PD dhe PS kanë treguar sot se deri më tani mungon kompromisi për zgjidhjen e krizës politike në vend. Fillimisht Partia Demokratike komunikoi përmes zëdhënëses se me ligj Ramës nuk i takon të hetojë zgjedhjet e certifikuara e më pas reagoi Partia Socialiste e cila tha se nëse negociatat dështojnë përgjegjësia bie mbi Sali Berishën.

Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi deklaroi se: Përpjekjet e Sali Berishës për të shtruar pyetje të kota, kur duhen zgjidhje, janë shprehje e një kapsllëku mendor që nuk e zgjidh krizën. Djemtë dhe vajzat që recitojnë ato çfarë ju shkruan Sali Berisha, nuk e fshehin dot se, përgjegjësia për mospranimin e kompromisit do ti takojë vetëm Sali Berishës. Nuk e fshehin dot as se afati 2 javor është ultimativ, sepse parashtron pasojat që do të vuajmë. Nuk e fsheh dot as se neni i famshëm 178 i kodit elektoral nuk është mbi kushtetutën, që ne na jep të drejtën të hetojmë pa kushte.Ndaj apeli ynë për Sali Berishën është: mos pengo vizat, mos pengo integrimin e vendit”.Partia Demokratike ka deklaruar sot se opozita s’ka asnjë hapësirë për të hetuar zgjedhjet e certifikuara. Reagimi vjen pas deklatarës së djeshme të z. Rama i cili tha se PS-ja s’po i kërkon hapësira Qeverisë por po i kërkon asaj t’i lejojë hapësirat që i jep Kushtetuta për hetimin e zgjedhjeve.

“Cila Kushtetutë dhe cili ligj detyron Qeverinë dhe mazhorancën e saj të marrë pjesë në një Komision Parlamentar Hetimor për zgjedhje të cilat janë certifikuar si zgjedhje që plotësuan standardet kryesore të OSBE – ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt?”, u shpreh sot zëdhënësja e PD-së.

Duke vijuar se “meqë Rama nuk i kërkon Qeverisë hapësira atëherë pyesim se në cilën Kushtetutë apo cilin ligj të vendit bazon kërkesën për të patur shumicën në Komisionin Hetimor Parlamentar ndërkohë që ligji për Komisionet Hetimore Parlamentare i miratuar nga qeveria e Partisë Socialiste përcakton se përbërja e këtyre komisioneve duhet të jetë proporcionale me përbërjen e Parlamentit?

“Në cilën Kushtetutë apo ligj të vendit ekziston e shkruajtur se zoti Rama ka të drejtën ekskluzive të hartimit të të gjitha amentamenteve për rekomandimet e OSBE – ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme?

Dhe së fundmi në cilën Kushtetutë apo ligj të vendit garantohet hapsira e zotit Rama për të shpallur publikisht se nuk njeh pikën 6 të nenit 178 të Kodit Elektoral të votuar me konsensualitet më shumë se cdo Kushtetutë apo ligj tjetër në këtë vend?”.

Pasi shtron këto pyetje Partia Demokratike kërcënon Ramën se nuk do t’i marrë hapësirat që do. “PD e garanton z. Rama se shteti ligjor do predominojë mbi këtë psikologjinë e tij totalitare dhe në rast se ai ofertat e qeverisë i konverton si një mandat për të ngritur veten mbi ligjet atëherë do të përballet me to”, përfundon deklarata.
___________

Rama: Djegia e fletëve, djeg zgjidhjen

Kryetari i Partisë Socialiste përmes një konference për shtyp ka bërë të ditur se opozita nuk tërhiqet nga kauza për transparencë që bazohet në hapje e kutive. Gjatë bashkëbisedimit të së premtes me gazetarët ai tha se nëse Berisha djeg fletët e votimit ka djegur edhe shansin për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Bashkebisedimi i plote i Rames me gazetaret
Në fillim doja të nënvizoja tre gjëra për zotin Berisha, lidhur me zhvillimet në kuadrin e tryezës së Strasburgut.

