Klasa e shërbëtorëve
Sheshi në sirtar
Dihet se okupatori nuk mund të sundojë pa ndihmën e bashkëpunëtorëve (kuislingëve) vendorë. Dihet se okupatorin e mbanë në pozitë vetëm propaganda e mediave dhe sundimi i “ligjit” të tij special për ty. Kuislingët në Kosovë insistojnë me kokëfortësi ortodokse se “EULEX-i është sundimtar i ligjit në Kosovë”! Këta ortodoksë shqiptarë, kuislingë i demanton vetë EULEX-i i cili konstaton së (ri-ricitoj): ”institucionet vendore janë përgjegjëse për ushtrimin e sundimit të ligjit, kurse mandati i EULEX-it është që të monitorojë dhe të udhëzojë në fushën e sundimit të ligjit”. Sulmi për destinacion propagandistik botëror kundër prestigjit të shtetit të Kosovës, a ishte “monitorim” dhe “udhëzim”, apo sulm kundër atij që kushtetushmërisht “përgjigjet për ushtrimin dhe sundimin e ligjit”?
EULEX-i (gjithnjë lexo: UNMIK-u) paraprakisht nuk e ka pranuar zyrtarisht as “institucionin përgjegjës të ligjit” (shtetin e Kosovës), ndaj as Kushtetutën e cila e parasheh EULEX-in vetëm si “monitor”, “udhëzues” dhe “mbikëqyrës” evropian të ligjit (Kushtetutës së Kosovës), e parasheh si mbikëqyrës: si e zbatojnë Kushtetutën kosovarët. Por, aq i bën BE-së për Kushtetutën e Kosovës. EULEX-i, zyrtarisht dhe në transparencë, bashkëpunon me institucionet për punë të brendshme (me policinë dhe gjyqësinë e Serbisë), kurse “institucionet përgjegjëse” të Kosovës “i monitoron” dhe i “udhëzon” sipas marrëveshjeve (protokolleve) me policinë e Serbisë dhe Ban Ki Moon-in.
A është e mundur që “klasa politike” e Kosovës ende të mos e ketë të qartë se UNMIK-u ende gjithnjë vazhdon të jetë administratë e Serbisë në Kosovë, kurse Misioni Evropian dhe KFOR-i janë këtu të zbatojnë politikat e UNMIK-ut, përkatësisht Rezolutën 1244? Në cilën anë qëndron “klasa politike” e Kosovës – në anën e policisë së Serbisë në protokollin e EULEX-it, apo në anën e “institucioneve përgjegjëse” zyrtare shtetërore të Kosovës?
Masonit Evropian në Kosovë i është çjerrë maska në skenën diplomatike ndërkombëtare. Tashmë çdo analist botëror si dhe figurat eminente botërore politike, konstatojnë se BE ka dështuar në Kosovë. Ka dështuar dhe në Francë, Angli, etj. etj. Dështimi është definitiv! Kosova është nën “hijen e armëve” të Serbisë, përkatësisht garantuesit të administrimit serb 1244 që e mbron KFOR-i i UNMIK-ut.
Nuk ka dështuar Evropa në Kosovë, por ka dështuar BE-ja. BE në Kosovë është misioni i OKB-së, përkatësisht i Këshillit të Sigurimit, kurse KS është nën influencën arbitrare politike “të vetos” së Rusisë. Pra BE në Kosovë – përktheje – Rusi!
Në këtë vit (2010) Kosova edhe një herë u ngrit në krye të agjendës politike ndërkombëtare, por për këtë fakt nuk është e ndërgjegjshme “klasa politike” e Kosovës, sepse EULEX-i (gjithnjë lexo: UNMIK-u) krijon “perde tymi” propagandistik shqipshkrues, dhe dezorienton vëmendjen e popullit nga problemet kurciale politike që ka sot Kosova, në probleme të brendshme. Ceka në rreshtat e parë të këtij shkrimi se okupatorin e mbanë në pozitë vetëm propaganda (e paguar mirë) e mediave si dhe llavat e zhbiruesve varfanjakë që quhen “shoqëri civile” dhe që vrasin shtetin për parat e papastërtia, duke e “korrektuar” dhe komprometuar.
Derisa bota analizon si do të zgjidhet çështja e Kosovës, “klasa politike” (aktivistë të degëve dhe nëndegëve të partive fshatare dhe qytetare që janë zëdhënës të shefave të tyre tashmë të shfrytëzuar dhe të demoduar politikisht), merren me luftën për pushtet, dhe i ngjajnë asaj shpure provinciale që kujtojnë se pushtet rrëmbehen duke gënjyer popullin me propagandën e të huajve. Këta nuk shohin asgjë përveç pushtetit, derisa shtetit i është rrëmbyer e drejta kushtetuese, të cilën formalisht ia pranon edhe EULEX-i, (gjithnjë lexo: UNMIK-u) e pranon të drejtën për “udhëtimin e sundimit të ligjit” (Kushtetutës), por që realisht EULEX-i zbaton 1244-shin i cili suprimon (shtetin) me forcën e armëve “ndërkombëtare” serbe në Kosovë.
Pra, ushtruesi sovran i sundimit të ligjit, shteti i Kosovës, është defaktorizuar nga dhuna okupatore e UNMIK-ut. Fjalën e ka ai, Sundimtari 1244 i Ligjit të Huaj, bashkëpunëtori legalisht i policisë së Serbisë (lidh protokolle me të dhe zbaton 6 pikat e OKB-BE-së); gjeneralët e KFOR-it deklarojnë se “strukturat paralele” të Serbisë në Kosovë i konsiderojnë “përfaqësues legjitim të popullit serb”; një e treta e Kosovës është okupuar nga UNMIK-u (lexo: Serbia); janë themeluar disa shtete të vogla të Serbisë nëpër enklava, kurse Misioni Evropian përpiqet t’ua ngarkojë shqiptarëve të gjitha krimet politik-ekonomike që ka ushtruar OKB-BE-ja që 10-vjet në Kosovë dhe popullin shqiptar të Kosovës e kanë shndërruar në një masë amorfe të varfër, llumpën proletare. Ua ngarkojnë fajin shqiptarëve, dhe pastaj me propagandë të mediave “shqiptarët” ia ngarkojnë vetvetes, duke kujtuar se kur e fajësojnë shtetin e tyre, ata kështu e fajëson vetëm e vetëm pushtetin, të cilin pretendojnë ta rrëmbejnë me ndihmën e protokollistëve të Serbisë.
Misionin Evropian sulmon me propagandë dhe me armë prestigjin e Republikës së Kosovës në mediat botërore, duke dashur kështu ta bindin bashkësinë ndërkombëtare se Rusia ka të drejtë kur thotë se Kosova është “shtet i bandave”. Kështu, Misioni Evropian, e shkërbyen për toke Kushtetutën dhe prestigjin e Republikës së Kosovës. Por, kjo nuk do të ishte tragjike, sepse dhuna frymëzon kryengritjen kundër saj. Tragjike është që “klasa politike” kuislinge e Kosovës e përkrahë propagandën e Misionit Evropian mbi “shtetin e banditëve” në Kosovë, kështu duke e frymëzuar popullin kundër shtetit të tij, e jo kundër okupatorit të shtetit të tij. Dihet se okupatorin e mbanë në pozitë vetëm propaganda e mediave dhe sundimi i “ligjit” të tij – special për ty.
