Kim Mehmeti: Shqiptarëve nuk ju duhen parti si PDSH-ja dhe BDI-ja
Mysafiri i emisionit nxori një fakt të rëndësishëm në sipërfaqe, se këtë radhë protestuesit për rastin “Monstër” dëshmuan pjekuri të lartë politike duke i bërë protestat në adresat e duhura.
“Ka tre vite që u them shqiptarëve shkoni protestoni përpara selive partiake tona, se Gruevski asgjë nuk na ka premtuar. Unë e di që kemi emër dhe mbiemër ne që kemi thënë këtë dhe emri dhe mbiemri që e ka thënë atë është Kim Mehmeti, nuk ka nevojë këtë Ali Ahmeti ta fsheh. Emri dhe mbiemri i atij që ka thënë se nëse vjen puna të digjet dikush, më mirë le të digjen selitë e partive se sa shtëpitë tona, emri i atij që e ka thënë këtë është Kim Mehmeti nuk ka nevojë të fshihet. Kam thënë dhe do them, nëse dikush duhet të rrehet dhe të gjakoset ata janë liderët partiakë, sepse ato i marrin benefitet” – tha Mehmeti.
Kim Mehmeti mendon se BDI-ja duhet të jetë e “lumtur” përderisa ka një kundërshtarë si PDSH-ja.
“Deri sa të ekzistojë PDSH-ja, BDI-ja nuk ka nevojë të mërzitet se a do ti fitojë zgjedhjet. Por, votuesit shqiptarë aq shumë do pakohen saqë ato do mund të bëhen me 30 vota deputet sepse edhe ashtu vetëm 30% dolën në votim”, shtoi ai.
Mehmeti, mendon se është çasti që shqiptarët të rirreshtohen politikisht, por jo duke u përçarë.
“Është çasti të bëhet një rirreshtim politik mes shqiptarëve… Është çasti të bëhet një rirreshtim, mirëpo jo duke u përçarë. Shqiptarëve u duhen dy parti të mira, mirëpo jo si PDSH-ja që është kompani private e kryetarit të saj, dhe jo si BDI-ja që është si shoqatë aksionarësh e që në krye ka kryeaksionarin dhe ashtu vepron,dhe që poashtu e ka një ideolog Ibrahim Kelemendin që kujdeset, mos u dështojë leninizmi për të shkuar përpara. Andaj nëse nuk rirreshtohemi, do të dështojmë të gjithë”, ka theksuar Mehmeti.