BAROMETRI DIPLOMATIK
Prof. Dr. Mehdi Hyseni-Prandaj, ka ardhur çasti historik që të gjithë kryeliderët e partive, e lëvizjeve, e fronteve politike kombëtare shqiptare në Kosovë, që t’i fusin në dhe “sopatat” e përçarjes, të mosmarrëveshjeve dhe të grindjeve të ndryshme prepotente me përmbajtje politikaneske dhe bajraktariste, e të bashkohen me Lëvizjen Vetëvendosje të Albain Kurtit për ta mbrojtur POPULLIN nga politika antiligj, antidrejtësi, antidemokraci, antivetëvendosje dhe antipopull.
Bashkimi me KONSENSUS i të gjitha partive, i lëvizjeve, i fronteve politike, i organizatave dhe i forumeve të tjera jopolitike punonjëse dhe intelektuale opozitare shqiptare në Kosovë, është alternativa më racionale dhe më efektshme politike, kombëtare dhe demokratike për të shkallmuar gjendjen e rëndë dhe të padurueshme të politikës anarkike dhe despotike, të krijuar në Kosovë, si pasojë e korruptimit, e devijimit, e personalizimit dhe e shkëputjes së saj nga interesi i përgjithshëm i popullit dhe i Kosovës(1999-2010).

Ky është shansi historik që, të gjitha partitë dhe lëvizjet politike kombëtare shqiptare në Kosovë, të bashkohen në një front unik të Lëvizjes Vetëvendosje me në krye Albin Kurti, në mënyrë që ta shpëtojnë POPULLIN nga ligjet e politizuara të xhunglës dhe nga pushteti i pakufizuar, i privatizuar dhe i personalizuar nga politika e pandërgjegjshme provinciale e grupeve dhe e klaneve të ndryshme të interesit, të cilat POPULLIN e kanë vënë jashtë ligjit, jashtë kushtetutës, jashtë të drejtave dhe lirive të tij fundamentale politike, ligjore, demokratike, kombëtare, ekonomike, sociale dhe të mirëqenies së tij të gjithmbarshme. Ndërkaq, Kosovën e kanë shndërruar një plaçkë private dhe të paprekshme të tyre.

Një gjendje e tillë anarkike dhe despotike me ligje të perënduara të feudalëve dhe të feudave mesjetare, kritike dhe fatale për POPULLIN, mund të tejkalohet, vetëm, nëse i gjithë spektri politik i opozitës demokratike kombëtare shqiptare me KONSENSUS bashkohet me LËVIZJEN VETËVENDOSJE. Ndryshe, ekziston rreziku që politika e dhunës, e forcës, e diskriminimit, e diferencimit klasor, e pabarazisë, antiligj dhe antidemokraci, të sundojë edhe një kohë të gjatë, duke mos zgjedhur mjete dhe metoda për të shtypur, shfrytëzuar, varfëruar dhe nëpërkëmbur POPULLIN, së bashku me të gjithë ata, që botërisht kanë dalë në anën e mbrojtjes së drejtave dhe lirive të tij legjitime dhe të justifikueshme.

Bashkimi i të gjitha partive, i lëvizjeve dhe i fronteve politike opozitare me Lëvizjen e Vetëvendosjes, jo vetëm se do të dëshmonte orientimin dhe përcaktimin e tyre politik, kombëtar dhe demokratik programor në sfondin doktrinar, por edhe praktikisht, me vepër konkete do ta justifikonte objektivin e tyre, se ato janë formuar (jo për xhep, jo për bajraktarizëm mahallor dhe provinicial primitiv të kadive, të feudalëve dhe të pashallarëve të ndryshëm të errësirës së hyrjetit anadollak), që të jenë në shërbim direkt të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm të POPULLIT dhe të Kosovës, jo të interesave të ndryshme heterogjene të politikës tregtare dhe mafioze lideriste të partive të ndryshme pozicionuese në pushtet, të cilat POPULLIN e kanë shndërruar në lypës dhe në vasal të ligjeve të tyre të xhunglës dhe të anarkisë despotike feudale.

Nëse spektri politik i opozitës shqiptare në Kosovë nuk i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, janë të vogla gjasët për të dalë nga kriza e përgjithshme politiko-shoqërore dhe sociale, e cila e ka pllakosur POPULLIN, sidomos në këtë dekadë të parë të shekullit XXI, si pasojë e politikës shfrytëzuese dhe diskriminuese antiligj, antidrejtësi dhe antidemokraci.

Fundja, në këto rrethana të pluralizmit dhe të demokracisë liberale, të jesh parti opozitare dhejtë a njëzet vjet, nuk ka kurfarë kuptimi, as kurfarë leverdie dhe efekti politik për interesin e përgjithshëm kombëtar, as shtetëror. Domethënë, diçka nuk funksionon, nuk është në rregull me programin dhe me pragmatizmin e atyre partive me “stazh” politik dhjetëvjeçar dhe njëzetvjeçar, kur kihet parasysh fakti se, çdo parti krijohet, lufton dhe synon që të marrë pushtetin, jo për të “mrizuar” si oponencë e përjetshme politike pa rezultate konkrete dhe të dobishme për shoqërinë.

Çdo kryelider partiak dhe shtetëror, duhet të dijë ligjin matematikor të politikës. Nuk ka politikë, pa rezultate konkrete. Politika matet vetëm me rezultate, jo me dështime të njëpasnjëshme.
_____________

Boston, më 13 shkurt 2010