Rina Çela- Në gjykatën e Hagës, në këtë arenë ndërkombëtare po ndeshen dy vende, dy etni : Kosova e Serbia, Shqiptarët e Serbët, për ta njohur të ligjshëm apo të paligjshëm pavarësinë e këtij shteti të ri të Europës. Si në tragjeditë greke perënditë, të pushtetshmit e kësaj bote, Rusia dhe SHBA-ja, përkrahin njërën dhe tjetrën palë në prapaskenë. Aleancat në bazë të origjinës, të fesë, të interesave ekonomike, gjeopolitike po ndërthuren si kurth mbi fatin e një popullsie që rrezikon të mbetet peng i HISTORISË. A e dinë kosovarët se vendi i tyre është nën dritën e projektorëve të skenës ndërkombëtare ? Pse dy vite pas shpalljes së pavarësisë vetëm 65 vende kanë njohur Kosovën, nga 192 që bëjnë pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ? Pse një pjesë e shteteve që luajnë rol të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare kanë refuzuar kategorikisht njohjen e pavarësisë ? Çfarë interesash ekonomike, gjeopolitike, ushtarake luhen në prapaskenë ?   Pavarësia e Kosovës, e quajtur ndryshe Kutia e Pandorës nga armiqtë e saj, a do të përdoret si cassius belli[1][1] për luftërat e ardhshme të shekullit të XXI ? A ka mbaruar VERTET  lufta PER Kosovën ?

1. Thembra e Akilit e Politikës Ndërkombëtare

Rishikimi i kufijve të shteteve në bazë të etnisë është thembra e Akilit e politikës ndërkombëtare. Nëse Organizata e Kombeve të Bashkuara do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, ekziston frika se do të krijohet një preçedent që mund të justifikojë luftërat e ardhshme për pavarësi të mijëra etnive nëpër botë. Lista është e gjatë : Kina mund të humbë Tajvanin, Tibetin dhe Sin-Kiangun musliman ; India, Kashmirin. Në Sri Lanka, minoriteti etnik Tamul « vlon » prej vitesh për t’u shkëputur.

Abkazia dhe Ossetia e Jugut, krahina autonome të Gjeorgjisë, shtet i krijuar me 1991 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovietik në 15 shtete, shpallën pavarësinë pa arritur të marrin miratimin e OKB-së.  I njëjti problem shtrohet për Transnistrinë rusofone që mund të kërkojë të shkëputet nga Moldavia (romanofone) për t’u bashkuar me Rusinë. Nagorni-Karabak, enklavë armeniane ortodokse në Azerbaixhanin mysliman pret rastin të bashkohet me Armeninë.

Lista e vendeve që janë të ndjeshme ndaj pavarësisë së Kosovës është e gjatë dhe nuk kursen as Europën e Amerikën. Në Europë, Spanja bën pjesë në grupin e vendeve që kanë refuzuar njohjen e Kosovës, nga frika se mos humbë territoret baske e Katalonjën. Në Belgjikë tensionet etnike të shkaktuara nga flandrët, etni hollandeze që shtrihet mes Belgjikës, Francës e Hollandës po japin shenjat e një vullkani në zgjim; Britania e Madhe me Skocinë dhe Irlandën, Italia me Ligën e Veriut që kërkon shkëputjen e Italisë së Veriut në shtet më vete ; Rumania e Sllovakia me minoritetet hungareze. Lëvizjet separatiste në Kaledoninë e Re dhe Korsikë për të kërkuar pavarësinë nga Franca kanë partizanët e tyre.

Në Amerikën e Veriut, krahina frankofone e Kebekut ndjek nga afër proçesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe lëvizja për pavarësinë merr shtrirje gjithnjë e më të gjerë. Më 1976 referendumi popullor për pak ia arriti kësaj pavarësie, me 49 % pro të zërave !

Në Afrikë luftërat etnike bëjnë batërdinë dhe prej vitesh Afrika Qendrore, Çadi, Sudani, Etiopia, Kongo, Kameruni, Gaboni, Bregu i Fildishte, Senegali, Ruanda janë kthyer në skena të përgjakshme ku etni të tëra janë në luftë gjenocide ku nuk kursehen as gratë e fëmijët… Në vitin 2008, 61 mijë kaska blu të OKB-së gjendeshin në kontinentin afrikan nga 88 mijë që ka gjithsej në dispozicion. Sipas UNCHR rreth 6 million persona janë refugjatë dhe 25 million janë detyruar të braktisin vendin e tyre në këtë kontinent !

