Këshillit organizativ dhe Komunitetit shqiptar në Danimarkë:Letër përgëzimi

Riza Sheqiri- Me rastin e aktivitetit Kulturor organizuar nga komunitetit shqiptar në Danimarkë për nder të Oficerve të FSK të cilët gjenden për trajnim profesional në këtë vend
Komuniteti shqiptar në Skandinavi dhe në mesin e tyre komuniteti shqiptar në Danimarkë këto njëzetë vjetët e fundit kanë bërë shumë për atdheun; për trojet shqiptare pa dallim dhe veçanërisht për çështjen e Kosovës, për çlirimin dhe pavarësinë e saj.
Aktiviti i tyre është shtrirë në të gjitha fushat, duke filluar nga sensibilizimi i çështjes shqiptare tek opinioni ndërkombëtar e deri tek ndihmat e pakursyera humanitare.
Një fushëveprimi ka qenë dhe është vazhdimisht bashkëpunimi i vendeve nikoqire dhe lidhja e kontakteve sa më të ngushta të këtyre popujëve e të këtyre shteteve me atdheun. Rezultatet as në këtë fushë nuk kanë munguar. Edhe veprimtaria e sotme në njëfarë mënyre është një rezultat i një bashkëpumimi të këtillë, njëherit një rezultat i angazhimit të përherëshëm dhe me shumë traditë të komunitetit tonë në Danimarkë.
Por kjo pritje, ky aktivitet dhe ky tubim sot ka një rëndësi dhe një karakter shumë domethënës dhe madhështor, ka një simbolikë të veçantë dhe padyshim ky moment i pranisë së Oficerëve të Forcave të Sigurisë të Republikës së Kosovës – që padyshim nesër do të jenë Pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës, është për më shumë një mburrje dhe një krenari për çdo shqiptar, në Danimarkë, në Skandinavi dhe kudo qoftë. Sepse, sot na ka bashkuar një aktivitet bashkëpunimi i dy forcave ushtarake të dy shteteve të pavarura e demokratike siç janë Danimarka dhe Kosova.
Pra, s’kemi si të mos i gëzohemi pamasë këtij bashkëpunimi dhe kësaj ngjarje ku Oficerët e Forcave të Sigurisë së Kosovës gjenden për trajnim në këtë vend demokratik në saje të një bashkëpunimi ndërshtetror. Dhe me gjithë shpirt, me zemër e me mendje po e nënvizoj shprehjen bashkëpunimi ndërshtetror. Kjo është gjithë madhështia, e kemi pritur gjatë, që e kemi ëndërruar me shekuj…
Prandaj Oficerëve të FSK ju uroj qëndrim të këndshëm, trajnim të sukseshëm dhe përfitimin e përvojave të reja profesionale, në përmbushjen sa më të plotë të detyrave të tyre të shenjta për mbrojtjen e Kosovës, ndërsa Këshillin organizativ dhe gjithë komunitetin shqiptar e përgëzoj për këtë manifestim dhe për të arriturat e tyre në të gjitha fushat e jetës dhe të punës duke ju uruar edhe shumë e shumë suksese të reja në të gjitha lamitë.
Edhe një letër përgëzimi si kjo, një shkrimtari e poeti i duket e mangët pa fjalën e bukur poetike, prandaj miq të mi të dashur, të dashur pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje në këtë mbrëmje madhështore, unë duke ju përgëzuar për punën tuaj të zellshme dhe duke ju uruar përzemërsisht shumë suksese të reja ju përshëndes me vargjet e mia, duke ju siguruar se në aktivitete të tilla, edhe përkundër pamundësisë sime për të qenë fizikisht i pranishëm në mesin tuaj, unë me mendje dhe me zemër jam gjithmonë me ju. Pra me zemër ju them: Ju lumtë!
Me këtë rast le të jetë fjala dhe poezia ime ajo që do t’iu përcjellë përgëzimet e mia më të mira për të gjithë ju, për sukseset dhe të arriturat tuaja!
I juaj e me ju shkrimtari dhe poeti
Rizah Sheqiri, nënkryeter i Klubit të Shkrimarëve të Blekinges, anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë dhe i PEN-it suedez
Suedi, 30 mars 2012
Për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës kanë kontribuar shumë e shumë njerëz të shumë e shumë gjeneratave gjithandej në trojet shqiptare e në diasporë.
Dhe të gjithëve pa dallim edhe ne, po edhe gjenaratat që do të vijnë, do t’u jemi mirënjohës gjithmonë.
Sot e mot me respekt të thellë përkulemi para të gjithë dëshmorëve që e dhanë jetën për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Prandaj edhe poezia ime për ju sonte ju kushtohet pikërisht dëshmorëve:
Në filllim katër vargje për dëshmorët e vendlindjes sime për Dëshmorët e Brainës, pastaj poezia dëshmorëve:
Rizah Sheqiri
Dëshmorët e Brainës,
Me dashuri për dritën
U shkëputën si meteorë
Lirisë së atdheut iu bën
Më e bukura metaforë.
Rizah Sheqiri
D Ë S H M O R Ë VE
Si fëmijët pas fluturave
Vrapuan pas rrezeve të diellit
Ta zën zogun e abetares
E t’ia thonë këngës së zemrës
Po pesha e kohës i rëndoi
Nga guri loti e gjaku pikoi
Pa e krijuar ylberin e buzëqeshjeve
Pa e thurë ëndrrën e lirë deri në fund
Kosë gjelati si barit të njomë u ra përmbi
Qiellit në ag i vdiqën pëllumbat
Në sy u mbeti peng e shtrenjta Liri
Rrezja e saj ua puth varret
Dhe plisat që vajtojnë për kokat e tyre
Bashkë me kurorën time poezi –
Këngë shpirti që jehon me krenari
Deri në përjetësi:
Lavdi!…
Lavdi!…
Lavdi!…
© Rizah Sheqiri