Kriza politike në Shqipëri e adreson veprimin e opozitës së majtë drejt mosbindjes civile. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje në një konferencë për shtyp, se kushtet ku ka hyrë vendi, delegjitimiteti i qeverisë, kriza ekonomike dhe arbitrariteti i pushtetit e bëjnë të detyrueshme përshkallëzimin e protestave të nisura së fundmi. Ai ka bërë një interpretim konkret në mbështetje të idesë në fjalë, duke nënvizuar se e gjithë panorama aktuale që i ofrohet qytetarit si protagonist i të keqes së pushtetit, zë fill në manipulimin elektoral dhe në raportin e përmbysur që është krijuar mes ngrehinës juridike në Shqipëri dhe zbatimit të normave që ajo sanksionon. “Kemi shkruar një ligj për zgjedhjet dhe sot kemi një Parlament të dalë nga shkelja e këtij ligji. Kemi pasur një ligj për zgjedhjet dhe sot kemi dy palë në konflikt se nuk është zbatuar ligji. Në rast se moszbatimi i ligjit kthehet në normë, atëherë ne jemi në kushtet kur populli duhet të marrë fatet e veta në dorë. Protesta është e vetmja rrugë deri në mosbindjen civile”, deklaroi kreu i PS-së. Me një terminologji që dëshmon se komunikimi politik mes dy palëve nuk jep asnjë sinjal përmirësimi, Rama nuk i ka shtuar asgjë propagandës së ditëve të fundit që ka bërë të qartë se opozita nuk do të heqë dorë nga kërkesat e veta. Protesta e 30 prillit në këtë kontekst është një provë force që do të katalizojë të gjithë forcën organizuese të PS-së, në funksion të krijimit të pozitave të reja negociuese. Pa mohuar në asnjë rast vullnetin për marrëveshje me shumicën e djathtë, kreu socialist e ka adresuar kështu aksionin e rrugës si një instrument që do të mundësonte riintegrimin e PS-së në jetën institucionale. Nëse kërkesat zyrtare të selisë rozë u përmbahen parimeve të funksionimit të demokracisë, qëndrimet e nënrenditura apo të nënkuptuara japin një ide të asaj që mund të quhet përpjekje për një marrëveshje të ndershme mes palëve. “Asnjëherë nuk kemi qenë as si forcë politike, por as unë personalisht si kryetari i partisë më të madhe në vend, kundër çfarëdo lloj tryezë dhe çfarëdo lloj diskutimi në cilëndo instancë”, u shpreh më tej Rama lidhur me idenë e një takimi me Kryeministrin Sali Berisha. Një reagim që pason deklarimet e një dite më parë të kreut të qeverisë dhe që e ripërcakton kuptimin praktik të marrëveshjes politike që do t’i jepte fund krizës së tanishme. Pranimi në parim i tryezës së negociatave gjithsesi nuk jep ndonjë të dhënë rreth axhendës së mundshme që PS-ja do të vinte para Kryeministrit, por është më se e qartë se përkundrejt kësaj hipoteze, selia rozë ka në dorë mjaft arsye të besueshme për të motivuar protestat dhe mosbindjen civile. Kriza ekonomike është më kryesorja në këtë kuadër dhe që sipas fjalës së djeshme të kreut të PS-së, tanimë faktohet edhe nga shifrat e institucioneve të shtetit shqiptar. Kështu, në ndryshim nga trumbetimi i rritjes ekonomike dhe eksporteve në shifra të pakrahasueshme në planet, Rama është mjaftuar me referencën e Bankës së Shqipërisë për t’i dhënë publikut shqiptar një të vërtetë krejtësisht tjetër. “…duke trajtuar deficitin buxhetor banka jep të njëjtën shifër që jep edhe Ministria e Financave për vitin 2009. Një shifër që pa e kundërshtuar ne e marrim si pikë referimi, arrin lehtësisht në konkluzionin se në raport me inflacionin për vitin 2009 rritja ekonomike reale në vitin e shkuar është 0 dhe ndërkohë jo vetëm është 0 si rritje e përgjithshme ekonomike e një viti, por ka një tendencë rënieje nën zero”, tha kreu i opozitës së majtë. Mashtrimi me shifrat dhe manipulimi i të dhënave janë cituar prej tij si tipare të organeve shtetërore që synojnë të fshehin situatën e vërtetë në vend, duke legjitimuar propagandën zyrtare.