Tërësia e këtyre argumenteve përdoret, ose më mirë keqpërdoret nga Serbia e Russia. Sipas tyre Kosova mund të shkaktojë efektin domino e të nxisë ndjenjat separatiste të etnive që kërkojnë pavarësi kudo në botë.  Ata përpiqen ta « mbysin » çështjen kosovare mes historish « të ngjashme » kombesh të tjera. Në këtë arsyetim mund të gjejmë përgjigje se pse shumë shtete që kanë tensione etnike japin të njëjtën përgjigje si Zapatero në Spanjë  : « Nuk do ta njohim kurrë pavarësinë e Kosovës !».

2. Çfarë fshihet pas spektaklit të Hagës

Në fund të vitit 2010 Gjykata e Hagës do të japë përgjigjen nëse është e ligjshme apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës. Serbia ka depozituar në Gjykatën e Hagës 2 libra me argumente qe shkojnë kundër pavarësisë së Kosovës, përkatësisht 350 e 600 faqe. 30 shtete po bëjnë sfilatë para 15 gjykatësve duke dhënë argumente nëse është apo jo e ligjshme shpallja e pavarësisë e Kosovës.

Kosova – një komb, një gjuhë, një kulturë, një trashëgimi, historikisht në të njëjtin territor… përfshirja në shtetin serb daton një periudhë kohe relativisht të shkurtër, vetëm një shekull… Në kohën kur, nga të gjithë shtetet sllave që braktisën Jugosllavinë për të qenë të pavarur pas periudhës së Millosheviçit, Kosova është i vetmi shtet që nuk ka asgjë të përbashkët me Serbinë. Pse Serbia nuk do ta lëshojë në asnjë mënyrë Kosovën ?

Pyetja tjetër që vjen logjikshëm është se pse Rusia po e përkrah kaq shumë Serbinë ? Ndjenjat e përkatësisë sllave janë arsyet e vetme në themel të kësaj mbështetjeje pa kusht ? Arsye të tjera fshihen pas kësaj maskarade që po luhet, për fat të keq edhe një herë në kurriz të Kosovës martire.

3. Kosova peng mes ndeshjes Rusi – ShBA

Kosova ka fatin që të jetë e përkrahur nga ShBA-ja, që luajti rolin kryesor për t’i dhënë drejtim çështjes së Kosovës, e ndjekur nga Franca, Anglia, Gjermania e Italia, vendet e para që njohën zyrtarisht pavarësinë e dërguan përfaqësi diplomatike urgjentisht në vend.

Por, mbi të gjitha Kosova pati fat që u gjend në kryqëzimin e tre korridoreve të rëndësishme europiane : korridori IV, VIII dhe X ku Europa ka investuar dhe vazhdon të investojë miliarda dollarë. Këto projekte stategjike kurorëzohen me projektin e naftësjellësit AMBO (Albanian, Macedonian and Bulgarian Oil Corporation) që do të kalojë përmes Kosovës. Ky naftësjellës do të lejojë që të transportohet nafta nga puset e Kashaganit në veri të Detit Kaspik deri në portin e Vlorës. Në një hipotezë të mundshme të ardhjes në pushtet të fondamentalistëve islamistë në Turqi, nafta që vjen nga deti Kaspik mund të shmangë kanalizimin aktual përmes ngushticës së Bosforit e të transportohet përmes një rruge të sigurtë, të garantuar nga 4 baza ushtarake amerikane në Rumani, 2 në Bullgari dhe një në Kosovë, baza Bonsteel pranë qytetit të Ferizajt !!! Marrja e masave paraprake është mëse normale në një kontekst ndërkombëtar të komplikuar për SHBA-në që është angazhuar në dy luftëra që s’po u duket fundi në Afganistan dhe në Irak, e luftëra të tjera që po profilohen në horizont me Iranin e Pakistanin…

