| Në konferencën “Viti 2010, informacioni në kohën e krizës”, të organizuar dje nga Ambasada Italiane dhe “La Gazzeta del Mezzogiorno”, të ftuar ishin edhe dy liderët e politikës shqiptare Sali Berisha dhe Edi Rama. Po ashtu ishin të pranishëm edhe përfaqësues të mediave, mes të cilëve drejtori i ANSA, Giulio Anselmi, Kryetari i Federates Kombëtare të Gazetarëve italianë Angelo Siddi. Të ftuar nga mediat shqiptare ishin drejtues të mediave, analistë dhe gazetarë, si Lutfi Dervishi, Remzi Lani, Nikollë Lesi, etj.Në këtë event, përvec diskutimeve përkatëse, Berisha e Rama nuk kanë humbur rastin të hedhin batuta ndaj njëri-tjetrit. Nuk u duk aspak klimë e zbutur mes tyre, që në faktin se ata nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit. I pari e mbajti fjalën Rama, i cili tha se duhet të largohej shpejt, pasi kishte një takim ku nuk mund të justifikohej duke thënë se ishte më Sali Berishën. “Bëju të fala nga unë”, ia ktheu menjëherë batutën Berisha. E ndërsa më parë Berisha kishte thënë fjalën e tij se po ta ftonin për tango nuk do të ishte i pranishëm, Rama e përfundoi batutën e tij duke thënë se nuk ishte me vend të shihte fytyra të buzëqeshura të shkaktuara nga Berisha në një takim të tillë, por se nuk ishte faji i tij që dikush di ta kërcejë tangon e dikush jo. |
|
Ndërkohë, ana serioze e takimit ishte ajo e fjalimeve të mbajtura nga personazhet e ftuar. Ambasadori italian Saba D´Elia, tha se forumi ishte një ndër eventet më të rëndësishme të medias. Ai tha se gjëja më e rëndësishme në media është informacioni, sidomos ai në kohë krize. D´Elia shtoi se ky forum i bashkohet më së miri sezonit të eventeve, të hapur nga Ambasada Italiane “Dy popuj, një det, një miqësi”, ndërsa shton se pas pak ditësh një tjetër forum i rëndësishëm do të mbahet në Shqipëri, ai për “Korridorin 8”.
Ndërsa Rama në fjalën e tij iu referua raportit më të fundit të OJQ-së spanjolle FRIDE, sipas të cilit, Shqipëria ka treguesit më të këqinj lidhur me lirinë e medias. Kreu socialist përmendi KKRRT-në dhe Televizionin Publik Shqiptar si shembujt kryesorë të politizimit të mediave ndërsa nënvizoi edhe raste të tjera të penalizmit të mediave, sic tha Rama raste të pastra të presionit qeveritar. “Të clirojmë gjithcka që në këtë vend ka të drejtë të jetojë pavarësisht nga vullneti i të tjerëve, qoftë një media, gazetë, radio, televizion, qoftë një biznes që është brenda kornizës kushtetuse të Republikës”, konkludoi Rama.
Berisha nga ana tjetër u shpreh se liria e medias ka arritur të mbijetojë nga kriza. Ndërkohë, ai i bëri ftesë Ramës për një debat politik televiziv, duke thënë se respekti i tij për opozitën është i palëkundur. Berisha ka theksuar gjithashtu se qeveria e tij garanton lirinë e mediave dhe lirinë e informacionit që ato përcojnë. “Administrata ime ka ndaluar plotësisht cdo padi civile ndaj medias nga shtatori i vitit 2005 deri sot nuk ka asnjë gazetar që të jetë paditur për cështje penale apo civilie nga administrata ime, kjo përbën një arritje të madhe”, deklaroi Berisha. / Zhurnal / |