KQZ: PDK fiton zgjedhjet me 32.40 %
Pas rivotimit në Mitrovicë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me rezultate preliminare në nivel vendi, për subjektet politike, që garuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 dhjetorit.
Partia Demokratike e Kosovës fiton 32.40 %, Lidhja Demokratike 24.67 %, Lëvizja Vetëvendosje 12.55%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 11.09 %, Aleanca Kosova e Re 7.22 %, Partia Fryma e Re 2.15 % dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë 2.13 %.
Rezultatet preliminare në nivel vendi u shpallën njëkohësisht me rezultatet e rivotimit në Mitrovicë, në bazë të të cilave, sipas KQZ-së, PDK ka fituar 47.47 %, LDK – 22.3 %, VV – 11.5 %, AAK- 6.3 %, AKR -6.0 %, FER – 1.4 % dhe LDD – 0.2 %.
Sipas KQZ-së, dalja e votuesve në nivel vendi është 47 %.
* * * * * *
DnV: PDK në nivel vendi 30.85, LDK 26.37, VV 13.30, AAK 10.51, AKR 8.2 %
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është fituese në Mitrovicë pas rivotimit të djeshëm në të gjithë komunën. Fitorja e PDK-së është bërë publike në mesnatë nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DV).
Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit, ku përfshihet edhe rivotimi në Mitrovicë, sipas të cilave partia e parë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 30.85 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka 26.37 për qind, Lëvizja Vetëvendosje 13.30 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 10.51 për qind, Koalicioni për Kosovë të Re 8.2 për qind, FER 2.63, Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) 2.20 për qind, ndërsa të gjitha subjektet tjera 6.13 për qind. PDK prin në rivotimin në Mitrovicë me 47.18 për qind, LDK 22.69 për qind, Lëvizja Vetëvendosje 11.55 për qind, AAK 6.32 për qind dhe FER 6.04 për qind. Në këto rezultate pukjanë të përfshira votat me kusht.
Veton Mujaj nga “Demokracia në Veprim” ka prezantuar parregullsitë në procesin zgjedhor në Mitrovicë, ku sipas të dhënave të kësaj organizate të drejtën e tyre për votim e kanë shfrytëzuar 22 mijë e 473 qytetarë, ose 25.88 për qind.
Ismet Kryeziu, udhëheqës i “Demokracisë në Veprim” ka publikuar rezultatet preliminare për komunën e Mitrovicës, sipas të cilave fituese është Partia Demokratike e Kosovës me 47.18 për qind të votave.
“PDK udhëheq me 47.18 për qind, LDK 22.69 për qind, AAK 6.32 për qind, Lëvizja Vetëvendosje 11.55 për qind, FER 6.04 për qind”, ka thënë ai.
Në këtë konferencë janë publikuar edhe rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit, të cilat përfshijnë votat prej 90 për qind të gjitha vendvotimeve në Kosovë.
Kryeziu ka thënë se rezultatet janë për të gjitha subjektet politike, të cilat kanë garuar në zgjedhjet e 12 dhjetorit, duke përfshirë edhe procesin e rivotimit në Skenderaj, Drenas, dhe Mitrovicë, ndërsa marzha e gabimit mund të jetë nga 1 deri në 3 për qind.
“PDK në nivel kombëtar ka 30.85 për qind, LDK ka 26.37 për qind, Vetëvendosje ka 13.30 për qind, AAK 10.51 për qind, AKR 8.2 për qind, ndërsa subjektet tjera FER ka 2.63 për qind, LDD 2.20 për qind, ndërsa subjektet tjera SLS, SDS, SDA, KDTP, GIG, PSDAK, të gjitha së bashku kanë 6.13 për qind”, ka thënë Kryeziu.
Drejtues të DnV kanë bërë të ditur se në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, të cilat mund të ndikojnë në rezultatet përfundimtare, ndërsa gjatë ditës së hënë do të dalin me një konferencë për media.
Për sa i përket rezultateve të kandidatëve të subjekteve politike, Kryeziu ka thënë se ato nuk dallojnë shumë nga ato të cilat janë publikuar nëpër media.