E para, qeverisë nuk i kërkon kush të ofrojë hapësirë për opozitën, po i kërkojmë të mos pengojë opozitën të shfrytëzojë hapësirën që i jep Kushtetuta, ligji dhe mandati i popullit.
Ne nuk kërkojmë nga zoti Berisha as më shumë e as më pak sesa të kuptojë që ky vend nuk është mbretëri, por është Republikë Kushtetuese.
Në këtë vend askush nuk mund të ndalohet të gëzojë, lirinë që i jep Kushtetuta dhe të ushtrojë të drejtat që i jep ligji. Këtij vendi nuk mund t’i imponohet dot nënshtrimi ndaj një pushteti të vjedhur, që s’ka as kurajë dhe as vullnet të bëjë, transparencën e zgjedhjeve nga kanë dalë.
E dyta zoti Berisha as e mishëron, as e përfaqëson sovranitetin e vendit, po thjesht drejton një prej pushteteve kushtetues të këtij vendi sovran, ku kryeministrit nuk i ka dhënë as Kushtetuta, as ligji, dhe as më pak pastaj populli, ndonjë mandat për të folur a për t’u sjellë si të ishte naltmadhnia ynë ose akoma më keq për të vepruar kundër Kushtetutës, ligjit dhe interesave publike apo private të kujtdo shqiptari.
Është koha e zgjidhjes së problemit të transparencës me urtësi dhe largpamësi. Ne jemi të gatshëm për zgjidhjen, por kurrë nuk do të tërhiqemi përpara arrogancës dhe dritëshkurtësisë së pushtetit.
Dhe e treta afati dy javor, ka padyshim një përmbajtje ultimative, të cilën zoti Berisha njësoj si unë, nuk ka asnjë arsye as ta dyshojë, e as ta mohojë, përderisa na është thënë fare shkoqur nga miqtë dhe partnerët e Shqipërisë, edhe publikisht, se çfarë kostoje do të kishte për vendin moszgjidhja e problemit të transparencës brenda këtij afati. Ndaj, unë i përsëris kryeministrit thirrjen për të dëgjuar zërin e arsyes dhe për ta harruar se mund ta hedhë lumin e kërkesës popullore për transparencë duke notuar mbi mjetet rrethanore të justifikimeve me kutitë e mbyllura në krah.
Së dyti çështja e liberalizimit të vizave.
E dëgjoj zotin Berisha që flet për premtim të mbajtur të qeverisë ndërkohë që Europa flet për nevojën e plotësimit të kushteve ende të paplotësuara dhe njëkohësisht për domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës aktuale duke i hapur rrugën transparencës. Ndaj e ftoj kryeministrin mos ua vonojë shqiptarëve heqjen e vizave më shumë seç ua ka vonuar dhe të hapë rrugën e zgjidhjes, duke mos menduar se dështimin e mundshëm, të radhës, për liberalizimin e vizave do t’ja faturojë opozitës. Ne kemi qenë jemi dhe do të jemi mbrojtësit më të zjarrtë të interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve edhe për liberalizimin e vizave dhe do të vazhdojmë t’i themi Europës atë që kemi thënë gjithmonë; Heqja e kufijve të lëvizjes për shqiptarët nuk duhet të kushtëzohet nga asgjë dhe me asgjë.
Dhe e fundit që kam lidhet me shkeljen e përditshme, abuzive, madje rëndom kriminale të lirive dhe të drejtave të sipërmarrjes për arsye thjesht politike. Është kthyer në sistem vendosja e gjobave politike mbi sipërmarrjen për arsyen e vetme thjesht dhe vetëm sepse ky pushtet i korruptuar, abuziv dhe në shkelje të plotë të lirive dhe të drejtave kushtetuese të njerëzve vepron në bazë të një liste të padëshiruarish që goditen papushim me forcën dhunuese të presionit financiar.
Apeli im në emër të opozitës shqiptare sot, për të gjithë ata që vënë gjoba politike, është të mos e shkelin ligjin për bukën e qeverisë sepse çdo shkelje e ligjit sot, do t’i vendosë shkelësit medoemos para ligjit nesër.

Dje janë larguar nga Tirana delegacioni i BE, është mbajtur heshtje çfarë është biseduar. A mund të quhet i suksesshëm për opozitën, kur ndërkohë ka media që thonë se delegacioni është shprehur se nuk mund të ketë rinumërim?

Unë i thashë ato se mendoj se janë të udhës të thuhen në kuadrin e zhvillimeve të tryezës së Strasburgut, por do ta theksoj për t’i dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë pyetjes suaj. Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar rinumërim për efekt të rezultatit, por kemi kërkuar hetim të fletëve të votimit për efekt të transparencës, si pjesë e hetimit të përgjithshëm ku përfshihen padyshim kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit për dy arsye, të thëna dhe të stërthëna, që nuk do të lodhemi së përsërituri. Nga njëra ana për të marrë të gjitha masat që me gjetjet e hetimit të përmirësohet kuadri ligjor i zgjedhjeve dhe nga ana tjetër për të çuar para organeve të drejtësisë çdo përgjegjës që individualisht identifikohet shkelës gjatë procesit të hetimit.

