Komunat shqiptare po falimentojnë
Fitim KRYEZIU
Masat anti-krizë të miratuara nga Qeveria e Maqedonisë nuk kanë nxitur biznesmenët të investojnë në sektorin e ndërtimtarisë, gjë që do të kishte mbushur arkën e komunave nga të ardhurat që gjenerojnë pagesat e taksave komunale. Menaxhimi i tokës ndërtimore, thjeshtësimi i procedurave për ndërtim, lehtësimi i procedurës për thithjen e investitorëve nëpër komuna, janë vetëm disa nga masat anti-krizë, të cilat i ka marrë Qeveria e vendit për t’u dalë në ndihmë komunave që të shpëtojnë nga kolapsi financiar. Por, çdo lloj mase anti-krizë, e cila hartohet apo promovohet nga Qeveria, shihet me shumë skepticizëm nga ana e drejtuesve të komunave sepse, sipas tyre, deri më tani të gjitha masat e deritanishme të promovuara kanë qenë vetëm gënjeshtra dhe demagogji të hartuara nga Qeveria aktuale.
“Komuna e Tetovës deri më tani nuk ka parë kur farë ndihmash nga masat e tilla. Ne i kishim sugjeruar Qeverisë që të investojë në komunat shqiptare më shumë mjete financiare në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, të mos i ndalë bllok-dotacionet për arsim dhe mirëmbajtje të rrugëve, të cilat do të jenë ndihmesa më e madhe që mund të bënë kjo Qeveri me kapacitet të cilat posedon”, tha Flakran Pustina, shef protokolli në Komunën e Tetovës.
Një gjendje e njëjtë ndodh edhe në Komunën e Gostivarit, në të cilën kriza ekonomike ka prekur industrinë ndërtimore, kurse borxhet e ish-strukturave udhëheqëse kanë lënë zbrazur arkën komunale.
“Kemi pasur interes nga disa kompani private për të ndërtuar në komunën tonë. Nga Qeveria as që jemi kontaktuar për ndonjë ndihmesë. Pushtetit qendror as që i ka interesuar që komunat të dalin nga kriza në të cilën gjenden”, tha Shemije Elezi, zëdhënëse e Komunës së Gostivarit.
Ndërsa nga Komuna e Haraqinës thonë se këto janë gënjeshtra të cilat mundohen t’i mashtrojnë kryetarët e komunave. “Çdo herë pushteti qendror na ka premtuar se gjoja do të zbatojë disa masa anti-krizë, por deri më tani asgjë nuk kanë realizuar në atë drejtim. Në njërën anë TVSH na kanë premtuar se do të risin nga 3 në 6 për qind, atë e kanë rritur vetëm për 0,4 për qind, por nga ana tjetër, na i kanë ndalë mjetet për mirëmbajtjen e rrugëve dhe për arsim. E vetmja zgjidhje është që toka shtetërore t’u jepet në menaxhim komunave, që do të jetë një ndihmesë shtesë për të dalë nga kjo krizë financiare”, tha Bastri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraqinës.
Qeveria bllokon komunat
“Kemi pasur interes nga disa kompani private për të ndërtuar në komunën tonë. Nga Qeveria as që jemi kontaktuar për ndonjë ndihmesë. Pushtetit qendror as që i ka interesuar që komunat të dalin nga kriza në të cilën gjenden”, tha Shemije Elezi, zëdhënëse e Komunës së Gostivarit.