DEMONSTRATA, nga zgjedhjet tek lufta

Askush nuk e kishte parashikuar që pas 13 vjetësh, kur të gjithë e kishim harruar anarkinë, të rikthenin fletët e zeza të historisë tonë. Por, në ndryshim nga viti 1997, kësaj radhe shërbyen zgjedhjet e 28 qershorit, të kontestuara nga opozita dhe prej refuzimit të mazhorancës për hetimin e procesit zgjedhor. Që prej mbylljes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe deri më sot janë konsumuar të gjitha mjetet për arritjen e një marrëveshje: tryezat e shumta apo darka alla krokodil, ndërmjetësimet nga kreu i shtetit, apo përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë (ambasadorë, komisionerë, eurodeputetë, etj.), bojkote institucionesh, protesta, greva urie deri në 20 ditë në bulevardin kryesor të Tiranës. Së fundi, socialistët dhe opozita ftoi popullin në protestë, pa u angazhuar për ta udhëhequr.
Kjo lëvizje erdhi pas dështimit të marrëveshjes për të hetuar zgjedhjet. Në dhjetor mazhoranca nuk pranoi as projektvendimin e modifikuar të PS-së, ku hiqej dorë nga hetimi i fletëve të votimit. Në fillimin e janarit, KQZ-ja mori vendimin dhe nisi procesin e djegies së fletëve të votimit.
Që prej 28 qershorit dhe deri më 21 janar janë më shumë se 18 muaj që politika ka bllokuar vetveten dhe reformat e vendit, ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë.
Dita e djeshme shënoi mbylljen me gjak të demonstratës, pas gjithë mosmarrëveshjeve mes PD-së dhe PS-së që erdhën nga kontestimet e procesit të 28 qershorit. Por, edhe prej ditës së djeshme nuk ka asnjë shenjë drite, sesi do të jetë skema e kompromisit mes opozitës së revoltuar deri në ekstrem dhe mazhorancës. Më poshtë jepen momentet kryesore të gjithë kësaj periudhe 18 mujore që sollën atë ndodhi dje në Tiranë.

KRONOLIGJIA
NGA 28 QERSHORI 200I TEK 21 JANARI 2011

VITI 2009
5 korrik – Njoftohet koalicioni Berisha-Meta. Rama deklaron se është deformuar vullneti i zgjedhësve

6 korrik – Deklarohet nisja e punës për dokumentimin e manipulimeve të zgjedhjeve

7 korrik – Rama vendos kushtet për njohjen e zgjedhjeve: Mandati i 9-të i Fierit, dhe numërimi në Shkodër dhe Berat

8 korrik – PS-ja nis hartimin e dy raporteve për rezultatet e zgjedhjeve dhe shkeljet ligjore

9 korrik – PS deklaron fillimin e punës për hartimin e “dosjes së zezë” të zgjedhjeve

10 korrik – Rama lajmëroi protesta popullore dhe mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve

13 korrik – Rama kërkon të bëhet transparenca e kutive në Berat, Shkodër dhe Tiranë. Gati dosja ankimore në Kolegjin Zgjedhor

14 korrik – PS deklaron se nuk do të njohë zgjedhjet pa u rinumëruar votat në Berat, Tiranë dhe Shkodër

15 korrik – KQZ rrëzon kërkesën e PS-së për rinumërimin e votave në Tiranë dhe Shkodër

20 korrik – Rama sulmon KQZ-në si institucion në dorën e maxhorancës: Berisha nuk mban me pahir pushtetin e grabitur

22 korrik – Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PS-së dhe G99-s për kutitë e Beratit. PS ka fituar vetëm në Fier

23 korrik – Kryetari i PS-së deklaron se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është skandaloz dhe se nuk njeh legjitimitetin e qeverisë së re

24 korrik – Mbyllen animimet në Kolegjin Zgjedhor. Rrëzohen kërkesat për Beratin, Shkodrën dhe Tiranën

28 korrik –Asambleja e PS-së nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve, Parlamentin dhe qeverinë. Kërkohet hetim për manipulimet

29 korrik – Rama shpall aksionin opozitar, hetimin e manipulimeve, protesta dhe zgjedhje të parakohshme

2 gusht – KQZ publikon rezultatin e zgjedhjeve me 7 vota pro. Ndërkombëtarët, të shqetësuar për situatën

3 gusht – PS lajmëron se do të depozitojë kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet, që do të kryesohet nga Braçe

5 gusht – PS depoziton “dosjen e zezë” të zgjedhjeve tek organizmat ndërkombëtare

21 gusht – Rama takon Grosruk: Ai deklaron: “Zgjedhjet e parakohshme, domosdoshmëri për të ruajtur demokracinë”

1 shtator – Presidenti shpall 7 shtatorin mbledhjen e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet. PS-ja vendos bojkotin

2 shtator – Rama i dërgon letër Topit: “Nuk e njohim legjitimitetin e Parlamentit dhe të qeverisë së re”

6 shtator – Grupi Parlamentar i PS-së shprehet se nuk do të hyjë në Kuvend pa transparencën e zgjedhjeve

7 shtator – Rama përcakton kushtet për të hyrë në Kuvend për mazhorancën

15 shtator – Del raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet.