Fletët janë pika që ju mban të ndarë për kompromis?

Ne jemi jashtëzakonisht të bindur se procesi shkon në drejtimin e duhur dhe se rruga e transparencës po hapet. Vetë fakti që kutitë e dokumentacionit zgjedhor do të hapen është i mjaftueshëm në vetvete për të kuptuar se çfarë progresi të jashtëzakonshëm ka bërë kauza jonë.

Mund të konsiderohet e ezauruar çështja e kutive të materialeve zgjedhore?

Unë besoj që mund të flasim për ezaurim të çështjes kur të mbyllet ky proces dhe të fillojë procesi hetimit.

Pyetja bën fjalë për dekretet e Presidentit të Republikës, që kanë të bëjnë me Gjykatën Kushtetuese dhe me Gjykatën e Lartë. Cili do të jetë qëndrimi zyrtar i opozitës në këto momente. A do të marri pjesë opozita në komisionin për shqyrtim, por edhe në votim në parlament për këto 3 dekrete të Gjykatës së Lartë dhe si e cilësoni në fakt rrëzimin me votë të dekretit të Vangjel Kostës, duke pasur parasysh që ndërkombëtarët e kanë cilësuar si jo transparent dhe të çuditshëm?

Jam shprehur publikisht për këtë çështje, vetëm pak ditë më parë. Është shprehje e krizës së rëndë të vendit dhe asaj pjese të krizës që ka të bëjë me gjunjëzimin e shtetit të së drejtës dhe përpjekjen konstante për ti kapur të gjitha organet e sistemit të drejtësisë dhe për ti venë ato në funksion të interesave të oborrit të pushtetit. Dhe besoj se nuk mund të ketë asnjë dyshim që kjo që ndodhi me rrëzimin e dekretit për njërin prej anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, është shprehje e cilësisë mizerabël të parlamentarizmit, për shkak se edhe parlamenti është vënë në funksion të projektit për nënshtrimin dhe kapjen e të gjitha organeve të drejtësisë. Ashtu sikundër besoj se kjo konfirmohet plotësisht edhe për faktin që ka një shqetësim në rritje të komunitetit ndërkombëtar, të shprehur me zë të lartë nga qeveria e SHBA, përmes ambasadorit të saj në Tiranë.

Po qëndrimi që do të mbajë opozita në vijim, për pjesëmarrjen në komisione, dhe me votë në parlament për tre dekrete tashmë të shpallura për Gjykatën e Lartë?

Pa asnjë dyshim ne jemi të përfshirë plotësisht në jetën parlamentare, në ndërkohën që po punojmë intesivisht për të gjetur zgjidhje për problemin madhor të transparencës.

Zoti Rama ju në pjesën e dytë të deklaratës suaj folët për gjoba politike ndaj biznesit. Mund të jeni pak më qartë se çfarë janë këto gjoba. Dhe pyetja e dytë, nga mazhoranca jeni akuzuar pikërisht se për procesin e liberalizimit ju jeni bërë pengesë. Kush ka qenë roli i opozitës në këtë vendim që ka marrë dje KE?

Akuzat për pengesë të procesit të liberalizmit nga ana jonë unë thjesht i neverisë. Është e qartë si drita e diellit në sytë e të gjithë shqiptarëve përpjekja jonë e vazhdueshme dhe intensive për të nxitur procesin e integrimit të Shqipërisë në çdo strukturë nga NATO-ja tek BE, ku padyshim përfshihet edhe procesi i liberalizimit të vizave. Për të cilin unë pasur qysh në krye të herës bindjet time që nuk duhej të lidhej me asgjë e nuk duhet të kushtëzohej për asnjë arsye. Shqiptarët duhet të lëviznin lirisht kohë më parë dhe të mos mbeteshin pengje të mbrapshtisë së qeverive të tyre.

Gjobat politike janë një konstante në sjelljen e dhunshme të këtij pushteti. E meqenëse më pyesni mund ti referohem drejtpërdrejt gjobave që ju vihen sipërmarrësve që janë të angazhuar në median kritike ndaj qeverisë. Por nuk janë vetëm ata, por edhe plotë e plotë të tjerë me radhë.

Z. Rama, në hyrje të fjalës suaj dhatë një mesazh për kryeministrin Berisha se, qeverisë nuk i kërkon askush të krijojë hapësirë për opozitën. Mund të na shpjegoni qartë këtë mesazh?