Kur ShBA-ja forcon pozitat e saj në Ballkan, Rusia kërcet dhëmbët. Ajo bën të pamundurën për të realizuar aksin BRIK (Brazil-Rusi-Indi-Kine) që do të abdikonte nga froni i drejtuesve të botës ShBA-në dhe Europën. Programi i « modernizimit » të Rusisë ka vetëm një qëllim : të forcojë fuqinë ushtarake ruse. Që ditën kur erdhi në pushtet, presidenti Medmedev nuk le rast pa përmendur “se raporti i forcave ka ndryshuar”. “Lufta mund të shpërthejë papritur… Konfliktet lokale që nuk kanë shpërthyer akoma e që i quajmë ndryshe konflikte të ngrira mund të kthehen në vatra lufte.” Në tetor të vitit 2009 Medmedev modifikoi ligjin për mbrojtjen dhe tani ai ka mundësi të angazhojë ushtrinë ruse pa autorizimin e Këshillit të Federatës. Ai ka të drejtë të ndërhyjë me ushtrinë ruse në rast “sulmi kundër forcave të armatosura ruse jashtë Rusisë”, dhe “të mbrojë një shtet që i ka kërkuar ndihmë Rusisë”. Ky paragraf i fundit është shumë i rëndësishëm, sepse afirmon që Rusia është e gatshme të ndërhyjë ushtarakisht edhe kur territori i saj nuk është i kërcënuar. A do ta përdorë këtë paragraf Rusia në rast se Gjykata e Hagës vlerëson se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është prekje e sovranitetit të Serbisë ?

Rusia sulmoi Gjeorgjinë dhe edhe sot e kësaj dite mban të pushtuar 20% të territorit të saj nën vështrimin e zgurdulluar të diplomacisë botërore. Kulmi është se Rusia mburret me këtë gjest si mbrojtës i të drejtës ndërkombëtare duke përkrahur minoritetin e Osetisë së Jugut. Përpjekjet e OKB-së dhe marrëveshja me presidentin francez Sarkozi për të negociuar tërheqjen e trupave ruse nga Osetia është shkelur me këmbë nga Medmedev. Çdo të ndodhë nesër kur ky president kapriçioz e i plotfuqishëm do të zgjohet me dëshirën për të provokuar SHBA-në dhe për të bërë një luftë tjetër ? Larg qoftë, Kosova do të ishte një rast i shkëlqyer “për t’i ardhur në ndihmë Serbisë, së cilës i është prekur sovraniteti” e për të shpërthyer një luftë në mes të Europës.

Perëndimi e di këtë rrezik dhe kjo është arsyeja pse integrimi i Serbisë në Komunitetin Europian është përshpejtuar. Shqiptarët e shohin me xhelozi këtë integrim që është themel një manovër politike për të shmangur një konflikt katastrofik në Kosovë e në Ballkan.

Shqiptarët u ngazëlluan me aktin e shpalljes së pavarësisë, mbyllën një kapitull e filluan të shkruajnë një faqe tjetër të historisë së tyre me besim të plotë në vetvete dhe tek aleatët e fuqishëm që kanë në krah.  Por nuk duhen nënvlerësuar armiqtë e rrezikshëm që janë përballë, interesat makroekonomike e gjeopolitike që po luhen në oborrin e tyre.

Integrimi i Kosovës në Europë është sot e vetmja garanci për pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët duhet të tregojnë sot, më shumë se kurrë dëshirën dhe vullnetin e mirë për të ngritur një shtet mbi themelet e demokracisë, ligjeve e respektimit të të drejtave të minoriteteve, ngritjes së një ekonomie të shëndetshme.

Diplomacia shqiptare duhet të formulojë sot një politikë të brendshme e të jashtme aktive e të zhdërvjellët. E të mos harrojë se një shekull më parë, ishin interesat e Fuqive të Mëdha që vendosën për fatin e trojeve shqiptare. Historia nuk duhet të përsëritet, nuk mund të përsëritet !

Më së fundmi i uroj Shqiptarëve kudo ku janë Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës !

Lion, 17 shkurt 2010

Rina Çela – Kryetare e Shoqatës Shqiptare Iliria Lion, Francë