20 shtator – Kryesocialisti Rama nis punën për krijimin e Frontit Opozitar. Ftesë edhe të djathtëve

24 shtator – Rama mbledh krerët e partive të majta. Nis puna për krijimin e Federatës

27 shtator – Rama zgjidhet kryetar i PS-së me parimin “Një anëtar, një votë”

1 tetor – Rama lajmëron nisjen e protestave për të kërkuar hetimin e zgjedhjeve

8 tetor – Rama mbledh Frontin Opozitar me parti dhe përfaqësues të sindikatave

10 tetor – PS hap protestat në Tiranë. Firmoset peticioni për projektligjin e hetimit të zgjedhjeve

14 tetor – Partia Socialiste bojkoton e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit

21 tetor – Berisha i ofron Ramës shumicën dhe kryesimin e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet

4 nëntor – PS nis bisedat me aleatët dhe grupet e interesit për protestën e 20 nëntorit në Tiranë. Protesta në rrethe të ndryshme të vendit

20 nëntor – PS organizon mitingun në Tiranë; Slogani: “Hap kutitë, ose ik!”

26 nëntor – Rama mbledh aleatët opozitarë: Berisha, ose të hapë kutitë, ose të largohet. Vazhdojnë protestat në rrethe dhe jashtë vendit

3 dhjetor – OSBE u bën thirrje palëve që të ulen për të zgjidhur krizën. Opozita parashtron idenë për zgjedhje të parakohshme

14 dhjetor – PS rinis protestat ditën që PD-ja zhvillonte Kongresin e zakonshëm

20 dhjetor – Opozita e udhëhequr nga PS nis grevën 3-ditore në sheshin para Kryeministrisë

27 dhjetor – Komisioni Europian kërkon zyrtarisht zgjidhjen e krizës nga palët. Dorëzohet Pyetësori për në BE

VITI 2010

19 janar – Ambasadorët nisin takimet me Topin, Topallin, Berishën dhe Ramën

29 janar – Asambleja Parlamentare e KiE-së miraton Rezolutën. Pranon krizën dhe i kërkon Topit të ndërmjetësojë

30 janar – Rama i kërkon Presidentit të nisë negociatat për takimin dypalësh

13 shkurt – Zhvillohet takimi i parë mes Ramës dhe Berishës në zyrën e Topit

18 shkurt – Asambleja Parlamentare e OSBE-së kërkon hetim të zgjedhjeve dhe ndërprerje të bojkotit

22-23 shkurt – vjen në Shqipëri Delegacioni i KiE-së. Takimi i dytë Rama-Berisha

23 shkurt – PS ofron skemën e hyrjes në Kuvend. Komisioni i Venecias të vendosë për kutitë

Më 25 shkurt – Deputetët e PS-së hyjnë në Kuvend

Më 4 mars – mazhoranca dhe opozita fusin për shqyrtim projektvendimin për hetimin e zgjedhjeve

Më 19 mars – vjen në Tiranë, Komisioneri Fule për ndërmjteësimin e krizës

Më 30 mars, Kryetari i PS-së, Rama i dërgon letër Fules për zgjidhjen e krizës

Në prill, – mazhoranca rrëzon në Kuvend propozimet e opozitës për hetimin e zgjedhjeve

Më 31 prill, – 19 maj zhvillohet greva e urisë nga rreth 200 qytetarë dhe deputetë socialistë

Më 21 maj – Zhvillohet takimi në restorant Krokodili mes Berishës dhe Ramës në praninë e krerëve të dy grupeve politike parlamentare të PE-së

Më 25 maj 2010 – Kryetari i PS-së, takohet me presidentin Topi për të ndikuar në zgjidhjen e krizës

Më 11 qershor, PS ofron skemë kompromisi para vendimit për heqjen e vizave

Më 24 qershor Parlamenti Europian miraton rezolutën ku parashikohet edhe formula për zgjidhjen e krizës

Në korrik nisin negociatat mes Ruçit dhe Patozit për zgjidhjen e krizës

Më 9 korrik – PS kërkon fillimisht hetimin për materialet zgjedhore dhe më pas për fletët e votimit

Në gusht dështojnë negociatat mes krerëve të dy grupeve parlamentare për gjetjen e formulës së hetimit

Më 22 tetor, – Partia Socialiste tërhiqet nga fletët e votimit dhe kërkon hetim të materialeve zgjedhore

Më 30 tetor, – kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Ruci i dërgon letër komisionerit Fyle për krizën

Më 4 nëntor, – Dështojnë negociatat e delegacionit të PE-së për gjetjen e një marrëveshje

Më 24 nëntor, – PS propozon amendamentet për hetimin e zgjedhjeve, duke hequr dorë zyrtarisht nga fletët e votimit

Më 20 dhjetor, – Kuvendi rrëzon kërkesën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve

VITI 2011

Më 4 janar, – Berisha e cilëson të mbyllur çështjen e kutive dhe kërkesën e opozitës për transparencë

Më 6 janar, – KQZ-ja nis punën për djegien e fletëve të procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit

Më 7 janar, – Materialet zgjedhore vendosen në Arkivën e Shtetit dhe do të hapen pas 50 vjetësh

Më 14 janar, – Asambleja e PS-së vendos që të rinisin protestat dhe demonstrata e parë të bëhet më 21 janar

Më 20 janar, – Rama i bën apel popullit opozitar që të vendosë për ikjen e qeverisë. Ndërkombëtarët, thirrje kundër dhunës

Më 21 janar, – Demonstratë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që përfundoi me tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur