disa deputetë të djathtë dhe të majtë, ku natyrisht evidentohet qartë ndryshimi i përfitimit financiar i të zgjedhurve socialistë, si dhe abuzimi që në këtë rast bën kryeparlamentarja në shpenzimin e buxhetit të institucionit të Kuvendit. Nga krahasimi i këtyre tabulateve vihet re se të gjithë deputetët socialistë për muajin mars janë trajtuar financiarisht vetëm me 18.3 mijë lekë për dieta, ndërsa nuk u është kompensuar asnjë lek qoftë për karburantin ashtu edhe për telefonin.

Ndryshe nga ata, kolegët e tyre të djathtë përveç dietave të majme që arrijnë deri në 74 mijë lekë të reja, janë trajtuar financiarisht edhe për karburantin që kanë konsumuar në udhëtimet e tyre, për telefonin celular, çka në total në disa raste shuma ka shkuar deri në 160 mijë lekë të reja. Kështu, deputeti socialist i Beratit, Erion Braçe, ka mundur të marrë si kompensim për shpenzimet e muajit mars vetëm 18.3 mijë lekë dhe këto të detajuara vetëm si dieta dhe nuk i është paguar kompensuar as karburanti dhe as telefoni, megjithëse kjo parashikohet në ligjin “Për statusin e deputetit”.

Ndërkohë që kundërshtari i tij i të njëjtit qark, Lefter Maliqi, pavarësisht largësive të barabarta nga Tirana ka marrë në total 140 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë si dieta (një deputet që banon në Tiranë i paguhen 6 ditë dieta me nga 30 mijë lekë, ndërsa një deputeti që banon jashtë Tirane i njihen 12 ditë të tilla), 40.5 mijë për karburantin, 17 mijë për telefonin, si dhe 9 mijë lekë për pjesëmarrjen në komisione. Në rastin e Maliqit duhet të theksojmë se nga deklarata e tij e pasurisë në ILDKP rezulton se ai ka shtëpi në Tiranë.

Pra, nga krahasimi i të dhënave duket qartë trajtimi me dy standarde që Kuvendi i bënë deputetëve të të njëjtit qark, pavarësisht se ligji parashikon një trajtim të barabartë mes tyre. Një tjetër rast është ai deputetit Taulant Balla, i cili ashtu si Braçe ka marrë vetëm 18.3 mijë lekë për dieta, duke mos iu njohur as kompensimi i karburantit dhe as i telefonit. Ndërsa kolegu i tij i të njëjtit qark, Luçiano Boçi, ka përfituar në total 139 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë lekë dieta, 37.8 karburant, 17 mijë lekë telefon dhe 10.8 mijë lekë nga komisionet. Pra, sërish vihet re fenomeni i favorizimit të deputetëve të djathtë. Një rast akoma më flagrant përbën ai i deputetit Igli Cara, i cili pavarësisht se është deputet i Durrësit, pra vetëm 30 km larg Tiranës, ka mundur të marrë në total 132 mijë lekë, nga të cilat 73.2 mijë si dieta, 33.3 mijë për karburantin dhe 17 mijë lekë për telefonin. Pabarazia mes deputetëve të djathtë dhe të majtë bëhet edhe më e madhe në rastin e deputetëve të zonave të largëta.

Kështu, ndërsa deputeti socialist Qemal Minxhozi ka përfituar si dietë vetëm 18.3 lekë, kolegu i tij i djathtë i të njëjtit qark Bedri Hoxha ka marrë plotë 160 mijë lekë të reja si dieta, karburant, telefon dhe për pjesëmarrjen në komisione, ose thënë ndryshe rreth 300 mijë lekë më shumë sesa rroga që ai merr si i zgjedhur.

Gazeta “Shekulli”
 
Rama: Nuk hiqet Skënderbeu. Studimi për trafikun, i specializuar

Shekulli Online 
Rama: Nuk hiqet Skënderbeu. Studimi për trafikun, i specializuar
(Projekti i sheshit Skenderbej)

  Kreu i Bashkisë së Tiranës i është përgjigjur shqetësimit të kryeministrit Berisha për monumentin e Skënderbeut në qendër të sheshit, duke i thënë se monumenti është i palëkundur.
“Meqë ka spekulim tjetër që këtu ekziston ideja për të lëvizur monumentin e Skënderbeut, dua të sqaroj se gjithë puna e bërë garanton patundshmërinë e monumentit dhe simbolit të sheshit nga vendi dhe ku do të mbetet gjithnjë”- tha Rama.

Teksa Berisha fliste në mbledhjen e qeverisë, Rama ishte duke kryer inspektimin e punimeve në shesh. Ai ka sqaruar për mediat se ndryshimi i sheshit do të jetë rrënjësor, pasi do të ndërtohet një vepër me ambicie të madhe, që kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve.

“Nuk shoh asnjë arsye për të pasur divergjenca themelore nga askush, por konvergjenca të plota në funksion të një sheshi që është sheshi i qytetarëve dhe gjithë shqiptarëve kudo janë”- ka thënë Rama, duke shtuar se parashikohet trafiku i linjave të nëndheshme që kalojnë nën të.

Sipas Ramës, studimi i trafikut është i specifikuar nga një prej kompanive më të mira evropiane.

Rama ka folur për një shesh të pjerrët që do të vetëpastrohet me mbledhjen e ujit të shiut, një shesh të lagësht në verë e gjithë shatërvane në varësi të eventeve të ditës.
_______

‘Skënderbej’, Berisha i jep urdhër Olldashit: Të takohesh me Ramën
Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer sërish sheshit “Skënderbej”në mbledhjen e sotme të qeverisë. Ai ka kërkuar që ministri i Transporteve, Sokol Olldashi të zhvillojë një takim me kreun e bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke theksuar se problemi i sheshit kryesor duhet të trajtohet me shumë seriozitet.

“Në Kuvajt kërkova shtimin e fondit për sheshin. Sot Emiri i Kuvajti ka vendosur të dyfishojë fondin për sheshin “Skënderbej”,- tha Berisha, duke shtuar se Kuvajti ka dhënë 10 milionë euro për rehabilitimin e sheshit.

Kreu i qeverisë ka akuzuar më tej Ramën, se po bën eksperimente me trafikun, duke pranuar se ai nuk ka probleme me planin, por i vetmi shqetësim i tij është ai i trafikut.

Ai e ka quajtur te papranueshme idene per levizjen e monumentit te Skenderbeut nga qendra e sheshit, duke kerkuar gjithashtu qe ministri Olldashi te diskutoje edhe per kete problem.

________________

data 28 mars
“Skënderbej”, Bashkia e Tiranës nis punën për rindërtimin e sheshit
TIRANE – Në Tiranë ka nisur puna për rindërtimin e Sheshit “Skenderbej”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ishte prezent në inagurimin e punimeve ku bëri me dije edhe disa detaje të projektit, por edhe të prakticitetit. Ajo ç’ka është problem, tha ai, është trafiku, pasi qytetarët mund të hasin në vështirësi, por kërkoi mirëkuptim, pasi bëhet fjalë për një projekt madhor.

Rama tha se “pikërisht trafiku na ka penguar t’a nisim këtë investim më parë, pasi godina e INSIG është ende e pashpronësuar, por do punohet paralelisht për shponësimin e saj”. Me prishjen e kësaj godine lirohet totalisht rruga dhe bëhet i munduar devijimi i trafikut përmes asaj që njihet si unaza e vogël e kryeqytetit.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se “ky është një projekt i madh dhe i ndërlikuar që realizon bashkia pas një ecurie të gjatë për të ardhur deri këtu. Kjo nisi me një konkurs të veçantë, që u konkludua me fitimin e studios arkitekturoree belge ’51N4E’, më pas me një financim bujar prej 4.3 miliard Euro, të Emirit të Kuvajtit, dhe me përzgjedhjen e një firme serioze si Mak Albania dhe një supervizori austriak”.

“Vendi ku jehon historia do të jetë edhe pasqyrë e shekullit të ri”, tha Rama, duke shtuar se kjo do të jetë vetëm hapësira e qytetarëve. Projekti është i ndërlikuar dhe do të zgjasë në kohë pasi do ketë edhe një infrastrukturë të mirëfilltë nëntokëse që do të kërkojë kohë dhe investime po aq sa infrastruktura mbitokësore. Ujrat që do të përdoren në shesh, si për shatërvanin, për vaditjen e pemëve, apo për të organizuar lojra për fëmijët, do të jetë ujë shiu që do të përpunohet dhe do të përdoret më pas. Rama kujtoi edhe detajin tjetër të projektit, gjelbërimin me të cilin do të jetë i rrethuar sheshi.

Rama pranoi se kompleksiteti i projektit do të sjellë vështirësi për trafikun. Si fillim nuk do të bllokohet i gjithë sheshi por do të punohet në blloqe pune më pas me hapjen totale të unazës së vogël që është zënë nga godina e INSIG, sheshi “Skenderbej” nuk do të jetë më i makinave. Rama nuk dha afate kohore se kur përfundon ky projekt gjigand, por tha se punimet janë komplekse, ç’ka nënkupton se duan kohë të realizohen.
 
 
Projekti i plotë i 51N4E: Ja si do të jetë Sheshi
 
Qendra e Tiranës është konceptuar si një park, ose si një shmangie e kaosit siç e cilëson arkitekti që paraqiti projektin. Sheshi do të rrethohet nga një panteon bimësie dhe do të jetë i mbrojtur dhe i padukshëm deri në momentin që hedh hapin brenda tij. Asnjë nga ndërtesat ekzistuese nuk do të shembet, monumeti Skënderbeu në kalë, Opera e Baletit, Muzeu Kombëtar, Banka e Shqipërisë dhe Xhamia do të jenë të gjitha aty, por të rifreskuara dhe të kompozuara.

“Asnjë monument apo identitet nuk do të mëvehtësohet: por të gjithë nënvizohen rreth e rrotull hapjes së sheshit, duke përfaqësuar një të kaluar të përbashkët mbi të cilën mund të ndërtohet”, shjegon arkitekti.

Masterplani propozon ta shkëpusë trafikun nga sheshi dhe të krijoje një shesh këmbësoresh me konstruksione të reja.

Brezi, pjesa anësore e sheshit është njëherësh një tërheqje në vetvete. Ai përmban kopshte, mjedise të hapura për aktivitete, bare dhe kafe. Skajet e sheshit do të jenë një unaze hapësirash dhe atmosferash të ndryshme. Kjo unazë do të jetë një pjesë natyrale e Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Brezi do të strehojë kryesisht programe publike, disa ekzistuese, të tjera të alternuara, e disa të tjera të reja:

Ndërtesa e Operas do të plotësohet me një hyrje në përmasa të mëdha duke mbuluar oborret e jashtme ekzistuese, për të shërbyer për kongrese dhe ngjarje te rëndësishme.

Xhamia kornizohet nga një dysheme e re, pak më e ngritur për ti dhënë asaj vetë më shumë hapësire dhe për ta bërë të duket sikur është ulur mbi një qilim madhështor.

Ndërtesat e ministrive janë trajtuar në një linjë me kopshtin e fundosur, duke shtuar pemë të mbjella që mbulojnë gjithë hapësirën e kopshtit dhe të rrugës.

Teatri i Kukullave e gjen veten në shesh dhe lidhet me një hapësire të re të ndërtuar përpara tij duke ripërdorur pemët ekzistuese.

Banka Kombëtare, merr se fundi vëmendjen që meriton, duke shmangur çdo ndërhyrje vetëm duke ndryshuar platformën përpara saj.

Qendra Tregtare ngjitur me bankën është ripropozuar. Ndërtesa është e ngritur nga toka për të lejuar një hapësire e cila krijon një hyrje të madhe në shesh, duke kornizuar njëherësh kolonadën e ndërtesës se Operës.

Funksionet tregtare plotësohen nga një hapësire ekspozitash për ngjarje kulturore.

Hapësira kulturore do të menaxhohet nga qyteti dhe mund të bëhet partner konkurrent i Galerisë Kombëtare të Arteve. Edhe pse teknikisht i përjashtuar nga konkurrimi, ripropozimi i këtij projekti është pjesë integrale e zhvillimit të ri të sheshit.

Lidhja e Muzeut Kombëtar me vendin ku qëndron është ndryshuar duke riorganizuar shkallët kryesore. Fasada e tij një-dimensionale do të ndryshohet në një tipografi multidireksionale.

Kulla Qytetare (the Civic Toëer) do të jetë për shërbime publike të qytetit, ku qytetaret e Tiranës mund të shkojnë për ceremonitë e jetës së tyre, si martesa, ardhja në jetë e një fëmije, etj. Ndërtesa jo vetëm do të përmbajë këto shërbime por do të ketë edhe ballkone publike që shohin sheshin dhe qendrën e qytetit.

Një detaj tjetër i rëndësishëm është se sheshi nuk do të i sheshtë. Ç’ka do të thotë se sheshi do të jenë si kodrinëz me ngjitje të butë në qendër (pjerrësia 3 %). Pjesa e mesit do të arrijë deri në 2.3 m mbi lartësi, krahasuar me skajet.

Ai do të jetë i pajisur me një seri tiparesh ujore, sheshi mund të mbushet ose të thahet. Ky mekanizëm krijon një konstelacion gjithmonë në ndryshim gropash, pellgjesh dhe njollash reflektuese.

Pamja e sheshit lidhet me rrethanat dhe ngjarjet, me motin apo stinët… Sheshi mund ta ndryshoje fytyrën e tij totalisht: nga monumentale, boshllëk zyrtar, në konfuzionin e një bregu artificial. Prezenca e ujit përkohësisht mund të aktivizoje njërin nga skajet ose mund të fokusohet në vetë sheshin. Parë nga skajet, pjesë të sheshit papritur mund të mbushen me fragmente refleksesh të ndërtesës dhe qiellit.

Sheshi nuk bëhet “më i njerëzishëm” duke reduktuar shkallën e tij: ai bëhet tërheqës nga çfarë ofron, njëherësh brenda e jashtë tij. Ditën, brezi i tij do të ofrojë komfort, hije dhe mbrojtje. Sheshi vetë do të jetë disi sfidant, duke ofruar një eksperiencë provokuese. Sheshi do të mbushet nga skajet por asnjëherë pa tension. I parë nga hija, qendra përherë do të ndjehet si tepër e ndriçuar. Ndërsa lenë zonën e hijes dhe hyjnë në shesh, gjithkush do të ndjejë një ndryshim të menjëhershëm të diafragmës në sytë e tij. Duke e përshkuar atë, disa njolla gjithmonë do të duken të lagura duke i detyruar njerëzit të ndryshojnë shtegun që po ndërmerrnin.

Natën, sheshi do te jete e kundërta e tij: i ndriçuar fort përreth brezit, duke krijuar një zonë muzgu në qendër. Të qenurit në qendër të qytetit do të jetë një moment që do të jetë vështirë të harrohet.
 
 
____________
 
 

NGA DEBATET E JAVES SE FUNDIT QEVERI – BASHKI PER PUNIMET
 
26 mars

Të pakuptimtë, absurd dhe qesharak e ka quajtur, Eduard Shalsi i PS-së, vendimin e qeverisë për të hedhur para në shesh, vetëm pak muaj para nisjes së restaurimit të plotë të tij. Kjo edhe për faktin se ky projekt është financuar nga ndërkombëtarët të cilët kanë zgjedhur edhe firmën që do kryejë punimet.

