Kreu i SHISH-it do thirret në Kuvend. Braho: Përgjimi, skandal që nuk u guxua as në kohën e Koçi Xoxes
Shkresa përmes të cilës Shërbimi Informativ Shtetëror vë nën përgjim drejtues të lartë të Policisë së Shtetit është konsideruar antiligjore nga kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho. Sipas tij, ky është një skandal i përmasave të medha. Braho tha se veprime te tilla nuk janë ndërmarrë as gjatë kohës së diktaturës.
“Janë totalisht jashtë objektit të përcaktuar nga ligji për organizimin e funksionimi i SHISH. Kemi të bëjmë me një kërkesë të kundraligjshme, madje me elementë të veprës penale, shpërdorim i detyrës më e pakta. Po të sjellim për analogji, as në kohën e Koçi Xoxes nuk janë bërë këto dhe kur tentoi t’i bënte, Enveri i preu kokën. E thënë me atmosferën që përjetojmë, duket si një axhendë zyrtare e përputhur me një axhendë politike. Axhenda zyrtare e SHISH, ndërkohë që është axhenda e Partisë Demokratike, e cila po merret me këtë situatë duke akuzuar mjaft drejtues të policisë për implikime në krim”, deklaroi Braho.
Për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje, zoti Braho theksoi se kreu i Shërbimit Informative Shtetëror do të thirret në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku do të kërkohet informacion më i detjuar për atë që ai e quajti një skandal i paprecedent.
“Do ta shohim me gjakftohtësi situatën dhe do të informojmë në radhë të parë Parlamentin dhe në radhë të dytë presidentin e kryeministrin, i cili është personi direkt që është i ngarkuar me mbikqyrjen e ligjit për SHISH-in. Kemi të bëjmë me një shkërmoqje të kësaj strukture. Nuk e di, është mjaft e rëndë!”, tha Braho.