Jo nuk kërkohet nga qeveria të ofrojë ndonjë gjë, sepse hapësirën për opozitën e ofron kushtetuta, e ofron ligji, e ofron sistemi ku ne jetojmë dhe e garanton mandati i popullit që përfaqësohet në parlament nëpërmjet opozitës. Ky është kuptimi i shprehjes sime.

Në çfarë niveli do zhvillohen negociatat?

Kjo është një pyetje që në fakt nuk mund të marrë përgjigje përfundimtare nga unë, sepse unë përfaqësojë vetëm një palë, dhe për zgjidhjen duhen dy palë. Por në emër të palës që përfaqësoj, unë e kam thënë prej ditësh dhe e përsëris me plotë gojën se ne jemi të gatshëm për zgjidhjen, dhe nuk jemi ne pengesa që zgjidhja të bëhet realitet pa humbur asnjë ditë.

Zoti Rama nga njëra anë ju thoni se procesi zgjidhjes së krizës po shkon drejt rrugës së zgjidhjes, ndërkohë flitet që në përfundim të afatit 2 javor do të ketë një marrëveshje të cilën duhet ta nënshkruani ju dhe zoti Berisha. Nga ana juaj, ju do e nënshkruani këtë marrëveshje?

Përgjigja ime për të katërtën herë gjatë këtij bashkëbisedimi është, që ne jemi të gatshëm për zgjidhjen, ne nuk jemi pengesa që e mban zgjidhjen peng. Dhe zgjidhja është e thjeshtë, është e qartë, është në tavolinë. Mjafton vullneti i dy palëve që ajo të bëhet realitet. Vullneti ynë nuk mungon.

Edhe pa fletët e votimit zoti Rama, sepse mazhoranca e ka lënë të hapur opsionin e djegies së fletëve të votimit, në rast se ju jep kutitë e materialeve zgjedhore?

Djegie e fletëve të votimit është djegie e çdo shansi për zgjidhje.

Po në rast se ndodh?

Nuk jemi këtu për të parë me syrin e mosbesimit. Po jemi këtu për tu investuar që zgjidhja të realizohet dhe me besim të plotë palët të shkojnë përpara për të mirën e vendit dhe në interes të publikut.

Zoti Rama, edhe PS edhe PD, dalim pothuaj me deklarata të njëjta. Të dyja akuzojnë njëra tjetrën se po bëhen pengesë për liberalizimin e vizave. Në rast se deklaratën tuaj e marrim për të vërtetë, çfarë do të fitoj kryeministri Berisha me pengimin e liberalizmit të vizave?

Unë nuk them, dhe ne nuk themi që qeveria e pengon liberalizimin e vizave. Por themi që qeveria e ka vonuar pafundësisht këtë liberalizim, sepse është e paaftë, është e papërgjegjshme dhe ka pasur prioritete të tjera që lidhen me interesa personale, familjare, klanore dhe me përfitime që nuk janë përftimit e publikut. Ky është dallimi.

Do ketë një takim tjetër midis jush dhe zotit Berisha lidhur me negociatat?

Nuk di ta them këtë, por nga ana ime nuk ka pasur asnjëherë problem për takime të tilla.

A është e gatshme zoti Rama, PS-ja që gjatë kësaj periudhe dy javore që është vendosur si ultimatum, të shqyrtojë dhe opsione të tjera në rast mos zgjidhje. Dhe a do të kërkohet më tej mosnjohja e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme?

Jua kam thënë vijimësisht, kur padashje dhe shumë ndër ju binin pre e propagandës abuzive të pushtetit se ne kërkojmë rrëzimin e qeverisë. Në demokraci, qeveritë nuk rrëzohen, dorëzohen.

___________

25 Maj

Takimi Rama-Topi

Ka përfunduar rreth orës 13:45 takimi mes Presidentit Bamir Topi dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Biseda mes tyre ka zgjatur për më shumë se një orë dhe siç njofton zyra e shtypit ka qenë kokë më kokë.

Deri më tani nuk ka asnjë detaj rreth bisedës, pasi Rama nuk u prononcua për mediat kur doli nga Presidenca. I vetmi informacion është ai i zyrës së shtypit të Presidentit që thotë se “Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot me kërkesën e tij Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Situata më e fundit politike në vend ishte temë kryesore e bisedës kokë më kokë të zhvilluar në zyrën e Kryetarit të Shtetit”.

Takimi vjen pas kthimit të Ramës nga Strasburgu, ku u la një periudhë dy javore për arritjen e një marrëveshje me mazhorancën.