Kosova do të bashkohet në rrjetin energjetik të Shqipërisë nga muaji prill i vitit të ardhshëm, sipas një marrëveshje të nënshkruar të hënën, duke i dhënë fund varësisë nga rrjeti i Serbisë, autoritetet e së cilës reaguan me zemërim.

Të hënën në Tiranë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), nënshkruan Marrëveshjen për themelimin e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një njoftim të KOSTT-it thuhet se “operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”.

Njoftimi citon kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala , të ketë thënë se “kjo është marrëveshje historike për Kosovën meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese serbe (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut)”.