(E plotësuar) Pas rekomandimit të PZAP-it, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të shkohet në rivotim në komunën e Skenderajt, Drenasit dhe Deçanit, ndërsa ka vendosur që të ketë rivotim të pjesshëm në komunën e Lipjanit dhe atë të Malishevës. Zgjedhjet do të mbahen më 9 janar 2011, pas të cilave KQZ edhe do të bëjë publikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

PZAP urdhëron KQZ-në të përsëris zgjedhjet në 5 komuna

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pas shqyrtimit të ankesave të LDK-së, Vetëvendosjes, KDI-së dhe BIRN-it, ka vendosur të pranojë ankesat për parregullsi në procesin zgjedhor në Drenas, Skenderaj, Deçan, Malishevë dhe Lipjan, si dhe ka urdhëruar KQZ-në për përsëritjen e pjesshme të zgjedhjeve në këto komuna.

Paneli i PZAP-it në përbërje të plotë prej 10 anëtarëve, të enjten ka shqyrtuar dhe vendosur ankesat A. nr. 490; 528; 542; 563; 554 ; 555; 557; 561; 562; 563; 564; 566; 570, 574; 580; 581; 593; 595; 596; 597; 599; 601; dhe 604, të cilat kryesisht kanë pasur të bëjnë me parregullsitë që janë shkaktuar gjatë ditës së votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në komunat Skenderaj, Drenas, Deçan, Malishevë dhe Lipjan.

Ankesat janë bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Hulumtues (BIRN).

PZAP-i gjithashtu ka urdhëruar KQZ-në që të bëjë ndërrimin e komisionarëve të qendrave të votimit dhe të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të rivotimit.