Kriza morale dhe korrupsioni
XHELAL NEZIRI
Javën e kaluar lexova një deklaratë të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i cili për shkallën e lartë të korrupsionit akuzoi të gjitha partitë politike atje. Tha se çdo parti në Kosovë është më pak ose më shumë e korruptuar dhe se të njëjtat vazhdojnë të votohen nga shoqëria kosovare. Dell tha se partitë janë pasqyrë vetë shoqërisë. Pra, sipas kësaj, del se në Kosovë kemi një shoqëri kryesisht të korruptuar, që mbajnë llogari si të gjejnë rrugë për të ardhur deri te plaçkitja e shtetit e jo te ndërtimi dhe forcimi i tij.
Definicionet si „çdo popull ka atë udhëheqësi që e meriton“ apo „partitë dhe institucionet janë pasqyra e një shoqërie“ janë katërcipërisht të sakta dhe besoj se të gjithë pajtohen me konstatimin e Dellit.
Në Maqedoni korrupsioni tani më është bërë sistem jetese. I korruptuari perceptohet si i aftë kurse ai që punon konform normave morale shihet si budalla. Po qe se punon në një institucion dhe e pret vetëm rrogën mujore të përqeshin të gjithë. Të thonë se je i paaftë, nuk je i mirë as për veten e as për shoqërinë. Nëse ua tregon vizionin tënd se dëshiron të vendosen disa principe në funksionimin e atij institucioni, të gjithë qeshin me zë. Në shoqërinë tonë institucionet ende akceptohen si miniera ari, si Eldorado, ku paratë bien nga qielli dhe se çdonjëri që ka qasje te paratë duhet t“i vjedhë ato. Shumë pak nga shoqëria jonë e sheh arkën shtetërore ose të institucioneve si një arkë e përbashkët e të gjithë neve, për menaxhimin e mirë të së cilës kemi zgjedhur njerëz me votat tona. Askush nuk mban llogari se ku përfundojnë paratë nga taksat që paguan gjatë pagesës së faturave të rrymës, telefonit, naftës, pemëve, perimeve, bukës, qumështit… Nëse për një muaj një familje katëranëtarshe shpenzon 400 euro për nevojat e përditshme, atëherë në arkën e përbashkët shtetërore apo institucionale ai ka transferuar një të tretën e tyre. Pra, për të gjitha shërbimet që duhet t“i kryejnë institucionet ndaj qytetarëve çdo familje transferon përafërsisht nga 150 euro në muaj. Këto para nevojitet ti kthehen si arsim kualitativ, shëndetësi efikase, infrastrukturë të mirë, ujë të bollshëm apo, në përgjithësi, standard të mirë jetese.
Secili nga ne kemi dëgjuar të akuzohen dhe të etiketohen si budalla ish-funksionarë që nuk janë të pasur. Në vend që të merren si model, t’u jepet përkrahje, ata përbuzen dhe përçmohen. Për ato ka mbaruar karriera politike pasi nuk i respekton as shoqëria, as votuesit bile i dëbon edhe partia. Është sekret publik se një ministër i suksesshëm për çdo parti është ai që është „i aftë“ të sjellë në parti qeset e zeza të najlonit të mbushura me para. Ky profil i ministrit është më i preferuari i liderit, bile do ta kishin blerë edhe partitë rivale pasi është dëshmuar me driblimet e tij në fushën korruptive.
Deklarata e ambasadorit Dell tregon për një dorëzim të ndërkombëtarëve në luftën e tyre të projektuar kundër korrupsionit. Ata mbase tani e kanë kuptuar se të luftosh korrupsionin në këto vende është një mision i pamundur, i komplikuar dhe që ka rrënjë të thella socio-psikologjike. Korrupsioni tani më është një sëmundje patologjike e shoqërive të këtushme që ka metastazuar në të gjitha sferat shoqërore. Secili që dëshiron të punësohet në administratë shtetërore apo institucione publike duhet të gjejë linkun e duhur për të blerë vendin e punës. Dhe, në atë vend ai sillet si pronar dhe nuk mban llogari se është në funksion për të shërbyer qytetarin.
Korrupsioni bile nuk bën më lajm edhe për mediat, është një fenomen që mund ta gjesh kudo. Për korrupsion flitet në të gjitha institucionet dhe në të gjitha nivelet. Është bërë normalitet i joni i përditshëm dhe dalëngadalë po rrënon të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Të gjithë flasin për tendera dhe secili dëshiron të përfitojë nga kjo tollovi korruptive. Në këtë treg të zi të korrupsionit në shitje është gjithçka, që nga të drejtat kolektive të shqiptarëve e deri te karriget e foshnjoreve. Ata që s“pajtohen me këtë sistem të përmbysur vlerash dëshirojnë të lëshojnë këto shoqëri të kapluara kriza morale. Të ikin diku jashtë për të gjetur një shoqëri normale, ku taksat e paguara ndaj shtetit t“i kthehen në kushte më të mira jetese, në shkolla të ngrohta për fëmijët e tyre, në mundësi të barabarta për punë dhe karrierë. Atje ku funksionarët shtetëror japin dorëheqje si pasojë e presionit nga shoqëria vetëm se nuk kanë lajmëruar një donacion apo se kanë shfrytëzuar veturën zyrtare për nevoja private. Ish-kancelari gjerman Helmut Koll, njeriu që bashkoi dy Gjermanitë, nga një hero u shndërrua në person të padëshiruar vetëm se u zbulua se nuk kishte paraqitur një donacion për partinë e tij. Qesharake kjo për shoqëritë tona, ku Koll me siguri do të kishte së paku një përmendore. Njëjtë është edhe me aferën Watergate në vitin 1974, kur edhe presidenti i atëhershëm amerikan Nixon dha dorëheqje për shkak të presionit të madh në shoqëri pasi kishte përgjuar kundërshtarët politik.
Pra, Dell dhe diplomatët tjerë nga jashtë kanë të drejtë kur thonë se partitë e korruptuara janë pasqyra e shoqërisë tonë. Kjo do të thotë se shumica e qytetarëve që votojnë partitë e korruptuara do të plaçkitnin arkën e përbashkët të institucioneve nëse do u jepej mundësia. Ata që hiqen si politikisht pasivë, apolitik apo që nuk u intereson politika, me indiferencën e tyre në mënyrë të tërthortë përkrahin këtë fenomen pasi edhe atyre u vidhen rrugë, shkolla, spitale, fusha sporti dhe standard i mirë jetese.