“Qytetarët e Tiranës, kanë parë bashkinë të përgatisë rrugët që do të përballojnë devijimin e trafikut nga sheshi. Kanë dëgjuar Edi Ramën, të njoftojë për pak ditë fillimin e punimeve, duke i kërkuar qeverisë që të bëjë shpronësimin tek godinat e segmentit pranë INSIG-ut”, u shpreh Shalsi. Duke vijuar se “është krejtësisht e pakuptimitë, që kjo qeveri kërkon të hedhë para, pikërisht pak ditë përpara fillimit të punimeve”.

Më tej ai i kujtoi Berishës që të bëjë shpronësimet dhe të mos pengojë punët e bashkisë në ndërtimin e qytetit. “Kjo ngjarje madhore për Tiranën, është fryt edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë, i miqve tanë, të cilët janë përfshirë duke financuar projektin, madje duke përzgjedhur edhe kompaninë e cila do të kryejë punimet, ndaj ndërhyrja e qeverisë bëhet akoma më absurde”, përfundoi Shalsi.
 
Vetëm pak ditë pas apelit të kryeministrit Sali Berisha për asfaltimin e sheshit “Skënderbej”, Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit ka nisur punën.
 
Deklarata vjen pasi paraditen e sotme, specialistët e ministrisë kanë filluar të bëjnë matjet, që duket se është faza paraprake para nisjes së punimeve për asfaltimin e Sheshit Skenderbej.

Dy dite me pare, në mbledhjen e qeverisë, Berisha ka kërkuar nga ministrat të nisë urgjent bashkëpunimi me bashkinë e Tiranës, pasi në gjendjen që është sheshi është një turp. “Të shkosh nga xhamia te hotel Tirana të skuqet faqja. Ndaj të nisë menjëherë asfaltimi i sheshit. Nuk ka qendër komune në Shqipëri që të jetë në situatën e qendrës së Tiranës”- ka thënë Berisha duke shtuar se fondet nga qeveria e Kuvajtit janë të disponueshme.

Sipas tij, sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofe. “Nuk ka një vend të botës, ju garantoj unë që ti bini planetit nga veriu në jug nga lindja në perëndim nuk gjeni dot një kryeqytet si ku i yni, ku rrugëtimi në shesh është si një horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit- deklaroi kreu i qeverisë mbledhjen e qeverisë.
 
Bashkia e Tiranës ka bërë përgjegjës kryeministrin për mos nisjen e punimeve në sheshin “Skëndërbej”, ndërsa ka deklaruar se asaj nuk i nevojitet asfalti qeveritar.
 
Zëdhënësja Joana Bushi gjatë një deklarate për mediat i bëri apel qeverisë të bëjë shpronësimet.

“Është një segment në këtë shesh që ka 2 vjet që nuk po shpronësohet. Bashkia do të nisë shumë shpejt punimet për sheshin ‘Skënderbej’ në bazë të një projekti madhor. Tirana nuk ka nevojë për asfaltin qeveritar”- tha ajo.
 
Sipas saj, nëse Kryeministri do të kontribuojë për Tiranën, le të zbatojë ligjin që e detyron qeverinë të bëjë shpronësimet dhe le të çlirojë fondin e premtuar prej tij para dy vitesh, për të hapur segmentin rrugor në verilindje të sheshit.

“Tirana nuk ka nevojë për asfaltin qeveritar në sheshin “Skënderbej”, për të thelluar gropën e autonomisë vendore e për të krijuar një ngjarje “alla Zog i Zi”, po për një qeveri që sillet me kryeqytetin konform ligjeve të vendit e në respekt të detyrimeve të veta kundrejt qytetarëve. Fillimi i punimeve në sheshin “Skënderbej” është çështje ditësh. Mundësia për qarkullimin e makinave pasi të fillojnë punimet është sfida për të cilën qeveria është e mirëpritur të kontribuojë me fondin e nevojshëm, për hapjen e aksit të mbetur të Unazës së Vogël, ku gjendet sot godina e “Insigut”- tha ajo.
 
Gazeta “Shekulli”